Rejhan Neziri
 

 

Një përsiatje lidhur me rastin e aktit terrorist në Paris

 
Rasti i vrasjes makabre të gazetarëve dhe dy policëve, njëri prej të cilëve musliman, nga ana e dy vëllezërve muslimanë me origjinë algjeriane, na ka tronditur të gjithëve, në veçanti neve muslimanëve, pasi kryerësit e kësaj vepre djallëzore janë muslimanë dhe janë thirrur se aktin e shëmtuar e kanë kryer në shenjë hakmarrjeje ndaj karikaturave denigruese të Muhammedit a.s. nga ana e gazetës satirike Charlie Hebdo. Kjo i vjen që këtë akt ata e kanë kryer në emër të Islamit. Me çka ata jo që i kanë bërë nderë Islamit dhe muslimanëve, porse i kanë tradhtuar keq ata. Tallja dhe fyerja e Muhammedit a.s. nga revista në fjalë assesi nuk e arsyeton vrasjen e tyre. Këtë s’e toleron Kur’ani, këtë s’e ka toleruar as edhe vetë Muhammedi a.s. sa ishte gjallë. Është i njohur rasti kur politeistët e Mekkes në mënyrë tallëse e thirrnin atë me emrin ‘Mudhemmem’, që nënkuptonte ‘i qortuar’, ‘i përbuzur’. Në reagimin e shokëve të tij ndaj kësaj situate, ai u tha: ‘Ata po tallen me një person që quhet Mudhemmem, ndërkaq unë quhem Muhammed’ (Buhariu).
Vrasjen e një njeriu të pafajshëm Kur’ani e barazon me vrasjen e mbarë njerëzimit. Një njeri që është i gatshëm të vrasë një njeri të pafajshëm, ai është i gatshëm të vrasë edhe të dytin, edhe të tretin e kështu me radhë deri në shfarosjen e mbarë njerëzimit.
Së këndejmi, sa herë që ndodh ndonjë sulm terrorist mbi ndonjë institucion a mbi ndonjë personalitet perëndimor, të kryer nga ana e ndonjë terroristi me origjinë muslimane, ne muslimanët që jetojmë në Perëndim, mbase edhe muslimanët e tjerë, mbetemi në pozicionin ta dënojmë atë me ashpërsinë më të madhe. Zëshëm pritet prej nesh që të distancohemi nga ai akt. Detyrohemi të deklarohemi se kjo s’ka të bëjë fare me Islamin. Detyrohemi të themi kush nuk jemi, në vend që të deklarohemi se kush jemi. Detyrohemi të deklarohemi se çka nuk është Islami, duke mos na lënë hapësirë të besueshme për të deklaruar se ç’është në të vërtetë Islami. Gjithsesi, distancimi dhe shprehja e mospajtimit me të keqen, nga kushdo që të jetë kryer ajo, si dhe shprehja e ngushëllimit për familjarët dhe të afërmit e atyre që kanë pësuar është më se e nevojshme, thjesht nga aspekti i të qenit njeri dhe nga aspekti i vlerave që na mëson feja jonë paqësore, që të mos pajtohemi me të keqen dhe ta gjykojmë atë. Mirëpo, a mjafton vetëm kaq? Mjafton vetëm të deklarohemi se kjo s’ka të bëjë me Islamin, se kjo nuk është metoda e veprimit islam? Po pyes akoma më thjeshtë: A zgjidhet problemi i terrorizmit dhe e keqja në përgjithësi vetëm nëse ne muslimanët distancohemi prej tyre? Zgjidhet problemi vetëm nëse ne muslimanët shumicë e paqësorë e bëjmë të qartë pozicionin tonë ndaj së keqes dhe ndaj “muslimanëve” të këqij? Zgjidhet problemi vetëm duke thënë se ne nuk jemi prej tyre? Vetëm duke u pozicionuar në “ne” të mirët dhe “ata” të këqijtë?
Gjithsesi se problemi mbetet aty qoftë që ne edhe qindra herë në ditë të deklarohemi se s’jemi si ata, qoftë ta bëjmë edhe ritual fetar distancimin dhe pozicionimin kundrejt së keqes dhe të këqijve, problemi mbetet sërish aty. Kjo nga arsyeja sepse nuk i jemi rrekur burimit të së keqes. Nuk i identifikojmë faktorët që e shkaktojnë të keqen dhe në këtë rast terrorizmin, nga njëra anë dhe si duket nuk e kuptojmë nëse dikush dëshiron ose jo që kjo e keqe të marrë fund, nga ana tjetër. Merremi me trajtimin kozmetik të pasojës së problemit dhe jo me trajtimin serioz e të njëmendtë të shkakut.  
