Islam do të thotë “të bësh paqe”

Kur’ani nga këndvështrimi i një imami


 

Për shumë të krishterë Kur’ani është i huaj. Mbizotëron një paqartësi lidhur me atë se çfarë përmban Kur’ani, si kuptohet ai nga muslimanët dhe çfarë kuptimi e rëndësie ka ai në jetën e tyre të përditshme. forumKirche bisedoi rreth këtyre temave me Rehan Nezirin, imam në Bashkësinë Islame-Shqiptare në Kreuzlingen.

forumKirche: Z. Neziri, çfarë rëndësie dhe kuptimi ka Kur’ani për muslimanët?

R. Neziri: Kur’ani është fjalë e Zotit, që i është shpallur profetit Muhammed nëpërmjet melekut Xhebrail. Profeti e ka pranuar këtë Shpallje në një periudhë prej 23 vjetësh, ua ka kumtuar të tjerëve dhe si i pari e ka komentuar dhe interpretuar atë. Kur’ani është një libër i shenjtë për ne muslimanët. Ne e kryejmë lutjen tonë rituale me ajete kur’anore. Kur’ani respektohet dhe mësohet në gjuhën arabe, në gjuhën në të cilën edhe është shpallur.

forumKirche: Si mund ta kuptojmë Kur’anin?

R. Neziri: Për ta kuptuar Islamin nuk mjafton ta lexosh vetëm Kur’anin. Kur’ani është burimi i parë i Islamit, kurse burimi i dytë është Sunneti, ku janë të përmbledhura fjalët dhe sjelljet e profetit Muhammed. E më pastaj, si burim i tretë vijnë komentet e dijetarëve islamë.

Fillestarët si dhe ata që nuk janë të familjarizuar me Islamin, nuk duhet të mjaftohen vetëm me Kur’anin. Thjeshtë nga arsyeja se Kur’ani nuk është renditur sipas temave. Deklaratat për tema të caktuara janë të shpërndara. Fillimisht duhen krahasuar ajete të ndryshme kur’anore që kanë të bëjnë me të njëjtën temë e pastaj të nxirret një përfundim. Pastaj me radhë për nga rëndësia vjen edhe Sunneti: Si i ka komentuar ajetet kur’anore Profeti? Si i ka jetuar ai? Dhe përfundimisht duhet t’u referohemi edhe komenteve të dijetarëve islamë. Nëse kufizohemi vetëm me Kur’anin, mund të lindin keqkuptime.

forumKirche: Kritikët akuzojnë se Islami thërret në dhunë.

R. Neziri: Kur’ani, për këtë çështje, ka të bëjë me një situatë konkrete historike: Derisa muslimanët ishin në Mekke, nuk kishin ndonjë strukturë apo bashkësi të veten. Emigrantët e Mekkes bashkë me arabët e Medines më pas krijuan një bashkësi më të madhe. Kjo bashkësi duhej mbrojtur. Gjithçka që në Kur’an thuhet për luftën, nënkuptohet vetëm mbrojtja e kësaj bashkësie. Agresioni apo sulmi nuk lejohet. Dhe kjo mbrojtje nuk i është lënë në dorë individit, porse bashkësisë si tërësi. Pikërisht nga fakti se Profeti asokohe ishte edhe kryetar i bashkisë së Medines, ai ishte përgjegjës edhe për mbrojtjen e kësaj bashkësie. Thirrjet kur’anore për luftë para së gjithash kanë për qëllim politeistët e Mekkës, jo për shkak të besimit të tyre, por për shkak se ata i kishin përzënë muslimanët nga shtëpitë e tyre dhe ua kishin konfiskuar pasuritë. Nuk është e lejuar ta luftosh dikë për shkak të besimit që ka. Kjo do të binte ndesh me ajetet tjera kur’anore si dhe me faktin se Zoti njerëzit i ka krijuar të lirë. Ata janë të lirë të zgjedhin nëse duan të jenë muslimanë, krishterë apo ateistë. Mirëpo, ata edhe janë përgjegjës për atë se çfarë bëjnë me këtë liri.

forumKirche: Një temë tjetër e diskutuar në mënyrë kontroverse është edhe pozita e gruas...

R. Neziri:
Ne duhet ta ndjekim zhvillimin e kësaj çështjeje: Në kohën e para-
islamit vajzat varroseshin për së gjalli, ngase ishte turp të lindje vajzë; femrat trajtoheshin si skllave dhe nuk kishin të drejtë prone. Islami e përmirësoi gjendjen e saj dhe na tregoi se në ç’drejtim duhej të zhvillohej roli i saj. Ai na thotë qartë se njeriu, mashkull apo femër, musliman apo jo-musliman, është i nderuar nga ana e Zotit. Zoti thotë në Kur’an: “Dhe ne i nderuam bijtë e Ademit”. Njeriun e sheh si mëkëmbës të Tij në tokë. Meshkujve Zoti në Kur’an u thotë: “Gratë tuaja janë mbulesë për ju dhe ju jeni mbulesë për to”. Kjo do të thotë: ju jeni komplementarë ndër të njëjtët, ju e plotësoni njëri-
tjetrin. Një ajet tjetër thotë se Zoti njeriun e ka krijuar prej një mashkulli dhe një femre dhe se në mes tyre ka krijuar dashurinë dhe mëshirën... Në Kur’an u flitet vetëm meshkujve nga arsyeja se pranuesi i Shpalljes ishte një mashkull dhe nga arsyeja se në gjuhën arabe nuk është e mundur të përdorësh folje për të dyja gjinitë njëkohësisht. Kjo nuk duhet shikuar si keqtrajtim i femrës.

forumKirche: Cila është detyra Juaj parësore si imam?

R. Neziri:
Më parësore është të mos e humbasin thelbin e Islamit, jo për shkak të qejfit të dikujt, porse për shkak se Zoti e do këtë. Islam do të thotë të bësh paqe me Zotin, me njerëzit, me gjallesat e tjera si dhe me vetveten. Duhet dalë zot dhe ruajtur këtë parim si dhe të drejtat elementare të njeriut, të cilat janë të garantuara edhe me Kur’an.

Natyrisht se për këtë kemi nevojë edhe për një interpretim të Kur’anit: Ne nuk jetojmë më në Arabinë e shek. VII. Ne jetojmë në Evropë, në një kohë dhe në një kulturë tjetër. Pikërisht për këtë ekzistojnë dhe interpretime të reja të Kur’anit, që na tregojnë rrugën se si duhet kuptuar atë sot dhe në këtë shoqëri. Unë i çmoj lart përpjekjet për ta bartur Kur’anin në kohën dhe realitetin tonë.


forumKirche: Ju faleminderit!

R. Neziri:
Me nder qofshi!

 


Intervistën e zhvilloi:
Detlef Kissner

Redaktor i
forumKirche

 

(Revistë famullie e dioqezës për kantonin Schaffhausen dhe Thurgau, nr. 20, tetor-nëntor 2011, www.forumkirche.ch)