Printo!
Kategoria: Islami në Zvicër
Lexuar: 430 herë

 

1.     Pikënisja dhe qëllimet

Komisioni Federal kundër Racizmit KFR (Die Eidgenössische Komission gegen Rassismus [EKR]) brenda mandatit të saj merret me çdo formë të diskriminimit racor, ku bën pjesë edhe kufizimi apo diskriminimi në bazë të fesë. Qëllimi i kësaj kumtese është përshkrimi dhe prezantimi i marrëdhënieve të komunitetit shumicë me pakicën muslimane në vendin tonë - marrëdhënie që në dy dekadat e fundit kanë pësuar mjaft ndryshime. Përmes analizës së debateve publike, përmes shpalosjes së mekanizmave përjashtuese dhe diskriminuese kundër muslimanëve si dhe përmes propozimeve e rekomandimeve për veprim, KFR-ja ka për qëllim stimulimin e mirëkuptimit të popullatës shumicë ndaj asaj pakicë. Me këtë rast nuk bëhet fjalë për dallimin ose theksimin e veçorive kulturore ose fetare të një grupi apo për shpalljen e një statusi të veçantë të tyre. Për më tepër, qëllimi është të arrihet një pranim në bashkëjetesën e përditshme, të definuar sipas “All different – all equal” (“të gjithë ndryshe-të gjithë njësoj”, kampanjës aktuale rinore të Këshillit të Evropës), trajtim i barabartë me respektimin e njëkohshëm të dallimeve.

Mendimi aktual i drejtohet shoqërisë civile zvicerane në përgjithësi, por në veçanti bartësve të vendimmarrjes dhe përfaqësuesve të politikës, anëtarëve të organeve publike dhe përfaqësuesve të ekzekutivit, medieve, përgjegjësve të integrimit, ndërmjetësve dhe këshilltarëve, inspektorëve të komiteteve ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, përfaqësuesve të kishave të vendit dhe bashkësive të tjera fetare. Tekefundit ky mendim duhet të shërbejë si një instrument mbrojtës për njerëzit me përkatësi fetare muslimane që jetojnë në vendin tonë, pavarësisht nëse janë ata ushtrues të këtij besimi ose jo. KFR-ja e vë veten në dispozicion si ndërmjetës për të gjitha kategoritë e banorëve të vendit, për t’i realizuar synimet e skicuara nga ana e saj lidhur me raportet e popullatës shumicë me pakicën muslimane.

 

1.1  Puna fillestare:

Studimi “Muslime in der Schweiz. Identitätsprofile, Erwartungen und Einstellungen” (“Muslimanët në Zvicër. Profile identitetesh, parashikime dhe qëndrime”) i publikuar nga Die Eidgenössische Ausländerkomission (EKA) (Komisioni Federal për të Huajt [KFH]) në tetor të vitit 2005, është bazuar në një anketë të zhvilluar me tridhjetë muslimane e muslimanë të zgjedhur si përfaqësues. Ai e skicon situatën e pakicës muslimane në Zvicër nga aspekti i procesit të integrimit. Të dyja publikimet – edhe ajo e KFH-së edhe kjo e KFR-së – e plotësojnë rekomandimin nr. 4 të Komisionit Evropian kundër Racizmit dhe Intolerancës (ECRI), i cili kërkon prej qeverive të bëjnë studimin dhe vëzhgimin e grupeve që mundësisht mund të bien pre e racizmit.

 

Lexoni artikullin e plotë në PDF.