Printo!
Kategoria: Filozofi
Lexuar: 1929 herë

Prof. Dr. Ahmed Arsllan

 

HYRJE NË FILOZOFI

 

Ç’është filozofia? Vepra e njohur e Aristotelit Metafizika fillon me fjalinë “të gjithë njerëzit për nga natyra dëshirojnë të dinë”. Sërish sipas Aristotelit, kënaqësinë që e ndiejnë njerëzit gjatë përdorimit të shqisave të tyre, p.sh. gjatë shikimit, dëgjimit etj., është prova më e qartë për këtë. Vërtet veçoria më e rëndësishme që njeriun e bën njeri gjithsesi është dëshira e tij për ta njohur dhe mësuar botën që e rrethon, shoqërinë ku jeton, historinë dhe vetë vetveten me të gjitha aspektet e saj.

Tani, njohja është një lidhje midis qenies që njeh/di (në gjuhën e filozofisë -subjektit) dhe qenies që dëshirohet të njihet ose që është njohur që më parë (në gjuhën e filozofisë – objektit). Çështjet që kanë të bëjnë me atë se cila prej këtyre elementeve të kësaj lidhjeje peshon më shumë, ai që njeh apo ajo që njihet; mundësia apo pamundësia e njohjes; burimi, shtrirja, hapësira, kufijtë e njohjes etj., përbëjnë lëndën e veçantë të degës së filozofisë të quajtur teoria e njohjes apo epistemologjia.

Edhe filozofia, në fakt, është një lloj njohje, mirëpo është një lloj njohjeje e veçantë. Për të kuptuar se ç’lloj njohjeje është filozofia, cilat janë karakteristikat e njohjes filozofike, duhet të flasim edhe për llojet e tjera kryesore të njohjes. Ne këtu do ta trajtojmë njohjen e thjeshtë/opinionin dhe njohjen shkencore.

Njohja e thjeshtë/opinioni: Lloji më i përhapur i njohjes dhe të cilën të gjithë ne pak a shumë e zotërojmë është njohja e thjeshtë, opinioni. Njohja e thjeshtë, ashtu siç tregon edhe vetë emri i saj, nënkupton njohjen e rëndomtë të cilën njerëzit e fitojnë në jetën e tyre të përditshme pas disa provave më të thjeshta. Burimi i kësaj njohjeje është struktura e përbashkët biologjike e të gjithë njerëzve dhe përngjashmëria e rrethanave shoqërore në të cilat ata jetojnë. P. sh., qoftë gjeni, qoftë një njeri i thjeshtë, të gjithë e dinë se shiu lag, se zjarri djeg; të kuqen e quan të kuqe, sendet e nxehta i quan të nxehta etj. Po kështu, në saje të një njohjeje të këtillë njeriu thotë se “të ushqyerit e largon urinë”, se “pas pranverës vjen vera” etj. Ky lloj njohjeje nuk është fituar si rezultat i një metode të vetëdijshme kërkimi, porse fitohet pashmangshëm dhe pa qenë i vetëdijshëm për të, ndaj dhe nga aspekti struktural është i pasistemuar. Ajo paraqitet si rezultat i të jetuarit, i përdorimit të shqisave dhe eksperimenteve të llojit më të thjeshtë dhe nuk mbështetet në ndonjë metodë të vetëdijshme.

 

Lexo artikullin e plotë në PDF.