Printo!
Kategoria: Islami në Zvicër
Lexuar: 1759 herë


Mr. Rejhan Neziri


 

Që nga gushti i vitit 2010 në dy shkolla të Kreuzlingenit (Zvicër) fillon mësimi fetar edhe për fëmijët muslimanë të klasës së katërt fillore. Pas dy vitesh do të vijojnë nxënësit e klasës së 4 dhe të 5, kurse pas tri vitesh ata të klasës së 4, 5 dhe 6. Në krye të 3 viteve do të bëhet një vlerësim i arritjeve dhe do të vendoset për vazhdimin e mëtutjeshëm.



Një retrospektivë

Më 3 nëntor 2007 në organizim të Shkollës së Lartë Pedagogjike Thurgau në Kreuzlingen u mbajt një konferencë shkencore njëditore me titull “Për sa fe ka nevojë shkolla? – Roli i feve në shoqërinë demokratike” (Wie viel Religion braucht die Schule? – Die Rolle der Religionen in der demokratischen Gesellschaft), ku me ligjëratat e tyre morën pjesë Prof. Dr. Monika Jakobs nga universiteti i Lucernit me temën “Ndrydhja apo mbrojtja e fetares? Pluraliteti si sfidë për shkollën” (Religiöses verdrängen oder wahrnehmen? Pluralität als Herausforderung für die Schule” dhe Prof. Dr. Rene Pahud de Mortanges nga universiteti i Friburgut me temën “Feja në shkollë – korniza juridike” (Religion in der Schule – Der rechtliche Rahmen). Pas ligjëratave, në pjesën e pasdites, u zhvilluan edhe gjashtë grupe pune (workshops), ndër të cilat edhe ai i udhëhequr nga teologia Yasemin Duran “Mësimi fetar islam – në stallë apo në klasë?” (Islamischer Religionsunterricht – im Hinterhof oder im Klassenzimmer?), me ç’rast theksoi se mësimi fetar i mbajtur nëpër klasat e shkollave publike, përveç tjerash do të dallonte nga i njëjti që mbahet nëpër xhamitë e fshehura pas stallave e nëpër bodrume të ndryshme të zonave industriale, nga tri aspekte kryesore: 1. Vendi (hapësira), 2. Mësimdhënësi dhe 3. Përmbajtja . Duke bërë krahasimin e mëtejmë të detajuar, ajo konstatoi se mësimi fetar që ofrohet nëpër mektebet e xhamive ishte i pamjaftueshëm për të ndihmuar formimin e identitetit të plotë fetar të fëmijëve muslimanë dhe se krahas këtij mësimi duhet të zhvillohet edhe ai në shkollat publike për arsye të hapësirës më të përshtatshme si me pajisje ashtu edhe me atmosferën arsimore, si me mësuesin fetar që flet gjermanisht ashtu edhe me përmbajtjen më të gjerë, më të kapshme e të klasifikuar sipas moshës të njësive mësimore... Në fund të konferencës u zhvillua një diskutim publik me të gjithë pjesëmarrësit e grupeve të punës, ku në mënyrë të veçantë një interesim të madh gëzoi edhe çështja e futjes së mësimit fetar islam nëpër shkollat publike, krahas atij krishter për katolikët dhe evangjelistët.

Si vazhdimësi e kësaj konference e njëjta Shkollë e Lartë, më 27 gusht 2008, organizoi një takim tjetër më të ngushtë me titull “Shkollat dhe fetë në dialog pranë Shkollës së Lartë Pedagogjike Thurgau” (Schule und Religionen im Dialog an der PHTG), ku morën pjesë 3 përfaqësues të kësaj shkolle të lartë, përfaqësues të kishave vendase, një përfaqësues i bashkësisë çifute, një nga komuniteti hindus dhe unë nga komuniteti musliman. Diskutimi u soll rreth çështjes së dialogut fetar dhe krijimit të një atmosfere të ngrohtë akademike nëpër shkolla të niveleve të ndryshme si ndër mësimdhënësit ashtu edhe ndër nxënësit dhe prindërit e tyre.

