HYRJE

 

Familja është njësia më e vogël e shoqërisë. Ajo është modeli më i vogël i strukturës së mbarë shoqërisë. Një strukturë e shëndoshë familjare është një tullë e rëndësishme për një shoqëri të shëndoshë. Një familje që në vete strehon anëtarë të qetë e të lumtur, ajo bart një potencial të madh për një shoqëri të qetë e të lumtur. Mu ashtu si një gurë i hedhur në ujë që krijon rrathë të shumtë, po ashtu duhet kuptuar edhe ndikimin e familjes në të gjitha institucionet dhe kategoritë tjera të shoqërisë.

Meqë në familje sigurohet shtimi dhe ruajtja e llojit njerëzor, bëhet socializimi i fëmijëve dhe bartja e vlerave në brezat që vijnë, mundësohet ruajtja e moralit, kultivohet stabiliteti psiko-emocional dhe dashuria e mirësjellja, mundësohet sigurimi shoqëror dhe ekonomik – që janë disa nga funksionet bazë të familjes – si kategori e rëndësishme shoqërore, familjes edhe feja islame i kushton një rëndësi të veçantë. Edhe pse shumica e ajeteve kur’anore për shembull i drejtohen individit, prapëseprapë realizimi i parë i mundshëm i këtyre detyrave të fesë bëhet brenda kuadrit të familjes dhe më pastaj në kuadër të shoqërisë më të gjerë.

Duke qenë se familja është kaq me rëndësi për vetërealizimin e individit, kjo drejtpërdrejtë nënkupton se ruajtja dhe zhvillimi i raporteve brenda familjes ka një kuptim shumë të veçantë. Mënyra se si komunikojnë, çfarë raportesh krijojnë anëtarët e familjes brenda vetes, e determinon pastaj, ose më së paku ndikon shumë, edhe në funksionimin e mbarë shoqërisë.

Duke qenë se shumë probleme në familje janë reale dhe kanë arsyet e veta pse paraqiten ato, shumëkush ato i stërmadhon dhe i mistifikon aq shumë, saqë zgjidhjen e tyre e kërkon te fallxhori, te hajmalitë, te magjistari e astrologu. Ne, përmes kësaj broshure, duam të tërheqim vëmendjen e njerëzve në arsyet dhe shkaqet reale, konkrete që e vështirësojnë jetën familjare dhe ndoshta e bëjnë atë edhe të pamundshme, duke u ofruar disa njohuri elementare për jetën familjare si dhe disa këshilla praktike për zgjidhjen e problemeve të mundshme që mund të paraqiten në familje.

Në këtë broshurë ne do të përqendrohemi kryesisht në këto pika:

1.  Formimi i familjes
2.  Roli dhe rëndësia e familjes
3.  Ruajtja e familjes
4.  Detyrat dhe përgjegjësitë brenda familjes
5.  Dhjetë këshilla praktike për një familje të lumtur

Për këtë broshurë kemi konsultuar literaturë të mjaftueshme shkencore dhe profesionale, të cilën do ta japim në fund të saj. Duke marrë parasysh se lexuesit potencialë të kësaj broshure presim të jenë muslimanët e rëndomtë që jetojnë kryesisht në Perëndim, nuk kemi shkuar të japim fusnota e burime të sakta për çdo citim që e kemi bërë apo edhe të përdorim një gjuhë shkencore, me qëllim që lexuesi të mos mbytet me termat që nuk i kupton dhe me burimet që ndoshta nuk i interesojnë edhe aq shumë, por të mbetet i fokusuar te teksti dhe te mesazhi i tij që ne dëshirojmë ta përcjellim tek ai.


Për një familje të lumtur islame..!
 

Rehan Neziri
korrik 2018, Kreuzlingen



Shko te Përmbajtja e librit...