Printo!
Kategoria: Intervista
Lexuar: 597 herë

Intervistë e Dr. Ali Pajazitit dhënë të përditshmes FAKTI, 12 janar 2009

 
 
 
 
DIVORCI TRADHTAR, ETËRIT E PËRKOHSHËM DHE DËRRMIMI I FAMILJES

 
 
FAKTI: Mendoni se gjendja e rëndë ekonomiko-sociale në Maqedoni, papunësia dhe varfëria që janë në rritje, bën që shumë shqiptarë të martuar, në marrëveshje me gratë e tyre, të prishin kurorën dhe të kërkojnë një nuse nga shtetet e Bashkimit Evropian (BE), me të cilën do të vinin kurorë dhe do të rregullonin letrat e punës në ato vende evropiane?
 
 
Pajaziti: Natyrisht se gjendja e rëndë socio-ekonomike ndikon që njerëzit të marrin vendime kaq kruciale siç është “divorci formal” ose i letrave për të emigruar gjoja përkohësisht në ndonjë vend evropian ose perëndimor me qëllim të “përmirësimit të gjendjes” sociale. Për njerëzit kafshata e gojës është kusht i domosdoshëm i jetesës por ama vendimi për të braktisur komunitetin e gjerë (shoqërinë amë) dhe atë të ngushtë (familjen) nuk do të duhej të ishin vendime kaq të përhapura dhe të lehta, sepse nderi individual dhe ai familjar janë komponentë shumë të rëndësishëm në kulturën tonë shqiptare që nuk shiten për asnjë pará. Shqiptari gjatë historisë ka kaluar batica e zbatica të shumta por asnjëherë s’ka lejuar që të thyejë besën e dhënë, mes tjerash edhe atë të kurorës, që është një besatim me peshë, dhe “prishja e dokumentave” është faktikisht një dilemë e madhe etike, një besëthyerje, në të shumtën e rasteve, një shmangie prej çerdhes së vërtetë në një çerdhe të rrejshme për të dyja palët, si atë ardhacake (shqiptari) dhe atë vendëse (nusja de jure nga ndonjë vend i BE-së), një vendim që sjell një duzinë problemesh të natyrave të ndryshme, nga ato juridike-administrative, deri te ato sociologjike-psikologjike. Mendoj se me këtë vendim nuk janë të kënaqur as pala që ofron shërbim (indigjenia evropiane) e as ajo që merr shërbimin (shqiptari), e më së paku femra e martuar shqiptare, e cila lihet në mëshirë të stihisë, pra të plotësojë zbrazëtirat e burrit ikanak që fiton për familjen, e në fakt paguan “tagrën” jolegjitime partneres së tij që “i mundëson atij të përmirësojë statusin ekonomik” dhe që e mban atë të varur në mënyrë permanente, që e kushtëzon me dëbime për çdo moment. Kjo është fotografia e përgjithshme, që s’do të thotë që s’ka përjashtime. Ka edhe lidhje të mirëfillta me “nuse evropiane”, pra që përfundojnë me dashuri të vërtetë, por prapë humb nusja e parë (shqiptarja), sepse tanimë fituesi i parave përqendrohet jetësisht te tjetra dhe mbetet me njërin gisht të këmbës te e para. Përvoja e shqiptarëve flet për një tablo të këtillë. Dhe një gjë: flisni për marrëveshje. Kjo marrëveshje është kontratë e imponuar, të cilën në mënyra shumë perfide pala mashkullore ia imponon asaj femërore shqiptare. Pra s’mund të flitet për marrëveshje por për njëfarë marramendjeje fjalësore-diskursive, pasojat e së cilës vërehen tek më vonë.


Lexoni intervistën e plotë në PDF.