Në takimin e parë ne krijuam lidhje me personalitete si nga jeta akademike ashtu edhe nga ajo fetare vendase, kurse në takimin e dytë haptas kërkuam nga të pranishmit një angazhim aktiv në drejtim të mbështetjes së idesë për nevojën e futjes së mësimit fetar islam nëpër shkolla, për çka u deklaruan pozitivisht shumica e të pranishmëve, sidomos dy docentë nga kjo shkollë, Dr. Judith Borer dhe Dr. Mark Keller si dhe prifti i kishës katolike, diakoni Matthias Loretan.

Pas kësaj pasoi inaugurimi i xhamisë sonë të re, respektivisht kalimi në objektin e blerë e të përshtatur për xhami ku jemi tani, në hapjen solemne të së cilës morën pjesë si kryetari i komunës së Kreuzlingenit z. Andreas Netzle, ashtu edhe docentja Dr. Borer dhe diakoni Loretan e zviceranë të tjerë të jetës politike e ekonomike.

Që nga kjo datë e deri më sot, pedagogia Borer dhe një kolege e saj zonja Thomas, bashkë me nxënësit e tyre nga shkolla e mesme dhe ajo e lartë pedagogjike në Kreuzlingen e kanë vizituar xhaminë dhe qendrën tonë me mbi 20 klasë.

Gjatë gjithë këtyre takimeve të lartpërmendura, krahas bisedave tjera rreth Islamit dhe jetës aktuale të muslimanëve në Zvicër, nga ana jonë është theksuar nevoja e mësimit fetar islam nëpër shkolla. Kështu që pas disa takimeve të organizuara nga “Tavolina e rrumbullakët e religjioneve pranë Shkollës së Lartë Pedagogjike Thurgau” në Kreuzlingen në prani të dy pedagogëve të lartpërmendur, të diakonit katolik dhe tonën, u vendos që të krijohet një këshill më i zgjeruar ose një grup projektues i cili do të merrej më intensivisht me një projekt të mësimit fetar islam nëpër shkollat e Kreuzlingenit. Në takimin e radhës në shtator të vitit 2009 u arrit që ky këshill të përbëhej nga Susanne Pauli (nëpunëse pranë Zyrës së Shkollave Publike të kantonit Thurgau - Frauenfeld), Priska Reichmuth (nëpunëse në po të njëjtën zyrë), Mark Kris Keller dhe Judith Borer (Shkolla e Lartë Pedagogjike Thurgau në Kreuzlingen), Christof Kreis (i deleguar i komunës së Kreuzlingenit për integrim), Herbert Kammacher (drejtues i shkollës fillore “Egelsee” në Kreuzlingen), Hans-Jürg Michael (drejtues i shkollës fillore “Wehrli” në Kreuzlingen), unë si imam, Xhelal Qazimi (përfaqësues i Bashkësisë Islame Shqiptare në Kreuzlingen), Xhavit Çetinkaja, Erol Korkmaz dhe Serap Altëntash (përfaqësues të Komunitetit Islam Turk nga Kreuzlingeni), prifti katolik Loretan si dhe nënkryetarja e kishës evangjeliste në Kreuzlingen, zonja Susanne Dschulnigg.


Çfarë përmban projekti?