Sa irrituese është të mbetesh në pozitën të distancohesh nga diçka që nuk të takon ty drejtpërdrejtë? Sa nënçmuese është të mbetesh i detyruar të thuash se nuk pajtohesh me të keqen e tjetrit?
Me këtë rast unë nuk e kam harruar porosinë kur’anore se duhet të urdhërojmë e këshillojmë në kryerjen e punëve të mira dhe largimin nga të këqijat, cilat do qofshin ato. Nuk e kam harruar as porosinë e Muhammedit a.s. që të keqen ta evitojmë me dorë, nëse nuk mundemi ta bëjmë këtë atëherë me gojë – duke folur dhe duke e gjykuar atë, pra së paku edhe duke u distancuar prej saj, nëse nuk mundemi as këtë atëherë ta gjykojmë me zemër, dhe kjo është shkalla më e ulët e besimit tonë. Mirëpo qëllimisht po e trajtoj këtë temë sipas stilit të këtushëm, ku mëtohet të shenjtërohet individualja dhe zhvillimi i jetës subjektiviste.
Pra, sa nënçmuese është të thuash se nuk ka të bëjë me mua dhe me fenë time në rastin kur fqinji im ka vjedhur ose ka vrarë ose ka bërë ndonjë dëm tjetër? Kush mund të kërkojë nga unë të distancohem nga fqinji im i keq? Pse të lidhet e keqja e tij me mospajtimin tim ndaj asaj çfarë ka bërë ai? Çfarë lidhshmërie është kjo? Po, këtu gjithsesi se ekziston një lidhshmëri, mirëpo jo reale e imja ndaj krimit të fqinjit tim, porse në kokën e atij që kërkon distancimin tim. Ai në kokën e tij ka krijuar një lidhje midis meje dhe krimit të fqinjit tim edhe pse ky në asnjëfarë forme nuk është problemi im. Kjo është kështu nëse fqinji im është po ashtu musliman apo shqiptar. Kjo mund të vazhdojë edhe më tej kështu nëse fqinji im nuk është as musliman e as shqiptar, por është të themi serb ose kroat, sepse ne i takojmë një regjioni dhe kemi, sipas tyre, tipare të përbashkëta në mos të njëjta. Mirëpo, situata ndryshon nëse fqinji im do të ishte zviceran apo i krishterë apo të dyja. Pikërisht këtu lind pyetja, nëse unë do të kërkoja, ose nëse do të kisha guximin të kërkoja, nga një zviceran i krishterë të distancohet nga krimi i fqinjit tim zviceran dhe i krishterë. Në të dyja rastet, kjo kërkesë për distancim reflekton paragjykimin, në veçanti të ashtuquajturin paragjykim modern, me ç’rast njerëzit hiqen sikur nuk kanë mendim negativ ndaj një grupi njerëzish, porse në fakt paragjykimi në dimensionin emocional të tij mbetet akoma i gjallë, për dallim nga ai kognitif që mund të jetë tejkaluar. Pavarësisht se shkaqet e krijimit të paragjykimeve janë sociale, emocionale ose kognitive, me rëndësi është se ato formohen dhe kultivohen me anë të të mësuarit social. Fëmijët në fillim të jetës së tyre nuk kanë paragjykime, mirëpo i fitojnë ato më vonë, në sajë të prindërve, fqinjëve, moshatarëve, shkollës, politikës, medieve etj. Paragjykimi ka dy komponentë: qëndrimin dhe bindjen, dhe ai reflektohet më tej sipas shkallës së intensitetit të tij në nënçmim, përjashtim, diskriminim, dhunë fizike, zhdukje (Gordon Allport). Prandaj edhe përcillet nga Albert Einsteini (Ajnshtajni) të ketë thënë: “Më lehtë është ta ndash/copëtosh një atom sesa një paragjykim”.
Prej veçorive më të dallueshme të paragjykimeve është se ato krijohen përmes përgjithësimeve apo gjeneralizimeve, që nënkupton krijimin e një gjykimi a mendimi për një grup duke u mbështetur në sjelljet e caktuara të një personi i cili për arsye të ndryshme i takon atij grupi, pra një tipar të një personi a të një grupi të vogël e shtrinë në tërë grupin ose në tërë bashkësinë a shoqërinë. Një veçori tjetër e paragjykimeve është se ato mbështeten në një të gjykuar të shpejtë e të pabazuar mirë, të pa reflektuar mirë. Pastaj, paragjykimet përcillen më tej sikur të ishin normale, të vetëkuptueshme, bindëse, të justifikueshme. Paragjykimet në vete ngërthejnë, direkt ose indirekt, edhe vlerësimin dhe kategorizimin e njerëzve apo të grupeve, kryesisht në të “tanët të mirët” dhe “të huajt të këqijtë”. Prej pasojave të paragjykimeve më të dukshmet janë ato që vërehen te ata që paragjykohen. Ata vuajnë nga dëme apo dezavantazhe të shumta, në veçanti në qoftë se janë pakicë. Krahas pasojave të armiqësisë, përjashtimit, diskriminimit etj. ata vuajnë edhe nga frika që të mos përputhen e të mos përfshihen përnjëmend nga paragjykimi që i bëhet grupit të tyre. Në këtë moment këta priren madje edhe të identifikohen me paragjykuesit vetëm e vetëm t’i ikin paragjykimit dhe stigmatizimit. Kjo është dëftuar edhe me shembullin kur një fëmijë afro-amerikan më me dëshirë loz me një kukull të bardhë sesa me një të zezë ose kur studentet e vlerësojnë më mirë një artikull ose një libër kur mësojnë se autori i tyre është një mashkull.
