Amira Hafner al-Jabaji
FILLIMET E NJË DIALOGU TË VËSHTIRË
Muslimanët e Zvicrës, të ndryshëm, të izoluar nga njëri-tjetri si dhe nga kultura nikoqire, ballafaqohen me shumë probleme nga fusha e gjuhës, shëndetit dhe adhurimit.
Islami është bashkësia fetare që së më së shpejti po rritet në Zvicër, mirëpo si rezultat i kufizimeve të ndryshme të vendit, më pak se 10 % e tyre kanë pasaporta zvicerane.
Unë do të doja të diskutoja rreth përshkrimit që Francis Piccand ia bëri larmisë kombëtare dhe kulturore të Islamit në Zvicër duke dhënë një pasqyrë të shkurtër të fazave të imigrimit të muslimanëve. Tufa e parë e imigrantëve, e cila kryesisht përbëhej nga djem e vasha me arsimim të lartë, që kishin mbërritur në vitet e vona 50 dhe në të 60-tat, me qëllim studimi apo hulumtimi, apo edhe për arsye profesionale. Shumica e këtyre muslimanëve ishte me origjinë nga Lindja e Mesme, duke përfshirë irakianë, sirianë dhe egjiptianë. Organizata e parë studentore e arabëve muslimanë, e njohur si 'Arabian', është themeluar në Zürich në vitin 1965. Një numër i këtyre imigrantëve më vonë janë kthyer në vendlindjet e tyre.
Vala e dytë dhe më e madhe e imigrantëve muslimanë në vitet '70 dhe '80 është
shkaktuar nga kërkesa e ekonomisë zvicerane për fuqi të lirë punëtore, sidomos në industrinë ndërtimore. Të njohur si 'Gastarbeiter' ose 'punëtorë mysafirë', këta imigrantë është pritur ta lëshojnë vendin pas një periudhe pune. Mirëpo shumica mbetën dhe u vendosën këtu, duke i ftuar edhe familjet e tyre t'u bashkëngjiten në Zvicër. Shumë prej tyre vinin nga Ballkani, sidomos nga Turqia dhe nga ish Jugosllavia, të cilët dukej se kishin arsimim të kufizuar.
Në vitet 1980 dhe përshkallëzisht deri më sot, imigrantët muslimanë në radhë të parë ishin refugjatë politikë ose refugjatë lufte që i braktisnin vendet e tyre për shkak të pasigurisë politike dhe konflikteve të shumta të dhunshme në botën islame: lufta ruso-afgane, lufta Iran-Irak, luftërat civile në Liban, Algjeri, Somali, Bosnjë e Hercegovinë, lufta kundër popullit kurd dhe, së fundi, lufta e Kosovës. Viteve të fundit kemi patur gjithashtu një numër në rritje të imigrantëve muslimanëve nga vendet afrikane. Shumica e imigrantëve muslimanë punojnë nëpër fabrika ose si zejtarë në industrinë e ndërtimit. Disa kanë hapur dyqane të vogla, supermarkete, bar-rostiçeri apo restorane të vogla ku mund t'i gjesh produktet dhe ushqimet nga vendet e tyre përkatëse.
Përkundër faktit se shumica dërmuese e muslimanëve të Zvicrës janë migrantë, unë nuk besoj se duhet quajtur migrantë në përgjithësi pa pranuar se këtu ekziston tanimë gjenerata e dytë, e tretë dhe dukshëm e katërta. Të veprosh kështu, do të thotë ta riforcosh përfytyrimin publik të një kontradikte të pazgjidhshme ndërmjet të jesh musliman dhe të jesh evropian, ose të jesh zviceran. Kjo gjithashtu tregon dështimin e pranimit dhe respektimit të Islamit si një fe që ka të njëjtën vlerë sikurse Krishterimi dhe Judaizmi, në kuptimin e një besimi praktik universal. Emërtimi i të gjithë muslimanëve të socializuar në shoqërinë zvicerane si 'migrantë', e forcon një identitet kulturor të papërshtatshëm për ta.
Lexoni këtu artikullin e plotë në PDF.