Tarik Ramadan
IMIGRIMI, INTEGRIMI DHE POLITIKA E BASHKËPUNIMIT
- Muslimanët e Evropës i gjejnë vend vetvetes -
Përmbledhje
Imigrantët janë të mirëseardhur kur nevojitet puna e tyre, mirëpo refuzohen sapo të ndjehen pasojat e ndonjë krize ekonomike. Qoftë në Evropë (siç tregon rritja dhe zhvillimi i Frontit Nacional në Francë), qoftë në Azinë Juglindore (shih artikullin e Solomon Kane dhe Laurent Passicousset), ata shpejtë bëhen kuaj të belarave. Megjithëkëtë, ka shenja se jemi në rrugën drejt një integrimi të vërtetë të muslimanëve që jetojnë në Evropë. Për të qenë të sigurt në suksesin, duhet që qeveritë evropiane me vetëdije të plotë t'i hedhin poshtë parullat e së djathtës ekstreme, kurse populli t'i braktisë shikimet thjeshtëzuese ndaj Islamit.
Në Evropën e mesjetës, Islami i ka dhënë një kontribut të madh racionalizmit, sekularizmit dhe modernizmit të mendimit perëndimor. Megjithëkëtë, prania e tanishme e Islamit në Evropë është një dukuri e vonshme, që daton qysh para 60 apo 70 vitesh. Shikuar nga aspekti historik, kjo prani është shumë e vonshme. Minoriteteve të tjera nacionale dhe fetare (si çifutëve dhe të krishterëve ortodoksë, t'i përmendim vetëm dy grupe) u janë dashur shekuj të tërë diskutimi dhe konflikti para se t'i gjenin vend vetvetes dhe para se t'i fitonin të drejtat e tyre në vendet e porsazbuluara. A është e arsyeshme të pritet që problemet e muslimanëve të zgjidhen brenda kohës së një a dy gjeneratave? Për më tepër, valët e para të migrantëve muslimanë kanë qenë punëtorët nga Afrika Veriore, Turqia, India dhe Pakistani, të cilët përgjithësisht kanë qenë të varfër, të shtyrë në mërgim për shkaqe e nevoja ekonomike. Niveli i edukimit dhe pasiguria e statusit të tyre e kanë bërë të pamundur që ata të mendojnë në kontekst të një Islami evropian. Ka qenë arritja e gjeneratës së dytë e të tretë ajo që e ka ndryshuar mënyrën në të cilën këta mërgimtarë e kanë parë praninë e tyre në vendet pranuese. Kjo u bë e qartë në Francë, edhe pse në Britani mërgimtarët kanë treguar prirje për të mbetur brenda bashkësive të tyre, duke riprodhuar disa nga strukturat shoqërore të vendeve dhe regjioneve nga kishin ardhur. Faktori i tretë ka qenë ndikimi i ngjarjeve ndërkombëtare. Duke filluar me revolucionin iranian të vitit 1979, këto ngjarje kanë pasur një efekt marramendës në formën siç e kanë parë e kuptuar njerëzit Islamin në Evropë, çka ka shkaktuar perceptime dhe përfytyrime negative që janë përhapur pastaj gjithandej. Që nga afera Salman Rushdi e deri te teprimi i talibanëve, që nga dhuna e vrasjet në Lindjen e Mesme e deri te tmerret e përditshme në Algjeri, të gjitha këto kanë prodhuar një atmosferë frike e lemerie. Kjo është theksuar edhe më tej në kontekstin e krizave sociale që e përshkojnë Evropën si rezultat i papunësisë, margjinalizimit dhe dhunës urbane. Kjo është ajo çka e bën kaq të vështirë – disa do të thoshin të pamundur – diskutimin mbi praninë e Islamit në Evropë. Sidomos atëherë kur, nën presionin e krizave, kjo ngatërrohet me problemin e imigrimit. Vërtet mund të flitet për një lloj "Islamofobie", siç shihet në titullin e një studimi mjaft të rëndësishëm, të autorizuar nga Runnymede Trust në Britani më 1997. Imazhi i muslimanëve është djallëzuar, çka e pengon zhvillimin serioz të dinamikave që ndikojnë në bashkësitë e tyre në Evropë. Megjithëkëtë, gjenerata e dytë dhe e tretë kanë luajtur një rol determinues (përcaktues) në zhvillimin e të menduarit të njerëzve brenda bashkësive të ndryshme muslimane në Evropë, për arsye që në shikim të parë duken si kontradiktore me njëra-tjetrën.
Lexoni artikullin e plotë në PDF.