Muhammad Abdul Bari

 

MUSLIMANËT NË PERËNDIM: NDËRMJET GETOIZIMIT DHE ASIMILIMIT

 

Që nga momenti kur çelësat e Granadës islame iu dorëzuan Ferdinandit dhe bashkëshortes së tij, fati i muslimanëve u vulos për t’u bërë viktimë e shekujve që vinin, jo vetëm në Evropë por edhe gjetiu nëpër botë. Spanja u spastrua prej muslimanëve, kurse trashëgimia e tyre afro tetëqind vjeçare e historisë së civilizimit u çrrënjos me hakmarrje të thellë. Edhe pse turqit osmanlinj bënë një lëvizje përpara në Evropën Lindore dhe për disa shekuj me radhë mbetën fuqia e vetme ushtarake, prapëseprapë nuk mundën ta ndalnin spiralën e tatëpjetës së ummetit. Stagnimi i brendshëm lindi një epokë të nënshtrimit e të poshtërimit të muslimanëve nga ana e armiqve evropianë. Me humbjen e frymës islame, u lëkund edhe gjallëria e krijimtaria e muslimanëve. Ato u zëvendësuan nga dogma dhe pasiviteti. Pesëqind viteve të fundit muslimanët kanë zënë një vend të dorës së dytë në punët dhe planet e botës. Madje edhe pas pesë dekadash të dekolonizimit, bota muslimane është konsumuese e ekonomisë së tregut dhe e ideve hedoniste të Perëndimit. Bashkësia muslimane, me thesarin e Kur’anit në duar, po i afrohej fundit thuaja në të gjitha sferat.

Mbarë bota islame, përveç disa vendeve formalisht të pavarura, që i ishin nënshtruar kolonializmit evropian, si “bashkësia më e mirë” (Alu Imran, 3:110) ka përjetuar një metamorfozë të mrekullueshme. Sot në Perëndim, shumica e muslimanëve, përveç atyre të vatrës së nxehtë të Ballkanit, janë ‘imigrantë’ nga tokat ish-koloniale të Azisë e Afrikës. Efekti i hegjemonisë koloniale po fanitet gjithandej brenda ummetit islam, jo vetëm në formën e varësisë materiale e të disharmonisë së brendshme po edhe në servilizmin intelektual dhe shkurajimin psikologjik. Nga ana tjetër, shumë muslimanë po jetojnë me trauma të luftës, të dhunës, të varfërisë, të mosdurimit fisnor e sektar në vetë shtetet e tyre. Shumica e bashkësisë muslimane janë të çorientuar e të shkëputur nga e kaluara e bujshme dhe e ngulitur e tyre.

 

Lexoni artikullin e plotë në PDF.