Komisioni i lartpërmendur bëri skicimin e projektit për futjen e mësimit fetar për fëmijët muslimanë në disa shkolla fillore të Kreuzlingenit, paralel me mësimin fetar për fëmijët katolikë dhe evangjelistë, brenda orarit të rregullt shkollor me nga një orë në javë. Ky mësim do të zhvillohet në mënyrë që temat qendrore të Islamit të trajtohen nga një perspektivë e brendshme fetare (“teaching in religjion”), çka mëton që mësimet e Islamit të përcillen te fëmijët me një ndjenjë më të fuqishme lidhshmërie për atë të veten dhe jo thjesht të përcillen njohuri të thata e të përgjithshme, jo-emocionale, rreth Islamit (“teaching about religjion”). Në këtë mësim do të përfshihen nxënësit e klasave 4, 5 dhe 6, ashtu që ky mësim në vitin shkollor 2010/2011 do të zhvillohet vetëm me nxënësit e klasës 4, në vitin shkollor 2011/2012 me nxënësit e klasave 4 dhe 5, kurse në vitin shkollor 2012/2013 do të përfshihen nxënësit e klasave 4, 5 dhe 6. Në fund të këtij 3-vjeçari do të bëhet një vlerësim i këtij projekti dhe do të vendoset për vazhdimin ose jo të mëtutjeshëm të tij. Mësimi do të zhvillohet në gjuhën standarde gjermane dhe nga një person i përgatitur profesionalisht si në aspektin teologjik islam ashtu edhe në atë pedagogjik.  Mësimi do të jetë i hapur edhe për nxënës jomuslimanë si edhe për vizita të autoriteteve shkollore dhe të prindërve të fëmijëve. Meqë në bazë ky mësim është fakultativ, vullnetar, do të duhet angazhuar për të motivuar prindërit që t’i dërgojnë fëmijët e tyre në mësim.

Për këtë qëllim, ky komision parasheh që përgjegjësinë zyrtare të këtij projekti ta marrin dy bashkësitë fetare islame të Kreuzlingenit, xhamia shqiptare dhe turke, duke krijuar një shoqatë apo ndonjë strukturë tjetër të përbashkët juridike, e cila do të kujdeset për sigurimin e një plan-programi mësimor (këtë gjithnjë në bashkëpunim me Shkollën e Lartë Pedagogjike Thurgau në Kreuzlingen), për sigurimin e mjeteve mësimore: librat, fletoret e punës etj., për sigurimin e kuadrit përkatës mësimdhënës, për sigurimin e mjeteve financiare për këtë projekt si dhe për vlerësimin e tij në fund të 3 viteve, sërish bashkë me Shkollën e Lartë Pedagogjike dhe autoritetet shkollore të klasave të ulëta të Kreuzlingenit. Nga kjo e fundit kërkohet që të vërë në disponim hapësirat për këtë qëllim në dy objekte shkollore të qytetit.

Pas disa takimesh të anëtarëve të këtij projekt-grupi u konkretizua edhe më tepër çështja e këtij projekti duke u përcaktuar për një plan mësimor të përgatitur nga një kolegjium profesorësh muslimanë e jomuslimanë të Universitetit Friedrich-Alexander në Nürnberg të Gjermanisë, në krye me Prof. Dr. Harry Harun Behr nga Qendra Interdisiplinare për Arsim Fetar Islam (Interdisziplinäres Zentrum für Islamische Religionslehre – www.izir.uni-erlangen.de
) pranë të njëjtit universitet. Ky kurrikulum është miratuar nga Ministria për Arsim dhe Kulturë e Shtetit të Bayernit. Si tekst mësimor projekt-grupi përzgjodhi librin “Saphir 5/6 – Islamisches Religionsbuch für junge Musliminnen und Muslime” (München, 2008) për klasën 5 dhe 6 të përgatitur nga Lamya Kaddor, Rabeya Müller dhe Harry Harun Behr, ndërkaq për klasën e katërt çështja mbetet akoma e hapur, ngase për momentin nuk ekziston ndonjë libër që do t’i përgjigjej plotësisht planit mësimor të lartpërmendur. Nëse nuk arrihet të sigurohet një tekst i tillë, do të shkohet në ndonjë kombinim të mundshëm të disa teksteve ekzistuese. Pos tjerash grupi projektues vendosi që këtë mësim ta japë një kuadër i përshtatshëm me përkatësi fetare islame dhe u përcaktua që për mësimdhënës në këtë fazë të jetë imami i Bashkësisë Islame Shqiptare “Hëna e re” Mr. Rejhan Neziri (autori i këtij teksti) dhe në ndërkohë të kujdeset për sigurimin edhe të një mësimdhënësi ose mësimdhënëseje tjetër rezervë. Dhe së fundi aspekti financiar i këtij projekti mbetet si përgjegjësi e muslimanëve dhe e donatorëve të tjerë, meqë Zyra për Arsim dhe Kulturë e kantonit nuk ndanë asnjë mjet financiar për këtë qëllim, madje as edhe për mësimin fetar krishter – ata këtë e sigurojnë përmes tatimit për kishat që e mbledh shteti zviceran nga besimtarët krishterë – ajo vë falas në disponim vetëm hapësirat shkollore dhe mjetet e nevojshme për zhvillimin e mësimit. Shoqata e përbashkët e dy xhamive në fjalë, që pritet të krijohet së shpejti, këto mjete financiare do t’i sigurojë nga tri burime kryesore: 1/3 do ta mbulojnë dy xhamitë, 1/3 do ta mbulojnë prindërit e fëmijëve dhe 1/3 tjetër do ta sigurojnë nga donatorë e sponsorë të tretë të vendit.

