INTERVISTË ME DR. ISMAIL BARDHIN PËR GAZETËN “HËNA E RE”

 

1. Si dekan patët rastin që ta përcillni gjeneratën e parë të studentëve të Fakultetit të Shkencave Islame në Shkup. A mund të na thoni se me ç’nivel të përgatitjeve profesionale na del kjo gjeneratë?
 
Dr. Bardhi: Besoj se redaksia e gazetës “Hëna së Re” gjatë kohës që nga fillimi me punë i Fakultetit të Shkencave Islame ka pasur mundësi t’i vërejë rezultatet që i ka treguar, ose që është dashur t’i tregojë një institucion i lartë, siç është ky fakultet, që nga pjesëmarrja në aktivitetet shkencore e deri te kontributet e duhura në shkrime, prezentime e kështu me radhë, të cilat unë si dekan nuk i kam parë. Pra, sa i përket kësaj pyetjeje duket paksa se unë, të paktën lidhur me gjeneratën e parë të të diplomuarve, jam vënë në pozitën para aktit të kryer. Megjithatë, nga mirësjellja duhet të them se kam qenë i nderuar, dhe atë tepër i nderuar që ta kem një fat të tillë që të jem në krye të këtij institucioni më të lartë arsimor, e sidomos që kam përcjellur gjeneratën e parë të të diplomuarve. Me të vërtetë ka qenë e nevojshme të kremtohet, të shkruhet për atë moment për të cilin edhe studentëve të fakultetit ua kam folur, por për fat të keq kjo nuk u vërejt në shtypin tonë. Studentëve shpesh ua kam treguar rëndësinë e institucionit dhe rolin të cilin ata do ta kenë në të ardhmen, pa marrë parasysh se ky fakultet është i ri nga themelimi, por nga tradita është tepër-tepër i hershëm.
 
Mirëpo, pavarësisht nga ajo që thashë, nëse më pyetni se ku janë ato rezultate të lartëtheksuara natyrisht se ato mungojnë, për arsye se para se të nisë puna nuk është bërë analiza e duhur për themelimin e një institucioni të këtillë. Kohërat që po vijnë janë duke e vështirësuar akoma më tepër problemin e ekzistimit të nismave “të mira”, nëse ato nuk i plotësojnë kushtet e duhura, siç janë nevoja, koha, përgatitja, mirëmbajtja dhe vazhdimësia. Kur them përgatitja, mendoj në atë profesionale të kuadrit mësimdhënës, e deri te mirëmbajtja nga aspekti ekonomik. Në kohën kur shumë fabrika të njohura, të cilat kanë prodhuar dhe kanë qenë me nam për një çast janë zhdukur, nuk e di se si t’i përgjigjem suksesit dhe jetëgjatësisë të një institucionit kulturor, i cili jo që nuk prodhon, por është i “dënuar” të harxhojë.
 
Nuk është e mundshme ne të fillojmë duke iu mbështetur metodës së trishtueshme, më shterpe, të stilit “meqë dikush ka, doemos duhet edhe ne të kemi”, ose asaj “më mirë diç se hiç”. Këto janë mbështetje mashtruese, natyra që moti këtë e ka bërë të vdekur, përpos në “mendësinë tonë”, e që për fat të keq një gjë e tillë në shumë drejtime akoma është duke vazhduar.
 

Lexo intervistën e plotë në PDF.