Prof. Dr. Ahmed Arsllan
FILOZOFIA E NJOHJES
Një retrospektivë: Ashtu siç thamë edhe në pjesën e parë, fitimi i njohjes është njëra prej instinkteve kryesore dhe prej tipareve dalluese të njeriut. Është e vërtetë se njeriu qysh nga paraqitja e tij gjithmonë dhe gjithkund pak a shumë është marrë me një aktivitet të dendur lidhur me njohjen, pa marrë parasysh nëse në bazën e kësaj ka qëndruar nevoja dhe dëshira e tij për ta njohur natyrën dhe mjedisin që të mund të jetojë, ta vazhdojë ekzistimin e vet edhe të sundojë mbi sendet dhe gjallesat e tjera, apo ndoshta këtë e ka bërë për shkak të prirjes së natyrshme të tij për të njohur, e cila është jashtë kufijve të pragmatizmit dhe e cila lind nga kureshtja ashtu siç shprehej Aristoteli. Me fjalë të tjera, historia e njohjes, po bile edhe e shkencës është e lashtë sa edhe historia e vetë njeriut. Qysh edhe kur është paraqitur për herë të parë (në botën greke të shek. VII para Isait), filozofia, natyrisht, interesimin e saj e ka fokusuar (përqendruar) jo mbi subjektin njohës, por mbi objektin që është lëndë e njohjes. Për këtë arsye, me të drejtë filozofët e parë grekë janë quajtur edhe “filozofë të natyrës”. Derisa Thalesi, themeluesi i shkollës së Miletit, thoshte se parimi (arkhe, lënda amë) i çdo sendi ishte “uji”; Anaksimandri thoshte se ishte “e pafundmja dhe e pakufishmja” (apeiron); Anaksimeni thoshte se ishte “ajri”, me këtë ata interesimin e tyre e kishin drejtuar jo kah njohja, por kah qenia/ekzistenca. Atyre nuk u kanë interesuar çështjet si: sa të drejtë ka subjekti i cili i është drejtuar qenies, i cili tenton ta njohë atë apo mendon se e njeh; me ç’të drejtë pohon se e njeh gjithësinë; në cilat aftësi mbështetet ai kur tenton ta njohë atë; si do të mund të verifikohet drejtësia e njohjes së tij lidhur me qenien apo natyrën? etj. Edhe pse pyetjet e para, dyshimet e para, diskutimet e para lidhur me mundësinë, burimin, kufijtë, kriteret e njohjes janë paraqitur edhe te filozofët grekë të kësaj periudhe të parë, siç kanë qenë Herakliti, Parmenidi, Demokriti, Anaksagora etj., futja e çështjes së njohjes në radhët e mendimit filozofik për të mos u ndarë kurrë më prej saj, ka ndodhur në epokën e filozofëve të mëdhenj, si: sofistët, Sokrati dhe pasuesit e tij Platoni dhe Aristoteli. Që prej kësaj periudhe, diskutimet lidhur me çështjen e njohjes herë-herë, si p.sh. te Kanti, kanë vazhduar jetën e vet duke zënë vendin qendror në mendimin filozofik.
Lexo artikullin e plotë në PDF.