Pas sqarimit thuajse të hollësishëm të projektit grupi që punonte për hartimin e tij përcaktoi edhe caqet
apo synimet e projektit në fjalë, për ta argumentuar atë përpara organeve zyrtare, si: përmes këtij mësimi fëmijët muslimanë, të cilët përbëjnë 22.9 % të numrit të përgjithshëm prej 1900 nxënësve në shkollat e qytetit (24.5 % përbëjnë evangjelistët dhe 31.6 % katolikët), mbështeten në ndërtimin e identitetit si dhe në përforcimin e vetëdijes së tyre; avancohet aftësia e këtyre fëmijëve për një kontakt dhe gërshetim më të shëndoshë me bashkëmoshatarët e feve të tjera; në hapësirën sociale të shkollës bëhet vetëdijesimi dhe ushtrimi i vlerave humane e demokratike të Islamit; u ofrohet mundësia fëmijëve për t’u marrë me pyetjet bazë jetësore siç është ndër të tjerat edhe feja; avancohet integrimi në shoqëri i fëmijëve dhe prindërve mërgimtarë me përkatësi fetare islame; ndërtohet një urë komunikimi e gërshetimi midis shkollës dhe bashkësive fetare islame, ashtu siç ekziston kjo edhe me kishat e vendit; prezenca në shkollë e një autoriteti musliman i pengon konfliktet e mundshme fetare; rritet transparenca lidhur me përmbajtjen e mësimit fetar; mënjanimi i pengesave për bashkëpunim; bashkësitë fetare islame ofrojnë një kontribut aktiv për një bashkëjetesë paqësore; fëmijët e mësojnë Islamin si një fe të mbështetur në paqe e jo në dhunë; avancohet shkëmbimi ndërfetar etj.


Miratimi i projektit nga autoritetet shkollore


Më 9 dhjetor 2009, dy javë pas referendumit për ndalimin e ndërtimit të minareve në Zvicër,  nga ana e Dr. Judith Borer, drejtuesit të shkollës Wehrli, Jürg Michael, Dr. Matthias Loretan dhe Mr. Rejhan Nezirit ky projekt me këto synime iu prezantua drejtorit të përgjithshëm të shkollave të Kreuzlingenit, Dr. Jürg Schenkel dhe u kërkua nga ai që ta pranonte e miratonte atë. Pas disa pyetjeve shtesë për sqarimin e mëtejmë të projektit, ai në prani edhe të një gazetari të Thurgaur Zeitung u deklarua se e pranon këtë projekt dhe se do të kërkojë edhe nga asambleja e përgjithshme e shkollave të Kreuzlingenit ta miratojnë atë edhe formalisht. Ky miratim i njëzëshëm nga ana e këtij organi ndodhi më 12 janar 2010 me kushtet në vijim: 1. Ky projekt do të përcillet nga një grup i përbërë prej një delegacioni të bashkësive islame në Kreuzlingen, nga një drejtues shkolle, nga i ngarkuari për integrim pranë komunës së Kreuzlingenit, nga një përfaqësues i kishës katolike dhe evangjeliste si dhe nga një pedagog i Shkollës së Lartë Pedagogjike në Kreuzlingen, 2. Hapësirat e nevojshme shkollore për arsimin fetar islam do të lihen në disponim falas, 3. Mësimi fetar islam të zhvillohet në gjuhën gjermane, 4. Mësimdhënësi të zotërojë një arsimim përkatës, 5. Mësimi fetar islam të mbështetet në një plan mësimor të njohur zyrtarisht dhe të përcaktohet nga ana e grupit projektues, 6. Të dhënat e nevojshme që kanë të bëjnë me adresat e nxënësve të përkatësisë islame do të vihen në disponim nga ana e drejtorisë së shkollave të qytetit. Kjo drejtori nuk merr përsipër mbështetjen e mëtutjeshme financiare të projektit në fjalë. Pas skadimit të afatit 3-vjeçar drejtoria do të vendosë për vazhdimin eventual të këtij mësimi ose do të përcaktojë kushte të reja për të. Si bazë diskutimi për këtë do të shërbejë vlerësimi përkatës me shkrim.

