Printo!
Kategoria: Histori e feve
Lexuar: 637 herë

Mr. Qani Nesimi
 

Shkenca e Historisë së Feve
 

 
Shprehja historia e feve përbëhet prej dy fjalëve kyçe, histori dhe fe (fetë). Fjala histori rrjedh prej fjalës historia në greqisht dhe ka kuptimin material konkret, njohuri. Në gjuhën arabe përdoret fjala tarih (histori) e cila ka kuptimin njohuri për muajin, njohuri për kalendarin. Res gestae është fjalë latine që res do të thotë gjë, kurse restae lëvizje, qëndrim. Ndërsa në gjermanisht fjala e cila ka kuptimin e historisë është Geschichte. Kjo fjalë në vete ngërthen kuptimin e një ndodhie të vërtetë dhe nuk mund të quhet story-tregim. Kurse fjala e dytë është feja (fetë). Fjala fe në gjuhët e sotme perëndimore shprehet me fjalën religion, e cila buron prej fjalës latine religio dhe ka kuptimin bashkim, lidhje. Relegere është një fjalë tjetër që përdoret për fenë dhe ka kuptimin e veprimit të një pune disa herë, bashkim, lidhje. Këtë shprehje e ka përdorur Ciceroni në De Natura Deorum. Edhe Lactantiusi në veprën e tij Divana Institute përmend shprehjen religare. Historiani Flavius Eutrapis është i pari që fjalën religion e ka përdorur me kuptimin feja krishtere. Në kuptimin e lartpërmendur gjithashtu është përdorur edhe fjala religio. Në aspektin etimologjik feja është një lidhje në mes të subjektit dhe objektit. Ndërkaq Rolston thotë se feja është bartëse e kuptimit perenial. Kurse në aspektin islam termi fe (din) është njëri prej termave thelbësorë të përmbajtjes së shpalljes hyjnore dhe traditës pejgamberike. Feja është dhunti mbinatyrore, pasi burimi i saj është Zoti; ajo është dhunti mirëdashëse, pasi buron prej dëshirës hyjnore; ajo është dhunti e vullnetit të lirë, pasi buron prej dashamirësisë së pastër hyjnore; ajo për njeriun është dhuratë hyjnore e jo borxh që duhet kthyer, pasi buron prej mëshirës së Zotit, e cila nuk jepet e matur, nuk jepet sipas meritës e as si një detyrim që duhet kthyer. Besimi (Imani-Sophia perennis) është drita e shpirtit hyjnor, kurse islami (Religio perennis) është ngrohtësia e asaj drite, që është shprehje e dëshirës mirëdashëse hyjnore.
 
Kështu, Historia e Feve përveç që njihet me këtë emër, në literaturë njihet edhe me emra të tjerë si Shkenca Fetare, Fenomenologjia Fetare, Religjionet Krahasimtare, Historia e Religjioneve Krahasimtare. Por, kjo lëmi më së shumti njihet me emrin Historia e Feve, meqë në vete ngërthen të gjitha metodat dhe mënyrat e studimit të të gjithë emrave të përmendur më lart.
 
Lexo artikullin e plotë në PDF.