TË JESH MUSLIMAN EVROPIAN
Një studim i burimeve islame në kontekstin evropian

Tariq Ramadan

Përkthimi i veprës:

To be a European Muslim
A Study of Islamic Sources in the European Context

Nga anglishtja: Mr. Rejhan Neziri

 

Hyrje


Sot ekziston një presion i fuqishëm mbi muslimanët që jetojnë në vendet evropiane. Vala e imigrimit, që ka filluar pas Luftës së Dytë Botërore, i solli në Evropë burrat e parë muslimanë, pastaj gratë e tyre dhe mbarë familjen. Pesëdhjetë vjet më vonë, numri i muslimanëve që jetojnë në vendet e Evropës Perëndimore sillet te 15 milionë, në mos më shumë. Vetëm përmendja e kësaj pamjeje duhet të na kënaqë: prania e muslimanëve në Evropë është me rëndësi të veçantë dhe në çdo shtet ne mund të gjejmë një bashkësi (muslimane), që pak a shumë është e strukturuar. Ky është një fakt, i ri si i tillë, për të cilin shpesh vetë muslimanët nuk janë të vetëdijshëm. Natyrisht ata e kthejnë shikimin e tyre drejt një realiteti tjetër, një realiteti që është më pranë jetës së tyre të përditshme, ku ata ndeshen me vështirësinë e praktikës së zakonshme, respektimit të vërtetë të rregullave të Islamit, ngarkesës së të qenit pjesë e një pakice shpesh të etiketuar si e huaj, e ndryshme, nëse jo edhe barbare, fundamentaliste ose fanatike. Madje edhe nëse ata ecin më tej përkundër këtij presioni permanent, situata megjithatë ndikon në mendimet dhe veprimet e tyre: një qëndrim reaktiv ngjethet në ndërgjegjet e tyre dhe, për ta mbrojtur vetveten nga një mjedis jo-islam, ata finalisht e determinojnë identitetin e tyre në kundërshtim me atë që ai nuk është. Përndryshe, ngandonjëherë ata ose e harrojnë origjinën dhe fenë e tyre ose mundohen ta shlyejnë veçantinë e tyre me qëllim të fshehjes në shoqëri dhe, kështu, të bëhen sa më shumë të padukshëm që të jetë e mundur, të bëhen një prej tyre, një evropian autentik.

Sido që të jetë, në të dyja rastet vërehet se muslimanët nuk e përkufizojnë identitetin e tyre islam vetë, nga brenda, ashtu siç është ai per se. Kjo është e vërtetë jo vetëm për ata që kanë qëndrime ekstremiste, por po ashtu edhe për shumicën dërmuese të muslimanëve të cilët janë ndeshur me vështirësi edhe në vetë deklarimin se kush dhe çka janë ata. Pse kjo të jetë kështu? A ka ndonjë vështirësi të qenësishme në përkufizimin se çka është muslimani vis-à-vis qytetërimit perëndimor? A është kjo rezultat i kontekstit të ri evropian? Mos përvoja e të qenit pakicë dhe kalimi i jetës si i tillë ka zhvilluar një lloj sindromi brenda mendjes muslimane-evropiane që i pengon muslimanët ta shikojnë vetveten ndryshe përpos se përmes pasqyrës së një bote të refuzuar? Secila prej këtyre supozimeve bart nga një pjesë të së vërtetës. Pavarësisht nga kjo, megjithatë, do të duket se ne mund të gjejmë një shkak më global për këtë lloj qëndrimi.

