Prof. Dr. Maxhit Fahri

 

G A Z A L I U

(Kundërshtuesi sistematik i neoplatonizmit)

 

Personaliteti më i madh që gjatë historisë islame i është kundërvënë filozofisë neoplatoniste, ka qenë fakihu, kelamisti, filozofi dhe sufisti el-Gazzaliu. I lindur në qytetin Tus të Horosanit më 1058 Gazzaliu qysh në moshë të re i është përkushtuar mësimit të fikhut nën kujdesin e Razkaniut, e pastaj shkon në Xhurxhan ku i vijon mësimet e tij tek Ebul Kasim el-Ismailiu. Mirëpo, mësuesi i tij më i madh ka qenë el-Xhuvejniu, pishtari i kelamit esh’arij në kohën e vet. El-Xhuvejniu e nxit nxënësin e tij të shkëlqyer që të fillojë studimin e kelamit, filozofisë dhe logjikës. Shkaktar për futjen e tij në tasavvufin teorik dhe praktik ka qenë sufiu i famshëm i kohës el-Fermaziu (v. 1064).

Takimi i Gazzaliut me Nidhamul Mulkin, vezirin e sulltanit selçuk Melikshah, përbën një kthesë të rëndësishme në fatin e tij. Ky ministër i fortë dhe njëkohësisht doktrinist, me gjithë mend ndërmerr mbrojtjen e akīdes (besimit) sunnite dhe i kundërvihet heterodoksizmit shiit (ismailit) të hilafetit rival fatimijj në Kajro. Këta të fundit, aq me sukses i përdornin armët e propagandës dhe të krimit në mbarë botën islame, saqë selçukët ishin të detyruar t’u përgjigjeshin me të njëjtin stil. Për këtë qëllim, në pjesën lindore të perandorisë, Nidhamul Mulki ngriti një sërë shkollash teologjike, të cilat u emërtuan me emrin e tij dhe në të cilat mësohej fikhu shafi’ijj dhe kelami esh’arijj.

Xhuvejniu ishte drejtori i nidhāmijjes së Nishaburit deri në fund të jetës së tij (v. 1085). Paskëtaj, kjo detyrë kalon te nxënësi i tij për t’i shërbyer akides sunnite.

Me këtë rast, Gazzaliu pesë vjet me radhë (1091-1095) vijon mësuesinë në lëndën e fikhut dhe të kelamit si drejtor i nidhāmijjes së Bagdadit. Gjendja e trazuar e kohës dhe mbytja në mënyrë mizore e Nidhamul Mulkit më 1092 nga ana e agjentëve ismailitë dhe pas pak edhe vdekja e sulltanit Melikshah, sikur shkaktoi që ai gradualisht ta humbë vullnetin për ligjërim. Sigurisht që, futja e tij në rrugën e tasavvufit praktik gjatë viteve 1093/94, ka kontribuar që ai ta kuptojë pavlefshmërinë e një profesioni që nuk është destinuar ta kërkojë të vërtetën apo t’i shërbejë Zotit.

 

Lexo artikullin e plotë në PDF.

 

Burimi: Islam Felsefesi Tarihi, Iklim yay., Stamboll 1992

Nga turqishtja: Rejhan Neziri