Hamit Duran

 

MUSLIMANËT NË ZVICËR

 

Në referatin tim dëshiroj të raportoj mbi Islamin dhe muslimanët në Zvicër duke mos pretenduar se do të jem i plotë, nga arsyeja se njëherit do të përqëndrohem kryesisht në Zvicrën gjermanofone.

Dëshiroj të filloj me një pasqyrim të shkurtër të përmbajtjes së referatit tim. Atë, në thelb, e kam ndarë në katër pjesë. Do të filloj me një shkëputje të shkurtër historike, e cila do të na sjellë deri në ditët e sotme. Në pjesën e dytë do të hyj paksa më gjerësisht në format e organizimit të muslimanëve në Zvicër. Në pjesën në vazhdim do të merrem disi me praktikën e jetës islame në Zvicër: cilat janë problemet në sferën private dhe publike me të cilat ne muslimanët ballafaqohemi gjithnjë. Këtu nuk do të hyj fort në detaje. Përmbyllja paraqet kryesisht një vështrim të vogël mbi ardhmërinë e mundshme të muslimanëve në Zvicër.

 

1.     Historiku i Islamit dhe muslimanëve në Zvicër

Kush do të kishte menduar se Islami qysh para më se 1000 viteve është paraqitur për herë të parë në Zvicër? Këtë dëshiroj ta dëshmoj me disa shembuj të zgjedhur nga historia. Sa për fillim, diçka lidhur me termin 'saracen', i cili gjithnjë na del përpara në këtë kontekst. Kur bëhet fjalë për saracenët, burimisht nënkuptohet një popull që banonte në Arabinë veriperëndimore dhe në Gadishullin e Sinait. Në Mesjetë, me termin 'saracenë' përgjithësisht emërtoheshin pushtuesit arabë. Pastaj filloi të përdoret për të gjithë muslimanët, përfshirë edhe turqit.

Pikërisht me këta saracenë do të ndeshemi kur t'i hyjmë gjurmimit të historisë së zhvilluar në tokat zvicerane. Lidhur me këtë jo moti është botuar një libër që bart titullin Die Sarazenen durchqueren die Alpen (Saracenët i tejkalojnë Alpet) të autorit Jean-Pierre Sandoz. Disa nga faktet që unë do t'i theksoj në këtë kontekst, burojnë nga ky libër.

Në fillim duhet të përkujtojmë se kur bëhet fjalë për saracenët që e vizituan Zvicrën, në fakt duhet nënkuptuar maurët berberë, gjegjësisht muslimanët e Andaluzisë të cilët i përkisnin racës berbere të Afrikës Veriore. Për saracenët raportohet se ata para së gjithash kanë qenë vjedhës, plaçkitës e kusarë që i pritnin njerëzit në pusi. Që në vitin 936 të llogaritjes krishtere të kohës, pra aty kah viti 324 hixhri, sipas llogaritjes islame të kohës, raportohet për pushtimin e Bistumit të Kurit (Chur), me ç'rast duhet të jetë shkatërruar selia e ipeshkvisë dhe një pjesë e Graubindes të ketë rënë nën sundimin e saracenëve. Edhe në Wallis saracenët qysh herët paraqiten në skenë. Në vitin 940 është plaçkitur abacia Saint-Maurice në luginën Rhône.

 

Lexo artikullin e plotë në PDF.