C. A. Qadir
MENDIMI ALEKSANDRIK-SIRIAN
Fushata e madhe pushtuese e Lekës së Madh drejt Lindjes jo vetëm që e ka rrënuar jetën e vjetër, intensive dhe të ngushtë të qytet-shteteve të vetëmjaftueshme, por edhe ka shënuar një ndryshim vendimtar në jetën intelektuale dhe shpirtërore të Greqisë. Me shtrirjen e qytetërimit grek nëpër Lindjen e Afërt në masë të madhe janë zgjeruar edhe horizontet e disa grekëve, mirëpo përmbysja e qytet-shteteve të vjetra ka krijuar ndjenjën e izolimit e të çrrënjosjes, e cila njerëzit i ka shtyrë që më tepër t’i kthehen botës së tyre të brendshme sesa asaj të jashtmes, siç kishte ndodhur deri më atëherë. Arsyeja e dytë dhe më e rëndësishme e këtij ndryshimi të mendimit grek mund të gjendet edhe te skepticizmi i përhapur pas vdekjes së Aristotelit. Në të vërtetë, skepticizmi ka pat ekzistuar edhe në kohën sapo kishte lindur Sokrati, mirëpo spekulimet metafizike të mendimtarëve parasokratianë kanë shpënë në një konfuzion të pazgjidhshëm dyshimi. Sokrati prej njerëzve kërkonte që ta vështronin njeriun, në vend të natyrës, sepse kompetenca e Arsyes më lehtë mund të përdëftohet në fushën e problemeve njerëzore, sesa në atë fizike apo metafizike. Mirëpo, protesta e skepticizmit pas Aristotelit ka qenë shkatërrimtare. Sofistët kanë deklaruar se nisma e gjithëmbarshme filozofike e paraardhësve të tyre ka qenë e gabueshme deri në fund dhe se gabimit të tyre nuk i gjendej dot ilaçi.
Kjo vërtet ishte një gjendje e mjerueshme; ishte përhapur bindja se të pakuptimta nuk ishin vetëm zgjidhjet e të ashtuquajturave probleme “të përhershme” të filozofisë, porse edhe nuk ekzistonte kurrfarë mundësie për zgjidhje të kënaqshme, së paku jo me metodat dhe teknikat që ishin përdorur deri më atëherë.
E sulmuar në këtë mënyrë arsyeja mund të gjente strehim vetëm te feja. Në periudhën në vijim filozofinë e hasim të privuar nga pavarësia: ajo është bërë mjet i teologjisë. Ritter-i thotë: “Ndjenja e tëhuajësimit dhe e mallit për një shpallje (inspirim) më të lartë kanë qenë karakteristike për shekujt e fundit të botës antike. Ky mall, në rend të parë, ka qenë vetëm shprehje e vetëdijes lidhur me dështimin e popujve klasikë dhe të kulturës së tyre, duke paralajmëruar fillimin e një epoke të re dhe ajo e ka gjallëruar jo vetëm Krishterizmin, por edhe ato përpara tij – paganët dhe aleksandrizmin hebraik si dhe lëvizjet e tjera të ngjashme”.
Lexo artikullin e plotë në PDF.