Printo!
Kategoria: Islami në Perëndim
Lexuar: 650 herë

Dr. Tariq Ramadan



Në brigjet e transcendencës
Ndërmjet Zotit dhe njeriut



 

pjesën hyrëse të këtij libri ne konstatuam se për njerëzit e Perëndimit, Islami duket të jetë kundër çdo ideje të modernitetit. Pretendimet e këtilla ne i lexojmë në faqet e para të disa revistave amerikane, angleze e franceze kur ato rritjen e islamizmit e adresojnë me tituj të llojit Islami ose moderniteti dhe Islami ose demokracia. Kjo është kështu kur formulimet nuk janë më ekskluziviste ose dënuese. Sfondi i krejt kësaj që po vizatohet është shprehja e një lloj ballafaqimi apo kundërvënie midis Islamit dhe Perëndimit. Një ballafaqim me ç’rast këtij të fundit i atribuohet një cilësi pozitive, e cila përfaqëson parimin e hapjes dhe të respektit ndaj vlerave humane dhe demokratike. Nga ana tjetër, Islami duket të jetë i  damkosur nga arkaizmi dhe tradita, i drynosur në kategoritë e vjetra dogmatike, kërcënues për gratë, me një kod penal barbar (i reduktuar në termin Sheri’a) si dhe mohues i lirive njerëzore. Në prag të mileniumit të tretë të erës krishtere, termet e alternatives janë të qarta.

Kur ta shikosh gjendjen e shoqërive muslimane, është e pamundur që kritikat e drejtuara kundër nesh t’i fshish me një të goditur lapsi. Ato janë të mbështetura mirë kur dëshmojnë disa reflektime e sjellje të habitshme të cilat ne i justifikojmë në emër të Islamit. Ndër këto janë privilegjet e mbretërve dhe të presidentëve të shteteve muslimane, drejtësia e mbështetur në interesa, analfabetizmi i femrave bashkë me një varg diskriminimesh, secila më e dhimbshme se tjetra, tradicionalizmi i ngushtë i disa ulemave (dijetarëve islamë) të cilët vendosin dhe zgjidhin problemet larg çdo realiteti njerëzor në një absolutizëm që e merr vesh vetëm Zoti. Këto janë fakte dhe ne duhet t’i pranojmë e t’i kemi parasysh. Megjithëkëtë, ne duhet të pyesim nëse debati mbi Islamin është nisur në baza të qarta e të shëndosha metodologjike. Të trajtosh e të merresh vetëm me ngjarjet tronditëse ditore, ose edhe më gjerë, me situatën e shoqërive muslimane, për të konkluduar, në një formë përfundimtare, se Islami nuk mund t’u përgjigjet problemeve bashkëkohore është edhe e pasaktë edhe redukcioniste. Kjo i kufizon (redukton) studimet islame (islamologjinë) me shkencat shoqërore, kurse specialistët e këtyre të fundit i bën specialistë të Islamit bashkëkohor. Akoma më qartë, kjo është njësoj sikur të heqësh dorë nga një studim në thellësi  mbi bazat e Islamit (për të cilat ne shpesh nuk dimë gjë, por për të cilat ne flasim pa pasur gjë esenciale për të thënë), i cili studim pastaj do të na mundësonte të vlerësonim nëse vërtet ekziston një papajtueshmëri midis Islamit dhe pranimit të parimeve të modernitetit ashtu siç kuptohen në Perëndim. Megjithatë, një studim i këtillë është një mjet për ta kuptuar bollëkun dhe begatinë e ideve të cilat i mobilizojnë sot njerëzit në shoqëritë muslimane. Kjo nga arsyeja për të krijuar një shoqëri e cila mund të jetojë me kohën e saj si në rrafshin ekonomik e politik ashtu edhe në atë shoqëror e kulturor, pa mos i mohuar ose tradhtuar pikat e saj të referimit.

 

Nga anglishtja: Mr. Rejhan Neziri
 

Lexo artikullin e plotë në PDF.