Ne nuk duhet të harrojmë se në historinë islame natyra e pranisë sonë të sotme në Perëndim është e një lloji të ri. Ne sigurisht që gjatë historisë sonë kemi përjetuar faktin të jemi pakicë, mirëpo kjo nuk ka asgjë të bëjë me praninë që e shohim sot. Esencialisht, është konteksti ynë i ri evropian ai që na ngatërron faktet. Sot, mënyra perëndimore e jetesës nuk është vetëm një qëndrim specifik që ne e vëzhgojmë ose zbulojmë te një mashkull apo femër si një tipar partikular brenda sjelljes së tij ose saj. Është e qartë se kjo është shumë më e komplikuar dhe më e mprehtë: Qytetërimi perëndimor, me makinerinë e vlerave të tij, është i armatosur me asi mjete të fuqishme saqë e bën të vështirë për secilin që jeton në Evropë (1)ta përkufizojë se çfarë ai ose ajo është ose nuk është në të vërtetë. Mediet, kultura popullore, muzika, kinemaja dhe reklamat shërbejnë si një mjet për shpërndarjen e koncepteve mbi individin dhe shoqërinë, mbi lirinë dhe moralitetin, mbi argëtimin dhe detyrën. Pahetueshëm, këto koncepte kanë lëshuar rrënjë në zemrat dhe mendjet e individit, nëse edhe nuk e kanë nënshtruar atë plotësisht, dhe ia kanë bërë të vështirë të përcaktojë se çfarë në të vërtetë rrjedh prej tij, prej vullnetit të tij, dhe çfarë vjen si pasojë e kontributeve apo ndikimeve të jashtme. Muslimanët nuk janë të kursyer nga këto tensione. Për më tepër, kjo është bërë më e qartë nga prezenca e dy tendencave të kundërta: një kulturë fillestare dhe e ngushtë e detyrës dhe e shoqërisë në kontrast me një mjedis që promovon lirinë dhe autonominë, por e cila, në fakt, shfaq një atraksion natyror mbi njerëzit. E pra, kush jemi ne? Për ata që janë rritur në Evropë kjo pyetje bëhet gjithnjë e më komplekse. Kjo është një turmë e madhe të rinjsh që i takojnë gjeneratës së dytë, të tretë e të katërt. Kush do të përgjigjet? Kush do t’ua rikthejë atyre elementet dhe sensin për identitetin e tyre. Kush do ta rikonstruktojë atë ose, së paku, t’u japë atyre disa shenja që do t’u lejonte atyre ta gjenin, me vetëdije e lirshëm, rrugën e tyre personale?

Islami mund të prezantohet, dhe kjo ndodh shpesh brenda familjeve muslimane në Evropë, përmes një serie të tërë rregullash, urdhëresash ose ndalesash, vendime që e sqarojnë Islamin brenda kornizës së një lidhjeje specifike të mbrojtjes nga një mjedis që konsiderohet si shumë tolerant e madje edhe armiqësor. Kryesisht ky ka qenë qëndrimi i gjeneratës së parë, anëtarët e së cilës, me njohuri të dobëta rreth Islamit, së pari kanë tentuar ta mbrojnë vetveten nga humbja e traditës së tyre. Tradita për ta, në fakt, ka nënkuptuar një ide të mjegullt, një përzierje të turbullt të elementeve të llojeve të ndryshme siç është tradita familjare ose lokale e importuar nga vendi i prejardhjes, me rregullat e parimet (dhe disa herë edhe besëtytnitë) e saj karakteristike, pa qenë e domosdoshme të lidhet me Islamin, por shpesh e ngatërruar me të, ose me një ide të qartë të asaj se çfarë është përmbajtja e identitetit të tyre.

Para se të jetë një mjet mbrojtjeje, Islami megjithëkëtë është një besim afirmativ i cili bart me vete një kuptim global mbi krijimin, jetën, vdekjen dhe njerëzimin. Ky kuptim është, ose duhet të jetë, burimi i rregullave të të menduarit dhe sjelljes islame dhe, në të njëjtën kohë, duhet të formësohet nga një lloj specifik i adhurimit i cili përfshinë sferën e adhurimit (ibadat) dhe, akoma më gjerë, mbarë fushën e punëve sociale (mu’amelat). Gjithandej nëpër Kur’an gjendet një lëvizje e vazhdueshme para – prapa, midis një vizioni global të universit dhe njerëzimit – i cili krijohet nga vetë esenca e besimit – dhe, për pasojë, implikimeve të këtij vizioni në praktikë me pesë namazet ditore, pagesës vjetore të zekatit, agjërimit të Ramazanit dhe detyrës së involvimit të vazhdueshëm social. Këto të fundit të gjitha janë akte adhurimi dhe, sipas rendit, ato e riforcojnë, e konsolidojnë dhe e brumosin vetë besimin.

Me qëllim që njerëzit ta kuptojnë identitetin islam ne duhet ta sqarojmë këtë vizion global të asaj se çfarë është besimi islam – me fushëpamjen e tij specifike – dhe çfarë janë konsekuencat e drejtpërdrejta të tij mbi fushat e ndryshme të jetës njerëzore. Për më tepër, ne duhet t’ua sqarojmë njerëzve parimet bazë ashtu siç janë dhe mbi të gjitha t’i bëjmë ato të kuptueshme në dritën e kontekstit tonë të ri brenda shoqërisë evropiane. Ne besojmë se kjo është rruga që do të na mundësojë ne t’u mbetemi besnikë të dyjave: edhe mënyrës kur’anore të paraqitjes së lidhjes midis besimit dhe rregullave të veprimit edhe problemit të të qenit musliman në Evropë. Përpjekja për ta zgjidhur këtë problem nënkupton që ne ta prezantojmë fenë tonë përmes besimit që kemi ne universalitetin e tij por në një mënyrë relevante për kontekstin tonë: kjo do të ishte mënyra që u lejon muslimanëve ta kuptojnë pozitivisht praninë e tyre në Evropë.

