Intervistë e kryetarit të Unionit të Imamëve Shqiptarë në Zvicër, Mr. Rejhan Neziri,
për portalin shqiptar në Zvicër Albinfo.ch, me rastin e themelimit të Unionit në fjalë
08 shkurt 2012
Albinfo.ch: Kjo nismë për unifikimin e komunitetit islam shqiptarë nëpërmjet Unionit, a mund të themi se është bërë për shkak se ka munguar një organizëm çati, ku do të përfaqësoheshin interesat e myslimanëve shqiptarë në Zvicër, apo mund të themi se myslimanët shqiptarë ishin të përçarë mes vete?
Rejhan Neziri: Që në fillim dëshiroj të theksoj se ky organizëm është Union i imamëve shqiptarë që jetojnë dhe veprojnë në Zvicër dhe nuk është Union i xhamive apo qendrave islame shqiptare këtu. Qëllimi i themelimit të këtij Unioni para së gjithash është konsolidimi i radhëve tona si imamë dhe krijimi i një platforme të përbashkët për veprim sa më efikas në kontekstin zviceran. Pra, ne në plan të parë jemi të fokusuar në veprimtarinë dhe funksionalitetin e udhëheqësve shpirtërorë, respektivisht të imamëve shqiptarë. Themelimi i Unionit është paraqitur si rrjedhojë e takimeve të rregullta mujore që ne si imamë i kemi realizuar në mënyrë joformale qe afro dy vjet. Andaj edhe u pa e rrugës që këto takime ta marrin formën që e kanë sot.
Albinfo.ch: A mendoni se Unioni është gjithëpërfshirës, dhe keni përkrahjen e të gjithëve në Zvicër, si është pritur një lajm i tillë, a ka ndonjë reagim qoftë i institucioneve zvicerane apo organizmave tjerë?
Rejhan Neziri: Pranë vetes kemi afro 30 imamë shqiptarë që thuajse rregullisht kanë marrë pjesë si në takimet tona të mëhershme, ashtu edhe me rastin e themelimit të Unionit. Sipas të dhënave që zotërojmë ne në Zvicër për momentin veprojnë diku rreth 35-
Albinfo.ch: Keni thënë se Unioni i Shqiptarëve nuk do ta tolerojë ekstremizmin e as fanatizmin , a është i theksuar ekstremizmi në Zvicër?
Rejhan Neziri: Në kohë e rrethana të caktuara theksohen ndjenjat ekstremiste të llojeve të ndryshme, si fetare, nacionale, kulturore etj. Ky është një realitet që nuk mund të fshihet kollaj, pa marrë parasysh intensitetin e këtij ekstremizmi dhe pa marrë parasysh faktorët që e stimulojnë atë në janë fiktivë apo realë. Ne e shohim si përgjegjësi tonën të merremi seriozisht me çdo lloj deklarate që do të nënkuptohej si nxitëse e ekstremizmit apo fanatizmit, në radhë të parë të ekstremizmit apo fanatizmit fetar islam, duke qenë se këtë jo që nuk e kërkon Islami prej nesh, porse e kundërshton prerazi.
Albinfo.ch: Kush ka folur në emër të myslimanëve shqiptarë në Zvicër, kush i ka përfaqësuar ata deri më tash, Këshilli qendror islamik zviceran (KQIZ), i udhëhequr nga i shumëpërfoluri Nicholas Blancho apo dikush tjetër?
Rejhan Neziri: Pjesa dërmuese e xhamive apo qendrave islame shqiptare, nëse jo të gjitha, janë të inkuadruara nëpër organizata të ndryshme rajonale islame si DIGO, VIOZ, VIOKL etj. si dhe në dy organizatat kulmore në nivel kombëtar FIDS dhe KIOS. Andaj ato akoma sot e kësaj dite e përcjellin zërin e tyre nëpërmjet këtyre organizatave, ku edhe përfaqësohen në nivele të ndryshme të strukturave të tyre. Nuk kam dëgjuar akoma që ndonjë xhami apo qendër islame shqiptare të jetë anëtare në Këshillin që e përmendni Ju.
Albinfo.ch: Si do ti qasni ideve të Nicholas Blancho, i cili ka paralajmëruar disa projekte, si një xhami në Bernë, një televizion islamik, a do ti përkrahë Unioni këto nisma të Blanchos?
Rejhan Neziri: Ne jemi të hapur ndaj të gjithë atyre që pajtohen me mënyrën tonë të veprimit dhe që kontribuojnë në realizimin e synimeve tona të shprehura edhe në dokumentin tonë juridik, pra në statut, të miratuar para dy javësh.
Albinfo.ch: Nëse jo, a do të thotë qe nuk do ta përkrahni as kundëriniciativën e paralajmëruar për lejimin e minareve në Zvicër?
Rejhan Neziri: Ne jemi të vetëdijshëm se me referendumin e minares nuk është ndaluar vetëm ndërtimi i minares si e tillë, porse është shembur besimi ndaj popullatës muslimane që jeton në Zvicër. Ky referendum nuk u fitua në saje të minareve të shumta, porse në saje të propagandës së gjithëmbarshme kundër Islamit dhe muslimanëve dhe pikërisht në saje të mbjelljes së frikës së pavend te popullata zvicerane kundër muslimanëve. Përderisa të jenë të gjalla e të freskëta këto frika, dyshime e paragjykime te popullata zvicerane dhe përderisa të ekzistojnë parti të caktuara politike dhe medie që ushqehen me ksenofobi e islamofobi, edhe sikur njëqind herë të mbahej ky referendum, do të kishte fituar. Së këndejmi, edhe kush e di sa referendume të tjera kundër kësaj ndalese që të mbahen, do të dështojnë. Andaj, është gjynah gjithë ato të holla të harxhohen për diçka që është e sigurt se do të dështojë. Ne e shohim të arsyeshme që të jemi të hapur e transparentë ndaj popullatës vendase dhe ta informojmë atë me gjakftohtësi e me durim për mësimet islame dhe për muslimanët, t’i shembim paragjykimet që mund të ekzistojnë në këtë kontekst dhe të kontribuojmë në rikthimin e besimit të ndërsjellë në mes feve, kulturave e qytetërimeve.