Të gjitha këto kushte e synime zaten ishin paraparë edhe më herët nga grupi projektues, me çka vërtetohet edhe një herë zyrtarisht angazhimi serioz në këtë drejtim.

Dy ditë më vonë, 14 janar 2010, grupi që e zhvilloi këtë projekt mbajti mbledhjen e rregullt të tij ku u shpreh gëzimi dhe falënderimi për miratimin e të njëjtit dhe ndër të tjera u vendos për hapa konkretë: themelimi i Shoqatës së përbashkët islame nga ana e xhamive shqiptare dhe turke, konsultimi i një juristi rreth përpilimit të një statuti të kësaj Shoqate, sigurimi i adresave të familjeve muslimane për t’i njoftuar ata me këtë projekt, motivimi i tyre si dhe plotësimi i formularëve për regjistrim të fëmijëve të tyre në këtë mësim, sigurimi i teksteve mësimore, sigurimi i mjeteve financiare si dhe bashkërenditja e orarit mësimor në bashkëpunim me drejtorinë e shkollave të qytetit.


Ç’përmban ky mësim islam nëpër shkolla?


Duke u nisur nga fakti se muslimanët e Kreuzlingenit u përkasin nacionaliteteve të ndryshme dhe eventualisht edhe shkollave apo lëvizjeve të ndryshme islame, për bazë do të merret mësimi i asaj që është e përbashkët për të gjithë muslimanët, në mënyrë që të gjithë ose shumica e nxënësve muslimanë të përfshihen në këtë proces. Andaj edhe për çdo vit në mënyrë të përshkallëzuar do të bëhet thellimi në 8 fusha apo njësi bazë mësimore:
1 “Bashkëjetesa
”: bashkëjetesa me të tjerët në një shtet juridik e demokratik.
2. “Mësimi rreth besimit
”: tema fetare qendrore si Zoti, krijimi, natyra dhe qëllimi i jetës.
3. “Jeta fetare ose lutjet
”: ushtrimi i lutjeve rituale (namazit) dhe i lutjeve personale (duave).
4. “Historia dhe gjeografia e Islamit
”: zhvillimet e ndryshme historike e kulturore-gjeografike brenda Islamit, me theks të veçantë edhe të Islamit në Evropë.
5. “Muhammedi a.s.
”: kuptimi dhe rëndësia historike dhe fetare e personalitetit të pejgamberit Muhammed a.s.
6. “Kur’ani dhe Sunneti (Hadithi)
”: njohuri sistematike rreth dy burimeve bazë të Islamit dhe hyrje në tekste të përzgjedhura të tyre.
7. “Pejgamberët tjerë
”: hyrje në rrëfimet mbi pejgamberët tjerë para Muhammedit a.s. jo në mënyrë epiko-kronologjike ose gjenealogjike, porse nga një aspekt prototip-tematik.
8. “Fetë tjera
”: përmbajtja e feve të tjera si dhe bashkëjetesa me pjesëtarët e tyre.


Vlenë të theksohet se mësimi fetar që zhvillohet në mektebin e xhamisë do të vazhdojë edhe më tej me të njëjtin orar dhe plan mësimor. Ai as nuk do të reduktohet e as nuk do të modifikohet.

Mësimi fetar islam nëpër shkolla publike, pos Kreuzlingenit, zhvillohet edhe në Wil (SG), Kriens dhe Ebikon (LU) si dhe në kantonin Aargau.