Duke i marrë parasysh këto fakte, besoj se mund të shpjegohen shumë debate që zhvillohen sot, ose më mirë të them diskurse që përdoren, midis perëndimorëve dhe muslimanëve. Të kërkosh, jo t’i lutesh, nga dikush të bëjë diçka, në rend të parë do të thotë të mos e shikosh atë sy më sy, të mos e trajtosh të barabartë, ta shikosh atë nga lartë. Qysh këtu edhe nis të reflektohet epërsia që ia përshkruan vetes paragjykuesi, pse jo edhe gjykuesi, në krahasim me atë të cilit i kërkon të bëjë diçka. Qysh në fillim të këtij debati vërehet mungesa e korrektësisë, e barazisë, e ndershmërisë dhe e seriozitetit. Vërehet se palët që duhet të diskutojnë, nëse këtë e dëshirojnë të dyja, nuk janë të barabarta. Prandaj, qysh te kjo pikë duhet qartësuar pozicionet: kush me kë në çfarë niveli flet? Çdo hap i mëtejmë, pa u sqaruar dhe korrigjuar ky pozicion, do të jetë i pafrytshëm, madje edhe fatal, pasi do të krijojë çarjen e mëtejme në shoqëri.
Në rastin tonë, ata që kërkojnë prej nesh distancim nga të këqijtë me origjinë muslimane, automatikisht paragjykojnë lidhshmërinë tonë me ta. Nëse nuk distancohemi prej tyre atëherë ata, “të mirët” e “të drejtët” që e shohin veten të shkelur, të dëmtuar ose të flijuar, do të gjykojnë se ne i përkrahim apo i mbështesim të këqijtë. Shkalla tjetër e këtij paragjykimi të tyre mund të shkojë edhe deri aty sa të mendojnë se ne edhe mund t’i kemi mësuar, trajnuar e pajisur me zotësi fizike, morale e shpirtërore “djemtë e këqij”.
Shumë domethënëse në këtë pikë, me rastin e sulmeve në Paris, ishte, si të them, klithma e një myftiu boshnjak i cili thoshte: "Absolutisht nuk distancohem! Assesi nuk dua ta dënoj terrorizmin! Ç’më intereson mua terrorizmi? Ç’lidhje ka ai me ne? Unë pres kërkim faljeje nga mediet perëndimore për shkak se e lidhin Islamin me terrorizmin. Ky është ofendim. Nuk ekziston ‘terrorizmi islamik’. Nuk e pranoj këtë njollë për Islamin. As nuk më shkon mendja të kompleksohem për t’u arsyetuar. Me të le të merren ata që e shkaktojnë terrorizmin."
Po pra, pse ta ndiejmë veten inferior apo të involvuar në një punë që s’na takon neve? Pse ta ndiejmë veten bashkëfajtor për bëmat e njerëzve që meritojnë të quhen barbarë, terroristë e çfarë mos? Vetëm pse dikush ata i quan ‘terroristë islamikë’? Vetëm pse dikush me vetëdije e lidh Islamin me terrorizmin dhe ekstremizmin? Vetëm pse mjeranët mund të kenë bërtitur ‘Allahu ekber!’ ose ‘Ne e marrim hakun e profetit Muhamed për karikaturat’!?  Sikur të jetë kjo arsyeja, atëherë ne kemi shumë arsye që të gjithë perëndimorët t’i quajmë vrasës e masakrues për bëmat e kryqtarëve, të Hitlerit, Musolinit, kolonialistëve me në krye francezët, Breivikut etj. Jo, neve kurrë nuk na ka shkuar ndërmend të bëjmë një barazim të këtillë dhe kurrë nuk kemi kërkuar që perëndimorët të distancohen nga këto bëma vetëm pse janë kryer nga bashkëfetarët dhe bashkë-evropianët e tyre. Ne nuk kemi kërkuar që Breivikun ta shpallin krishtist ose krishterist vetëm pse bëmat e tij, për çka vetë u prononcua se, i ka bërë për ta mbrojtur tokën dhe vlerat e krishtera. Ne nuk ngutemi të themi që PEGIDA është Gjermania vetëm pse ata thonë që ‘ne jemi populli’. Ne nuk bëjmë përgjithësime të këtilla.
