Imami Rehan Neziri nga Kreuzlingeni. Foto nga Nana da Carno, TZ.


 

DEBATI MBI LËNDËN E NOTIT Rehan Neziri është imam në Bashkësinë Islame Shqiptare në Kreuzlingen. Ai angazhohet si këshilltar në shkollat e qytetit kur janë në pyetje çështjet rreth Islamit. Ai nuk shpreh mirëkuptim për refuzimin e lëndës së notit.
 

Thurgauer Zeitung, 12 janar 2017
 

 
Z. Neziri, a ndodhin shpesh mospajtime midis rregullave të shkollës dhe atyre të Kur’anit?
Në të vërtetë, jo. Shamia është një temë, mirëpo kjo në shkollat e Kreuzlingenit është e lejuar, për lëndën e notit mund të përdoren burkinit dhe në kampet e shkollës bëhet kujdes për ushqimin e nxënësve muslimanë (për bajram fëmijët muslimanë mund ta marrin të lirë dhe qe shtatë vite në shkollat e Kreuzlinge
nit jepet lënda fetare islame për nxënësit muslimanë të klasave të katërta, të pesta dhe të gjashta paralelisht me mësimin krishter që u ofrohet nxënësve të krishterë).
 
A është dashur shpesh që Ju si imam të thirreni si këshilltar ose si ndërmjetësues?
Jo edhe gjithaq. Gjatë gjithë 14 viteve sa jam imam këtu, gjithsej dy deri tri raste.
 
Për çfarë bëhej fjalë në këto raste?
Një herë bëhej fjalë për lëndën e notit dhe një herë tjetër për karnavalin e qytetit. Në rastin e dytë prindërit nuk donin që fëmija i tyre të bashkëvepronte në këtë festim me arsyetimin se kjo ishte një festë pagane. Unë u thash që kjo festë nuk është më fetare, porse në ditët tona kjo tanimë është një festë kulturore. Më pas prindërit u pajtuan që fëmija i tyre të merrte pjesë në karnaval.
 
Çka mendoni Ju për lëndën e notit?
Lënda e notit është pjesë e pandashme e mësimit të përgjithshëm. Pejgamberi Muhammed vetë i ka porositur qartë prindërit që fëmijëve të tyre t’ua mësojnë shkrimin, notin, kalërimin e kafshëve dhe gjuajtjen me shtizë e me hark.
 
Pse prapëseprapë ka probleme lidhur me lëndën e notit?
Kodi i veshjes në Islam bie ndesh me veshjet e notit. Mirëpo, fëmijët obligohen me respektimin e këtyre rregullave të veshjes në Islam vetëm nga mosha e pubertetit.
 
A bisedohet çështja e lëndës së notit në xhaminë tuaj?
Në fakt, jo. Unë vetëm një herë jam pyetur për këtë nga një baba. Ne e konsiderojmë lëndën e notit si diçka normale – ajo thjesht është pjesë e shkollimit.
 
Çfarë mendoni për qëndrimin e shkollës? A e kufizon ajo lirinë e fesë?
Jo. Përkundrazi, shkolla po bën shumë në këtë drejtim. Mësuesit dhe autoritetet shkollore mundohen që problemet t’i zgjidhin gjithnjë aty, në nivel lokal. Unë e vlerësoj gjithashtu shumë rolin e ndërmjetësit që ata ma besojnë mua.
 
Çfarë thoni për rastin aktual në Kreuzlingen, ku një baba e refuzon lëndën e notit?
Këta prindër nuk janë anëtarë të xhamisë sonë dhe mua ky rast po më mërzit shumë. Është absurde dhe e tmerrshme që këta njerëz nga njëra anë marrin ndihmë sociale dhe nga ana tjetër pretendojnë: “Nëse i respektoj ligjet e shkollës ose të Zvicrës, atëherë duhet të shkoj në xhehenem; e nëse i kundërshtoj ato, atëherë shkoj në xhenet”. Kjo deklaratë bie ndesh me Islamin dhe me mendjen e shëndoshë njerëzore. Mua më vjen shumë keq, që problemi nuk ka mundur të zgjidhet. (sba)
 

P.S.: Autoritetet shkollore të Kreuzlingenit kanë ngritur kallëzim penal kundër një prindi i cili për arsye fetare refuzon dërgimin e vajzës së tij tetë vjeçe në lëndën obligative të notit. Procesi i tij vazhdon.