Printo!
Kategoria: Islami në Zvicër
Lexuar: 731 herë

Mr. Rejhan Neziri


Xhamitë në Zvicër dhe roli i tyre

A. Sfondi historik

Depërtimi i Islamit në Zvicër shënohet të ketë ndodhur qysh para 1000 viteve, përmes maurëve berberë – muslimanë të Andaluzisë, të cilët zviceranët dhe historianët e tjerë i kanë quajtur “saracenë”. Në vitin 936 raportohet për pushtimin e dioqezës së Kurit (Chur), me ç’rast duhet të jetë shkatërruar selia e ipeshkvisë dhe një pjesë e Graubindes të ketë rënë nën sundimin e saracenëve. Edhe në Wallis saracenët qysh herët paraqiten në skenë. Në vitin 940 është plaçkitur abacia Saint-Maurice në luginën Rhone. Flitet edhe për pushtimin e Gjenevës në perëndim dhe të Pontresinës afër St. Gallenit në lindje të Zvicrës.

Më pas, në shek. XVIII Zvicra përsëri na paraqitet në kontekst me Islamin, në të vërtetë me personalitetin e Johann Ludwig Burckhardt-it, i cili rrjedh nga një familje e vjetër dhe e njohur fisnike e Baselit dhe i cili në vitet 1809-1816 me emrin 'Shejh Ibrahim' dhe me porosi të Shoqatës Londinezo-Afrikane ndërmerr një ekspeditë kërkimore-shkencore në Siri, Arabi, Egjipt dhe Nubi.

Kah fundi i viteve 1940 në Zvicër vijnë turqit e parë. Këtu bëhet fjalë para së gjithash për elitën e atëhershme të cilët u shkolluan nëpër shkolla të larta të këtushme, pjesërisht me përkrahje shtetërore. Pas përfundimit të studimeve shumica prej tyre u kthyen përsëri në Turqi, shumë pak mbetën këtu.

Në fillim të viteve '60 deri kah mesi i të 70-tave ndodh ardhja e parë kryesisht e 'gastarbeiterëve' (punëtorëve mysafirë) turq, shqiptarë, boshnjakë, arabë etj., të cilët pasi i tërheqin me vete edhe familjet e tyre, vendosen në Zvicër për një kohë më të gjatë. Edhe pse shumica prej tyre në fillim planifikonin të qëndronin këtu vetëm 2-3 vjet, mirëpo tani në ndërkohë janë bërë, jo rrallë, edhe nga 30 vjet.

Me vendosjen e përkohshme të muslimanëve në Zvicër fillon edhe hapja e mesxhideve (faltoreve më të vogla se xhamitë) të para. Nuk dimë saktësisht se kur janë hapur mesxhidet e para, por ajo që e dimë me siguri, është fakti se turqit dhe mbase edhe arabët janë të parët që hapin faltoret e para islame në Zvicër, kurse aty kah vitet ’90 hapen edhe faltoret e para shqiptare. Shumica e këtyre mesxhideve janë hapur nëpër bodrume dhe vende të fshehura si magazina, stalla etj. dhe zakonisht larg qendrës së qytetit, diku në periferi. Tejet-tejet i vogël është numri i mesxhideve apo xhamive që janë hapur në ndonjë fshat, pra ato kryekëput ndodhen nëpër qytete. Si mesxhid i parë shqiptar në Zvicër është ai në Zürich, xhemati i të cilit fillimisht janë falur bashkë me muslimanët turq atje, e më pas shkëputen dhe krijojnë xhematin dhe mesxhidin e tyre shqiptar. Kjo ka ndodhur në vitin 1987. Si imam i parë në këtë xhami ka qenë Usame ef. Xhemaili, momentalisht i punësuar në Bibliotekën “Isa Beu” në Shkup.

Më pas vijojnë hapjet e mesxhideve të reja si në Wil, në Kreuzlingen, Romanshorn etj. me përpjekjet e imamëve Taxhedin ef. Misimi, Alivebi ef. Mediu, Sami ef. Misimi, Shaban ef. Sulejmani, Mustafë ef. Memeti, Nebi ef. Rexhepi etj.

Ndërkaq si xhami me minare në Zvicër ekzistojnë vetëm tri: Xhamia Mahmud (Mahmud Moschee) në Zürich, e hapur në vitin 1963 nga xhemati ahmedijj; Xhamia e Fondacionit Kulturor Islam (Mosquée et Fondation Culturelle Islamique) në Gjenevë e ndërtuar nga Mbretëria e Arabisë Saudite dhe e inauguruar në vitin 1978 si dhe Xhamia turke në Wangen bei Olten afër Bernës e hapur fillimisht si mesxhid e që në janarin e vitit 2009 t’i ngrihet edhe një minare e montuar. Vlen të theksohet se kërkimi i lejes për ndërtimin e kësaj minareje u mor si bazë për nisjen e diskutimeve të ashpra si dhe të një referendumi nga ana e partisë SVP (Schweizerische Volkspartei – Partia Popullore Zvicerane), çka rezultoi me ndalimin e tërësishëm me kushtetutë të minareve në Zvicër në referendumin e mbajtur më 29 nëntor 2009. Ekziston edhe një xhami e katërt me minare, por e cila mund të cilësohet më tepër si një minare simbolike sesa minare e vërtetë. Është fjala për xhaminë shqiptare në Winterthur dhe minaren e saj të inauguruar me leje të qytetit në vitin 2005.
 

Lexo tekstin e plotë në PDF.