Mungesa e dijes islame, shtuar disa rrethanave specifike si mërgimi shpesh i rëndë, ndenja e të qenit i huaj, problemet ekonomike etj., kanë krijuar një situatë të këtillë reaktive që po e vërejmë sot. Ky qëndrim natyrisht ka qenë i përhapur brenda gjeneratës së parë, mirëpo gjurmët e tij evidente hasen edhe sot ndër gjeneratat më të reja: vetë-pohimi, shpesh i lidhur me një harresë totale të origjinës, si dhe përpjekja për t’u mbetur besnik referencave islame është përkthyer, si në mendim ashtu edhe në veprim, me reaksion, refuzim, kundërshtim dhe herë-herë me agresion. (2)

Në pjesën e parë të këtij libri ne do të përpiqemi ta skicojmë kornizën globale të konceptit islam mbi Zotin, krijimin, adhurimin, moralin dhe punët sociale. Kjo do të na ndihmojë t’i kuptojmë burimet e Islamit nga të cilat, rrjedhimisht, janë marrë parimet e përgjithshme të bazave të jurisprudencës islame (usul el-fikh). Në seksionin e dytë të pjesës së parë të këtij libri do të trajtohen disa aspekte qenësore të rregullave të jurisprudencës islame me qëllim të sqarimit të disa koncepteve – shpesh të keqkuptuara – dhe të ofrimit të një kornize e cila do t’i mbështesë muslimanët në orvatjet e tyre për të trajtuar dhe zgjidhur çështjet e prekshme me të cilat ata ndeshen sot sidomos në vendet perëndimore. Në pjesën e dytë të librit ne do të diskutojmë disa çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me situatën tonë në Evropë: “ku jemi ne?” dhe “kush jemi ne?”. Kjo do të na sigurojë elementet e përgjigjes ndaj disa problemeve të koklavitura siç është rasti me definimin e nocioneve dar el-islam, dar el-harb ose dar el-‘ahd, dhe do të na japë një përkufizim të qartë të asaj se çfarë është identiteti i muslimanit. Një studim i këtillë është i domosdoshëm për t’i vënë gurët e parë për një koekzistencë te vërtetë.

Për t’u ballafaquar me problemet tona në Evropë është qenësore që ne ta kemi ndër mend vetë natyrën e burimeve islame, gjegjësisht t’i kuptojmë implikimet praktike të tyre. Ne duhet të pranojmë se feja jonë ka të gjitha parimet globale përmes të cilave ne mund të ballafaqohemi me problemet bashkëkohore dhe të gjejmë zgjidhje të përshtatshme për to. Parimisht, ne duhet t’i bëjmë hulumtimet tona të pajisur së paku me tri mjete: e para, një kuptim i qartë i referencave islame; e dyta, një vetëdije e thellë se ato duhen konsideruar si universale nga ana e besimtarëve dhe, përfundimisht, se çfarëdo një dështim sot për të gjetur përgjigje të përshtatshme varet nga negligjenca e vetë muslimanëve dhe se nuk ka të bëjë fare me Islamin, mësimet e të cilit, përkundrazi, vazhdimisht i nxisin të dyja: edhe hulumtimet e zbulimet shkencore edhe ato juridike.




(1) Përjashtuar disa fise e grupe etnike tradicionale, i këtillë është rasti edhe në Botën e Tretë për shkak të difuzionit të kulturës Perëndimore anekënd botës. Shiko analizën e këtij procesi te The Westernisation of the World (Serge Latouche, La Decouverte, Paris, 1990).

(2) Agresioni ndaj Perëndimit disa herë bëhet kriter me të cilin muslimanët e masin edhe përkatësinë e vërtetë të tyre ndaj Islamit po edhe të muslimanëve të tjerë. Thuajse është e mjaftueshme që Islami të definohet sipas asaj që s’është dhe, mbi të gjitha, përmes një qëndrimi konfliktual. Shikoni diskutimet tona të mëposhtme.

 

Kjo është vetëm pjesa hyrëse e këtij libri, i cili është përkthyer nga Dr. Ali Pajaziti dhe Mr. Rejhan Neziri dhe botuar nga Logos-A, Shkup.