Përmes kësaj që e thash, assesi nuk dua ta arsyetoj aktin terrorist të këtij apo atij, vetëm kërkoj të vë në dukje mungesën e ndershmërisë me rastin e emërtimit sendeve, në veçanti të të këqijave. Përderisa vrasja e dymbëdhjetë personave në Paris shkakton tërbimin e mbarë botës, vrasja e mbi njëqind muslimanëve në të njëjtën ditë në vatrat e krizës shumëdekadëshe të botës islame nuk dëgjohet fare dhe nuk e shqetëson njeri. Ky është një standard i dyfishtë i matjes së vlerës së jetëve. Përderisa kultivohet ky standard, askush nuk ka të drejtë të kërkojë zbatimin e ndonjë standardi tjetër ‘më të drejtë’ a ‘më moral’.
Për t’u ikur dhe për t’i evituar paragjykimet, duhet të ndiqet e njëjta rrugë që e mundëson krijimin, formimin dhe kultivimin e tyre. Pra, nëse paragjykimet krijohen dhe formohen përmes familjes, fqinjëve, moshatarëve, shkollës, politikës, medieve etj., ato edhe duhet ta bëjnë shembjen dhe rrënimin e tyre. Para së gjithash nevojitet një zhvillim i shëndoshë i personalitetit njerëzor, që kushtëzohet me një edukim dhe arsimim të përshtatshëm, objektiv, racional dhe para së gjithash filantropik. Një arsimim që mbështetet në dashurinë dhe jo në hasmërinë njerëzore, një arsimim që e çmon dinjitetin dhe vlerën e njeriut, pra të tjetrit, të atij që nuk është sikurse unë, mu ashtu siç shprehet poeti musliman Junus Emre: “E dua krijesën për shkak të dashurisë që kam ndaj Krijuesit”. Ndërkaq kjo shkallë e përkryerjes personale nuk është e lehtë të arrihet sa është e lehtë të thuhet, të citohet e të recitohet.
Pas këtyre ngjarjeve zakonisht rrymat që ushqehen me ekstremizëm, e shfrytëzojnë momentin të fitojnë edhe pak më shumë terren në popull. Andaj nuk do të reshtin me fyerje, ofendime, djegie xhamish e lokalesh të muslimanëve, me sulme fizike ndaj muslimanëve që për nga pamja duken se janë ndryshe, e në veçanti me sulme ndaj grave muslimane me shami e me mbulesë islame. Këto provokime mund të vijnë në shprehje në shkollë, në universitet, në vendin e punës, në shitore dhe gjetiu. Këtu kërkohet vigjilencë nga ana e muslimanëve që assesi të mos provokojnë dhe të mos lejojnë të bien në kurthet e provokimeve të të tjerëve. Në veçanti u bëjmë thirrje më të rinjve, te të cilët më shpejt vjen në shprehje ndezja e gjakrave dhe e rritjes së tensionit, që ta ruajnë gjakftohtësinë e me këtë edhe aftësinë për të reaguar në mënyrë njerëzore dhe para së gjithash islame. Mos të lejojnë që arsyeja dhe racioja të bjerë nën (pa)kontrollin e ndjenjave dhe të euforisë. Ata duhet të gjejnë guximin që provokimeve, të cilave nuk mund t’u ikin, t’u përgjigjen me maturinë dhe zgjuarsinë e nevojshme për t’i vënë në pah mësimet dhe vlerat e mirëfillta islame. Të mos lejojnë që të gjithë muslimanët t’i fusin në një thes dhe të mos lejojnë që Islamin ta identifikojnë me cilëndo formë të ekstremizmit dhe terrorizmit, thjesht nga arsyeja se ekstremizmi dhe terrorizmi nuk njohin gjuhë, kombësi e fe. Ky është një rast i mirë për këtë, sepse vetëm tani u jepet mundësia të flasin hapur për çështjet që provokuesit po edhe të tjerët e heshtur i mbajnë në vetvete. Me këtë rast, siç thamë edhe më lart, të mos flitet vetëm çka s’është Islami, por për më tepër se çfarë në të vërtetë është ai dhe çfarë na mëson ai. Një ndër temat që duhet të diskutohet me këtë rast është edhe kufiri i lirisë së shprehjes që sikur është shndërruar në tabu apo mit, edhe pse pikërisht këta janë ata që e luftojnë tabunë, mitin, të shenjtën, të paprekshmen. Po pra, nga njëra anë ata shprehen se nuk ka gjë që nuk guxon të preket, se nuk ekzistojnë të paprekshmet, nga ana tjetër nuk lejojnë t’ua prekësh talljen.