„Bashkë jemi më të fortë“

 


 

Për Rehan Nezirin, imamin e Bashkësisë Islame-Shqiptare në Kreuzlingen, mësimi fetar islam në shkollat publike është një masë preventive shumë efikase kundër radikalizimit.

IDA SANDL
Tagblatt Online: 17 nëntor 2015
 

Z. Neziri, a e kanë përkeqësuar situatën e muslimanëve sulmet e përgjakshme në Paris?
Rehan Neziri:Për ne situata është shumë e rëndë. Ne jemi të shokuar dhe pa fjalë nga këto sulme. Për mua është shumë e tmerrshme, kur në emër të Zotit tim vriten njerëz të pafajshëm.

A keni pasur rastin tanimë të bisedoni në xhami rreth kësaj ngjarjeje?
Neziri:Lutja dhe predikimi i së premtes u bënë para se kjo të ndodhte. Të shtunën në mbrëmje patëm një ligjëratë. Aty kemi folur edhe për aktet terroriste në Paris. Ngushëllimet tona ua përcjellim të gjithë atyre që kanë humbur të afërmit e tyre.

Çfarë mund të bëni Ju si imam në një situatë të këtillë?
Neziri:Unë mund vetëm të përcjell atë çfarë Islami në të vërtetë është dhe dëshiron. Islami nuk është fe e terrorit. Të shtunën u shkrova nga një email kishave që gravitojnë në Tryezën e Rrumbullakët të Feve në Kreuzlingen. Atyre ua shpreha pikëllimin tim për këto sulme dhe i luta që këtë mesazh t’ua përcillnin edhe komuniteteve të tyre. 

Çfarë reaksioni pati për këtë mesazh?
Neziri:Më siguruan se ata dinë t’i dallojnë gjërat dhe se nuk do t’i përfshijnë të gjithë muslimanët në këtë faj. Kjo më gëzoi.

IS-i nuk ka ithtarë në bashkësinë Tuaj?
Neziri:Assesi. Gjithsecili ndjen neveri ndaj këtyre mizorive. IS-i te ne nuk gjen dot simpati. Mbi 120 dijetarë muslimanë nga mbarë bota i kanë shkruar një letër të hapur El-Baghdadit, udhëheqësit të shtetit të vetëshpallur të Zotit, si dhe luftëtarëve të IS-it. Kjo letër është e publikuar edhe në internet. (www.lettertobaghdadi.com- përkthyesi)

Çfarë përmban kjo letër?
Neziri:Aty ndër të tjera thuhet edhe që në Islam është e ndaluar të krishterët të dëmtohen në çfarëdo forme të mundshme, që në Islam është e ndaluar të vriten njerëz të pafajshëm, që në Islam është i ndaluar torturimi i njerëzve.

Në rajon ka disa xhami, në të cilat radikalizohen të rinjtë. Për shembull në Winterthur ose në Rorschach?
Neziri:Në Winterthur unë njoh dy xhami shqiptare, dhe kjo assesi nuk mund të ndodhë aty. Unë besoj se shumë rrallë njerëzit radikalizohen në xhami. Ai që radikalizohet nuk shkon në xhami dhe nuk bisedon me imamin. Sepse me këtë ai do t’i nënshtrohej diskutimit dhe të vërtetat e tij të vogla e të thjeshta do të viheshin në pikëpyetje.

Sipas kësaj, luftëtarët e IS-it ditkan shumë pak rreth fesë, në emër të së cilës ata vrasin?
Neziri:Në fakt ata nuk dinë kurrgjë rreth Islamit.

Çka mendoni, a rrezikohet Zvicra të bëhet cak i sulmeve terroriste?
Neziri:Me gjithë zemër shpresoj që një gjë e tillë të mos ndodhë. Po ashtu nuk besoj që Zvicra është edhe aq e rrezikuar. Kjo, ndër të tjera, falë edhe sistemit të mirë arsimor që ka. Të rinjtë këtu fitojnë shumë mundësi për të bërë diçka në jetë. Kjo është një mburojë e mirë kundër radikalizimit. Disa masa preventive nuk e arrijnë cakun e dëshiruar.  

Për cilat mendoni?
Neziri:Përpjekjet për t’i kategorizuar njerëzit sipas mjekrës ose pamjes së jashtme të tyre. Ka edhe shumë muslimanë të moderuar (të matur), që lëshojnë mjekrat.

Fjalën e keni për prospektin e policisë ndaj xhihadistëve[1]. Sipas Jush, çfarë do të ishte një preventivë e mirë?
Neziri:Mësimi fetar islam nëpër shkollat publike mendoj se është një preventivë shumë e mirë. Kështu siç e zhvillojmë ne në Kreuzlingen dhe në Wil, në bashkëpunim me drejtorët dhe autoritetet tjera të shkollave.

Përse?
Neziri:Nxënësit njoftohen me Islamin. Pastaj bëhet shumë e vështirë për ta të kthehen në imazhin e thjeshtëzuar të luftëtarëve të IS-it. Në Kreuzlingen mësimin islam nëpër shkolla e ndjekin afro 80 % e nxënësve muslimanë. Përmes kësaj ne i arrijmë edhe prindërit e tyre dhe mund të kemi ndikim pozitiv edhe tek ata.

Në kontekst me sulmet, çfarë Ju shkakton frikë më së shumti?
Neziri:Që shumë muslimanë do të diskriminohen në mënyrë të përgjithësuar. Prandaj është shumë me rëndësi që ne të bisedojmë me njëri-tjetrin.

Ku duhet të zhvillohen këto bisedime?
Neziri:Gjithandej. Kush ka pyetje, lirisht mund të vijë te ne në xhami. Në çdo kohë jemi të gatshëm për bisedë, nëse dikush është i hapur. Kjo për ne vërtet është shumë me rëndësi. Bashkë jemi më të fortë në luftën kundër terrorizmit.
 
Në shqip përktheu: R. Neziri


[1] Në tetor 2015 policia kantonale në Thurgau publikoi një prospekt që ua kishte dërguar institucioneve arsimore, shoqatave të të rinjve dhe autoriteteve të tjera, për t’i vetëdijesuar ndaj diktimit të hershëm të simptomave të simpatizantëve xhihadistë, ku kryesisht vinin në shprehje mjekra, pamja e jashtme, interesimi i atypëratyshëm për Islamin, izolimi nga shoqëria etj. (Përkthyesi)