Printo!
Kategoria: Filozofi islame
Lexuar: 306 herë


Rejhan Neziri
 
 
Ibni Sina, burimi: nzz.chSipas gazetës ditore zvicerane NZZ, të datës 17 gusht 2022, një studiues i fesë islame nga Cyrihu, z. Ulrich Rudolf, para 22 viteve është lutur nga shtëpia botuese e Bazellit Schwabe-Verlag, që të shkruajë një vepër prej rreth 400 faqesh rreth filozofisë në hapësirën arabe të shek. 8 - 12-të. Nga ky projekt në fakt ka dalë një punim me përmbajtje shumë më voluminoze: deri në përfundimin e këtij projekti, që parashikohet të përfundojë në vitin 2028, një numër treshifror studiuesish të Islamit do të hartojnë diku te rreth 4000 faqe në 4 vëllime që do të hedhin dritë mbi filozofinë në botën islame nga fillimet e saj e deri më sot.

Kjo është diçka e re, pasi një kohë të gjatë deri më tani studimet janë fokusuar në epokën midis shek. 8-të dhe 12-të. Pas vitit 1200, mendohej se ripushtimi i Andaluzisë si dhe disponimi armiqësor naj filozofisë në botën arabe, i kishin dhënë asaj goditjen vdekjeprurëse. Për përshkrimin e parë gjithëpërfshirës të filozofisë islame, për studiuesit rreth z. Rudolf, kjo nënkuptonte futje në një tokë të re, editimin e teksteve burimore dhe zgjerimin sistematik të fushës së studimit në fjalë. 

Qysh në vitin 2012 është publikuar vëllimi i parë i serisë «Filozofia në botën islame», ku trajtohet hapësira kohore prej shek. 8-të e deri në shek. 10-të. Ashtu si të gjithë librat e kësaj serie, edhe ky i merr në konsideratë edhe filozofët më pak të njohur. Pos kësaj, secili filozof nuk prezantohet vetëm me biografinë, mësimet dhe ndikimin e tij, porse edhe secila vepër e tyre përshkruhet shkurtimisht. Në rastin e mendimtarëve të mëdhenj si el-Kindi (v. 861) dhe el-Farabiu (v. 950), në vend të të njohurave pesë, secili prej tyre me mbi 60 shkrime.

Dhjetë vite që nga vëllimi i parë, kohëve të fundit janë botuar edhe tri gjysmëvëllime të tjera. Aty bën pjesë edhe pjesa e parë e vëllimit të dytë, në të cilën bëhet fjalë për filozofinë e shek. 11-të dhe 12-të në zonat qendrore dhe lindore të botës islame. Asokohe, sipas editorit Ulrich Rudolph, filozofia është shkëputur nga trashëgimia antike dhe ka përjetuar një ndryshim të thellë. Kështu për shembull renditja e dijeve që ishte huazuar nga antika e vonshme dhe që vlente akoma në shek. 10-të, në mënyrë të përshkallëzuar ndryshon dhe kalon në një renditje të re, «islame», gjë e cila nga viti 1200 e këndej përbënte kornizën e diskursit filozofik të kohës. Ai që e dha impulsin për këtë ndryshim paradigme ishte mjeku, mendimtari dhe filozofi që vinte nga Uzbekistani i sotëm, Ibni Sinaja (versioni i latinizuar Avicenna, v. 1037), i cili dëshironte t’i harmonizonte mësimet e Aristotelit me njohuritë e reja shkencore dhe me teologjinë islame. Tezat dhe mendimet e Ibni Sinasë me shekuj të tërë patën ndikim të madh në mësimet e filozofisë. E kësaj periudhe kohore është edhe një vepër e cila si zakonisht mendohet se i ka dhënë goditjen përfundimtare filozofisë islame. Fjala është për veprën e teologut el-Gazali, «Inkoherenca e filozofëve» (Tehafut el-felasifeh). Editori Rudolf thekson se el-Gazaliu nuk ka marrë pozicion totalisht të kundërt me filozofinë, se ai ka huazuar disa koncepte dhe metoda të filozofisë dhe se falë tij shkenca e logjikës është mësuar bashkë me shkencat islame nëpër medresetë e kohës. Rudolf konstaton se el-Gazaliu nuk i ka dhënë fund angazhimit me filozofinë në botën islame, porse për më tepër e ka sfiduar atë. Para shumë vitesh unë e kam përkthyer nga turqishtja një artikull të prof. dr. Maxhit Fahriut me titull «Gazaliu – kundërshtuesi sistematik i neoplatonizmit», të cilin mund ta lexoni te www.el-hikmeh.net

