Printo!
Kategoria: Islami në Perëndim
Lexuar: 596 herë

Dr. Ismail Bardhi

 

 

IDENTITETI I NGATËRRUAR

 

 

“O ju njerëz, ne ju kemi krijuar juve prej një mashkulli dhe një femre dhe ju kemi bërë popuj e fise që ta njihni njëri-tjetrin. Më fisniku tek All-llahu është ai i cili më së shumti i ruhet Atij; All-llahu, me të vërtetë, është shumë i dijshëm dhe i informuar mirë.”

(Kur’ani, 49:13)

 

“Egoja njerëzore kurrë nuk është e ndarë, nuk ekziston ‘uni’ që nuk është pjesë e një ‘ne’.”

(Leach)

 

 

Në rishqyrtimin e sërishëm të marrëdhënies mes Lindjes dhe Perëndimit, që qëndron në majen e listës së çështjeve parësore në kontekstin e integrimeve bashkëkohore botërore dhe lëvizjeve globalizuese në të gjitha sferat kyçe të jetës në fillim të shekullit XXI, dimensioni i raportit të Islamit dhe Perëndimit është njëri nga horizontet kulmore pa të cilat rrjedhave të cekura integrative dhe lëvizjeve globalizuese, sidomos në truallin e Evropës së sotme, thjeshtë nuk mund tu shihet fundi. Raporti i Islamit dhe Perëndimit, ose kryqëzimi i tyre historik, sot sërish parashtrohet përkrah përkufizimit të hapësirës së re shpirtërore dhe, njëkohësisht, truallit të ri shpirtëror mbi të cilin do të rriten filizat e ri religjiozë dhe kulturorë të humanumit bashkëkohor evropian. Aq më tepër që raporti i cekur më nuk shihet vetëm në kuptimin e tij tradicional, respektivisht në kuptimin e kundërshtimit të dy botëkuptimeve të ndryshme dhe dy botërave të papajtueshme dhe armiqësore. Nuk bëhet më fjalë për raportin Unë si botë e vetme autentike dhe atë Tjetrën, botën e ndryshme dhe të “prishur” ndaj të cilës nuk vlen të ushqehen ndjenja të tjera pos atyre në të cilat orkestron urrejtja, neveria kulturore dhe mosdurimi dhe përjashtueshmëria religjioze.

Atëherë pra sa ka kuptim të flitet për identitetin tonë dhe kontroverzat e tij, kur edhe vendi ynë sot nga njëra anë është i kryqëzuar mes procesit botëror të globalizimit dhe integrimit dhe, nga ana tjetër, konfuzionit total në të dalluar it e asaj religjiozes nga ajo e politikës ditore? Çfarë do të thotë sot kujdesi për identitetin personal dhe kultivimi i tij në rrënjosjen e tij në indin dhe truallin e vet religjioz, kulturor, qytetërues dhe nacional-politik? Mesa kuptim ky afsh sot është i vlefshëm dhe i pagueshëm kur në realitet gjithnjë e më fuqishëm dhe më shpejtë janë në veprim vala globalizuese dhe integruese si procese të qëndrueshme dhe të paevitueshme planetare, e në të ardhmen e afërt mbase edhe ndërplanetare dhe ndërqytetëruese, me fuqinë e të cilave e a.q. kultura botërore, religjioziteti universal ose perenial dhe kodi transnacional qytetërues gjithnjë e më tepër rrjedhin dhe derdhen përtej gardheve, oborreve dhe avlive të ngushta lokale të të a.q. kulturë lokale, religjiozitetit partikular dhe veshjes provinciale qytetëruese?

A është e mundshme sot mbrojtja e identitetit personal dhe të nijansuar shumëdimensional përmes ngritjes së bedeneve fizike, mentale, ideologjike dhe nacionale dhe ndërtimit të kullave-roje personale dhe çatmave shtëpiake të të gjitha llojeve para vërsuljes së gjenit religjioz, kulturor dhe qytetërues të tjetrës dhe të ndryshmes, madje edhe nëse ajo vërsulje që në përdorimin shtëpiak politik interpretohet si vetëdije dhe frikë ideologjikisht e projektuar nga asimilimi dhe zhytja në tjetrën dhe të ndryshmen sot emërtohet në kuptim të fenomenit të pashkëputshëm global të akulturimit dhe inkulturimit? Teozofi dhe filozofi mistik musliman Suhrawardiu e pranoi dhe thellësisht besonte se vetëm me fuqinë e natyrshmërisë metafizike dhe ontologjike mund të ngritet fortesa në shkretëtirën e intimës personale, duke aluduar në gjenin e çdo shpirti individual, mundësisht të kultivuar njerëzor, nga i cili buron ndjenja primordiale e religjiozes dhe heshtja e perenialitetit të mbjellur në çdo segment të qenësisë njerëzore.

 

Lexoni artikullin e plotë në PDF.