Mr. Rejhan Neziri

 

ISLAMI DHE MUSLIMANËT NË PERËNDIM - HYRJE

 

Ç'është Evropa? Është ajo një entitet gjeografik, një përzierje e kulturës judo-krishtere apo prodhim i një feje sekulare? Ç'është identiteti i Evropës? Kush janë muslimanët e Evropës? Ç'identitet kanë ata? Ç'është dhe a mund të flitet për një "Islam evropian"?

Rëndësia e ndikimit dhe kontributit të Krishterizmit mbi kulturën e asaj që sot quhet Evropë, është e pamohueshme. Edhe Islami ka qenë një realitet i Evropës mbi 1000 vjet. Të trija traditat e besimit monoteist, të Judaizmit, të Krishterizmit dhe të Islamit, janë të huaja për sa i përket Evropës. Të trija këto fe burimin e kanë në Lindjen e Mesme dhe prapëseprapë kanë patur një ndikim të thellë mbi kulturën evropiane. Për shumë vite të tëra, Krishterizmi me përzierjen e tij ekzotike të traditës hebreje dhe me pretendimin e tij për të qenë universal, ka qenë feja e një pakice të margjinalizuar. Shën Pali kishte bindjen se johebrenjtë mund të bëheshin të krishterë pa mos qenë e nevojshme që një herë të bëheshin hebrenj, duke iu nënshtruar ritit të rrethprerjes (synetimit). Në fillim kjo bindje nuk gjeti përkrahjen edhe të liderëve të hershëm të krishterë, mirëpo më vonë kjo u pranua si një dogmë qendrore. Kjo i ndihmoi Krishterizmit të zhvillohej në një fe botërore. Përhapja e Krishterizmit gjithashtu u ndihmua edhe nga situata politike dhe kulturore e kohës. Perandoria romake, me Pax Romanën e saj, ishte një botë stabile ku dominonte gjuha dhe kultura greke. Krishterizmi u bë fe shtetërore e Perandorisë romake me konstituimin e Perandorisë bizantine. Përkundër lidhjeve të ngushta me Hebraizmin, Krishterizmi është zhvilluar në mënyrë të pavarur brenda botës greko-romake. Të krishterët, hebrenjtë i shohin si të ndryshëm por që kanë lidhje të ngushtë me ta, sepse ata i luten të njëjtit Zot, të cilin ata e quajnë "Zot dhe At i Jezu Krishtit", që është, sipas besimit krishter, i njëjti me "Zotin e Abrahamit, Isaacut dhe Jacobit" të hebrenjve.

Kur'ani shpesh e thekson faktin se mesazhi thelbësor i tij nuk është diçka e re dhe se marrëdhëniet e muslimanëve me ehli-kitabët (ndjekësit e shpalljeve më të hershme), në esencë janë të njëjta. Islami është e njëjta fe nga i njëjti Zot, Krijues i Ademit dhe Zot i Abrahamit, Isaacut dhe Jacobit. "Thuaj: Ne i kemi besuar All-llahut, edhe asaj që na u zbrit neve, edhe asaj që i është zbritur Ibrahimit, Ismailit, Is-hakut, Jakubit dhe pasardhësve. Edhe asaj që i është dhënë Musait dhe Isait, edhe asaj që i është zbritur të gjithë pejgamberëve nga Zoti i tyre. Ne nuk bëjmë kurrfarë dallimi në mes tyre dhe ne vetëm Atij i jemi dorëzuar"(Alu Imran: 84). Muslimanët, si burrat ashtu edhe gratë, e ndajnë të njëjtën detyrë jetësore: ta njohin Zotin, t'i shërbejnë Zotit dhe t'i plotësojnë urdhrat e Zotit. Gjithë kjo do të ndihmojë në sigurimin e barazisë, lirisë, drejtësisë, mëshirës dhe prosperitetit në tokë. Prezenca e muslimanëve ka qenë një faktor konstant në historinë evropiane qysh nga shek. VII e.r., pas paraqitjes së Islamit. Muslimanët kanë qenë tregtarë, ndaj edhe da'ij (misionarë) anëmbanë botës. Brenda disa dekadave nga vdekja e Muhammedit a.s. (632), ndjekësit e tij i tejkaluan kufijtë e Arabisë dhe u futën në Persi dhe Bizant, që ishin dy perandori të cilat e kishin ndarë më dysh Lindjen e Mesme dhe të cilat kishin futur nën kontrollin e tyre hapësira e territore të gjera. Në Evropë, muslimanët vijnë përmes Spanjës (711 e.r. / 94 h.) dhe Sicilisë (831 e.r. / 215 h.) dhe më vonë përmes Ballkanit (shek. XI e këtej). Qysh atëherë bashkësitë muslimane kanë jetuar në pjesë të ndryshme të Evropës. Kanë kaluar periudha të gjata të sundimit musliman në Spanjë (Andaluzi), Sicili dhe Ballkan, si dhe qendra të veçuara autonome të muslimanëve në Francë, Zvicër, Gjermani dhe Italinë Jugore.

 

Lexoni artikullin e plotë në PDF.