Albinfo.ch: Imamët shqiptarë keni thënë po ashtu se do të angazhohen fuqishëm për avancimin e dialogut ndërfetar dhe për këtë Unioni do t’i merr të gjitha masat e nevojshme për sigurimin dhe ruajtjen e paqes e të bashkëjetesës në shoqërinë zvicerane, a ka tolerancë fetare në Zvicër?
Rejhan Neziri: Sigurisht që po, përndryshe ne nuk do të ishim sot prezentë këtu. Falë tolerancës, mirëkuptimit dhe gatishmërisë për të bashkëjetuar, sot Zvicra është në një pozitë për t’u dalluar me shumësinë e gjuhëve, kulturave dhe feve. Pavarësisht tentimeve nga qarqe të caktuara për ta vënë në pikëpyetje këtë tolerancë, prapëseprapë është ruajtur dhe ruhet e kultivohet akoma edhe sot fryma e diversitetit fetar, kulturor e gjuhësor. Këtë e dëshmojnë takimet e ndërsjella që dita-
Albinfo.ch: Unioni i imamëve shqiptarë në Zvicër për synim do të ketë përcjelljen e mesazhit islam në Zvicër dhe jashtë saj sipas metodologjisë së shëndoshë islame, thuhet në njoftimin e Unionit. Po ashtu Unioni do të përhap njohuritë fetare islame dhe ofron lehtësime në rrugën e mësimit të Islamit, si do ta bëni këtë?
Rejhan Neziri: Ne si imamë të gjithë jemi të angazhuar nëpër xhamitë a qendrat tona islame, me ç’rast jemi në kontakt të vazhdueshëm si me popullatën myslimane ashtu edhe me atë jomyslimane. Përcjelljen e njohurive e bëjmë përmes predikimeve të rregullta në ditët e premte dhe të diela, përmes mësimit fetar për fëmijë e të rritur që e zhvillojmë nëpër qendrat tona, përmes takimeve familjare që i zhvillojmë me raste të ndryshme që kanë karakter fetar si synetimi, fejesa, martesa, vdekja etj., pastaj përmes vizitave të të sëmurëve dhe të burgosurve, përmes aktivizimit të faqeve të internetit etj. etj.
Albinfo.ch: Ju jeni zotuar se do të kontribuoni në zgjidhjen e problemeve të shumta të muslimanëve në rrafshin social, psikik, kulturor dhe fetar, cilat janë problemet që janë më specifike dhe janë të pranishme te komuniteti mysliman shqiptarë në Zvicër?
Rejhan Neziri: Problemet janë të llojllojshme, si individuale ashtu edhe kolektive, kulturore apo fetare. Vërehet mungesa e vetëdijes për arsimim dhe edukim adekuat të fëmijëve muslimanë, vërehen vështirësitë për punësim sipas rregullave të veshjes në Islam, sidomos për femrat myslimane me shami, pastaj mungesa e pjesëmarrjes aktive në jetën shoqërore, ekonomike dhe politike këtu nga ana e myslimanëve... Një ndër problemet që herë-
Albinfo.ch: Madje ju do të angazhoheni edhe për integrimin e muslimanëve në shoqërinë zvicerane dhe me këtë rast keni thënë se bartni qëndrimin e mesëm në interpretimin e Islamit, a mund të na jepni më shumë sqarime për këtë të fundit, pse të mesëm, çfarë interpretime ekzistojnë në Islam?
Rejhan Neziri: Duke qenë se jo vetëm në Islam porse edhe te fetë e tjera hasen më së paku dy forma të qasjes ndaj teksteve fetare, pra qasja literaliste, e fjalëpërfjalshme dhe ajo figurative, kontekstuale, ne parapëlqejmë që në çdo gjë, madje edhe në leximin dhe interpretimin e tekstit fetar, qoftë ky të jetë Kur’ani qoftë të jetë burimi i dytë, pra sunneti, të mos shkëputemi nga e mesmja, nga mesatarja, ngase pikërisht me këtë tipar edhe dallohet ummeti, apo bashkësia muslimane në botëkuptimin kur’anor. Kjo përmblidhet në fjalën kur’anore: “Ne ju bëmë juve bashkësi të së mesmes/ummeten veseta”.
Albinfo.ch: Keni marrë shumë detyra, a do të thotë se tash e tutje do të merreni edhe me organizimin e haxhit për myslimanët shqiptarë në Zvicër?
Rejhan Neziri: Ne si Union nuk do të merremi me organizimin e haxhit, ngase kjo nuk është ndër synimet tona që duhet ta realizojmë. Mirëpo ne do t’i mbështesim organizatorët e haxhit, pasi në fakt bëhet fjalë për haxhilerët e xhamive tona ku ne veprojmë si imamë. Andaj këta haxhilerë e meritojnë të kenë një udhëtim dhe qëndrim të përshtatshëm në vendet e shenjta islame dhe kryerjen e këtij ibadeti në mënyrë dinjitoze. Këtë mbështetje do ta bëjmë, nëse duhet, edhe përmes vërejtjeve apo sugjerimeve të nevojshme drejtuar organizatorëve të haxhit për pikat që konsiderojmë se mund të korrigjohen.
Intervistoi:
Sevdail TAHIRI