Po kështu tani vonë është botuar edhe vëllimi i katërt, në dy pjesë, i cili e trajton shekullin 19 dhe 20. Ajo që e karakterizon këtë kohë është pranimi i fuqishëm i filozofisë perëndimore. Në fillim të shek. 19-të, fillimisht në Egjipt, ndodhën reformat në arsim. Pikënisja e kësaj nuk është, siç është supozuar deri më tani, ardhja e pushtuesve francezë në këtë vend bashkë me Napoleonin në vitin 1798, porse guvernatori osman i Egjiptit, shqiptari Muhamed Ali Pashai (v. 1849). Të kësaj periudhe trajtohen edhe pararendësit e modernes islame si Xhemaludin el-Afganiu (v. 1897) dhe nxënësi i tij Muhammed Abduhu (v. 1905), të cilët Islamin e kuptonin si një fe të arsyes dhe të pajtueshëm me shkencën moderne. 

Vitet 1920 deri në 1960 karakterizohen nga shpërbërja e perandorisë osmane (1923) dhe paraqitjes së shteteve nacionale arabe. Filozofia politike fitoi një peshë më të madhe. Forma të ndryshme të liberalizmit, të makrsizmit e të shekullarizmit u përshtatën me nevojat e një shoqërie të karakterizuar nga tradita fetare. 

Që nga vitet 1960 e këndej në shumë shtete arabe janë themeluar katedra të posaçme të filozofisë. Madje në vitin 2019 lënda e filozofisë është lejuar madje edhe në Arabinë Saudite dhe ajo mësohet edhe në gjimnazet e atjeshme.

Përderisa pjesa e dytë e vëllimit të dytë (shekujt 11 dhe 12: filozofia islame në zonat perëndimore) me gjasë do të publikohen vitin e ardhshëm (2023), vëllimi i tretë, i cili do të përfshijë periudhën midis shekujve 13 dhe 18, ndodhet akoma në planifikim e sipër. Kjo epokë, për të cilën nuk ka thuajse asnjë punim pararendës, do të jetë sfida më e madhe për studiuesit dhe hartuesit e kësaj vepre. Ulrich Rudolph ka marrë përsipër që fokusin ta kthejë më shumë drejt filozofisë politike, pasi, sipas tij, në botën islame gjithmonë ka pasur një diskurs politik, mirëpo dëshmive të saj u është kushtuar me siguri shumë pak kujdes. 

Studiuesi i Islamit, z. Ulrich Rudolph, shpreson që të katër vëllimet e kësaj serie do të kontribojnë që të rinjve muslimanë në Perëndim t’u tregohet shumëllojshmëria e kulturës islame, larg manifesteve islamiste, si dhe t’u hapet një derë për filozofinë bashkëkohore në botën islame. 

Edhe pse vëllimi i tretë nuk është publikuar akoma, qysh tani dihet me siguri se seria «Filozofia në botën islame» do të ketë ndikim shumë më të gjerë se një doracak «normal» shkencor: hulumtimet që shkojnë deri në themele të çështjes do ta bëjnë këtë vepër qenësisht standarde. Një dëshmi për domethënien e madhe që ka ky projekt për studimet islame është edhe intenca që pasi të pubikohen të katër vëllimet, vepra të përkthehet menjëherë edhe në gjuhën angleze. Në të njëjtën kohë janë duke u zhvilluar bisedime për përkthimin e së njëjtës edhe në gjuhën arabe dhe persiane. S’ka dyshim, konstaton gazeta NZZ, se me këtë vepër prej katër vëllimesh dhe afro 4000 faqesh, bashkë me partnerët nga Berna dhe gjetiu, Cyrihu është bërë një qendër për filozofinë e botës islame.
 

Vëllimet e botuara deri më tani:

Ulrich Rudolph (ed.), në bashkëpunim me Renate Würsch. Philosophie in der islamischen Welt 1. 8.–10. Jahrhundert. Schwabe-Verlag, Basel 2012. 648 faqe, çmimi: 200.– fr.

Ulrich Rudolph (ed.), në bashkëpunim me Renate Würsch. Philosophie in der islamischen Welt 2/1. 11. und 12. Jahrhundert: Zentrale und östliche Gebiete. Schwabe-Verlag, Basel 2021. 600 faqe, çmimi: 200.– fr.

Anke von Kügelgen (ed.). Philosophie in der islamischen Welt 4/1. 19. und 20. Jahrhundert: Arabischer Sprachraum. Schwabe-Verlag, Basel 2021. 658 faqe, çmimi: 230.– fr.

Anke von Kügelgen (ed.). Philosophie in der islamischen Welt 4/2. 19. und 20. Jahrhundert: Türkei, Iran und Südasien. Schwabe-Verlag, Basel 2021. 880 faqe, çmimi: 290.– fr.
 
 

Burimi: nzz.ch