Printo!
Kategoria: Fikh
Lexuar: 714 herë

 

Nexhat Ibrahimi


Për historinë dhe dimensionet e kurbanit shkurtazi


Historia e kurbanit

Nevoja e njeriut për Krijuesin në botën fenomenale (alem'ush-shehadeh), është sikurse nevoja e foshnjës për nënën. Nevoja e njeriut për Krijuesin është edhe falënderim për tërë atë që Ai e ka krijuar. Nevoja e njeriut për Krijuesin është edhe shenjë mirënjohjeje për vetekzistencën dhe ekzistencën përreth tij. Njeriu gjithnjë ka ndjerë nevojë që Allahut absolut t'i drejtohet për ndihmë dhe mbrojtje, në ballafaqim me fenomenet që e rrethojnë, ka ndjerë nevojën për kurajë, për përkrahje, guxim, ngushëllim dhe karakteristika të tjera, tipike për njeriun. Këtë nevojë të tij, sipas udhëzimeve hyjnore, njeriu e ka manifestuar në forma dhe mënyra të ndryshme.  Ndër këto forma dhe ndër këto mënyra të komunikimit ndërmjet Krijuesit dhe krijesës është edhe flijimi, sakrifica, në gjuhën fetare islame ndër ne e njohur si kurbani.

Të dhënat historike dhe hulumtimet shkencore nga rrafshi i feve komparative tregojnë se edhe kulturat dhe qytetërimet e vjetra, si adhuruesit e Diellit, Hënës, të yjeve dhe objekteve e fenomeneve të ngjashme e njohin institucionin e flijimit, të kurbanit. Ata janë përpjekur që nëpërmjet sakrifikimit të vetvetes apo të formave të ndryshme ta fitojnë simpatinë e Krijuesit dhe t'i meritojnë dhuntitë e Tij.  Këto të dhëna nga e kaluara tregojnë se flijimi është traditë e rrënjosur thellë edhe tek popujt e vjetër si asirianët, persianët, fenikasit, egjiptianët, grekët, arabët parakur'anor, iliro-
shqiptarët, sllavët, popujt e ndryshëm në kontinentet tjera etj.  

Meqenëse qëllimi ynë në këtë shkrim nuk është përkufizimi i institucionit të flijimit dhe përcjellja e tij në faza të ndryshme historike, ne do të kënaqemi të përmendim një përkufizim paksa të vrazhdë shekullarist në të cilin pohohet se "flijimi është pjesë përbërëse e ritualit me qëllim që vullneti i zotave dhe qenieve (forcave) mbinatyrore t'u dalë në ndihmë dëshirave dhe nevojave të njerëzve. Është shprehje tipike e besëtytnisë që ka pasur dhe ka forma të tmerrshme johumane: flijimi i njerëzve në religjionet e vjetra dhe primitive."  Këtë formë të flijimit, sakrificës latinët e vjetër e kanë shprehur me thënien e njohur "do ut des" që dmth. "jap që të më jep mua". Këto raporte "jap që të më jep mua" janë të panjohura për mësimin islam, sepse raportet Krijues-
krijesë do të vendoseshin të vijë komerciale, korruptive, interesi etj.

Duke e pasur parasysh qenien jo të përkryer të njeriut, Allahu i madhëruar gjatë historisë ka dërguar pejgamberë -
të zgjedhur të Tij, që t'i ndihmojnë njeriut në çdo mënyrë, pra edhe në pikëpamje të flijimit, duke e humanizuar sakrificën, duke e fisnikëruar dhe lartësuar ate nga motivet primitive, supersticioze, egosite, ekskluzive e idhujtare në motivet fetare, altruiste, humane e sociale.

 

Dimensionet e kurbanit


Institucioni i kurbanit ka një rëndësi të shumëfishtë në mësimin islam. Për këtë arsye, kërkon dhe meriton trajtim shumëpikëpamjesh. Nëse kurbanin e redukojmë në aspektin juridik dhe të teknikës së prerjes së kurbanit, ne me këtë veprim e kemi varfëruar këtë institucion dhe u japim të drejtë atyre që kurbanin e trajtojnë njëanshëm.
 

A. Dimensioni religjioz i kurbanit


Kurbani si komponent qenësor i mësimit islam është në funksion të tewhidit - konfirmimit të Një, të Vetmit Allah: La ilahe il-lall-llah, Muhammedun resulull-llah. Kontakti që vendoset me Allahun e madhërishëm është i drejtpërdrejtë dhe pa kurrfarë elementesh politeizmi, idhujtarie (shirku). Këtu edhe është dallimi themelor dhe esencial ndërmjet flijimit islam dhe flijimit në besimet tjera. Deri sa në besimet e tjera flijimi është akt për të fituar simpatinë dhe ndihmën e Hyjit dhe përmbajtjen e Hyjit nga zemërimi dhe dënimi ndaj individit dhe popujve, në islam flijimi është akt i gatishmërisë sonë, një akt i sinqeritetit tonë për të flijuar gjënë më të shtrenjtë, më të dashur që posedojmë në emër të Krijuesit madhështor por jo për t'i bërë qejf krijuesit, jo për t'iu serviluar Atij, por për sendërtimin e porosive nga fjalët e Krijuesit në jetë për vetë mirëqenien tonë individuale dhe shoqërore. Allahu është i mëvetshëm, i plotëmjaftueshëm, jashtëekzistencial, jashtëkohor, jashtëhapësinor dhe nuk është i ndikuar nga ligjet dhe skemat e botës ekzistenciale:

"…. Allahu vërtet nuk ka nevojë për askë në tërë botën." El-
Ankebut, 6).

Thelbin, esencën e qëllimit të kurbanit e shpjegon vetë Allahu i lartësuar në ajetin vijues:

"Tek Allahu nuk arrin as mishi (i kurbanit) as gjaku i tyre, por tek Ai arrin takvallëku juaj." El-
Haxhxh, 37.

Kjo do të thotë se kafsha e flijuar është vetëm ndërrim simbolik me atë që njeriu duhet flijuar.  Ilustrim konkret për këtë është shembulli i Ibrahimit a.s., i cili si baba flijon të birin Islamilin dhe shembulli i Ismailit i cili pranon të flijojë gjënë më të shtrenjtë -
vetveten.

Rasti i Ibrahimit a.s. dhe Ismailit a.s. është i papërsëritshëm në historinë njerëzore dhe si i këtillë duhet të ndikojë inspirativisht te ne besimtasrët në këtë shekull kundërthëniesh dhe antagonizmash, humbje vlerash dhe egoizmi, në kohën kur njeriu po humb çdo gjë që e bënë atë njeri.


 

B. Dimensioni moral i kurbanit


Kur'ani përmban mbi 200 ajete të karakterit juridik që drejtpërdrejt trajtojnë aspekte të ndryshme juridike. Ky fakt fletë qartë se pjesa tjetër me mbi 6000 ajete, kryesisht janë të karakterit moralo-etik. Synimi parësor i tyre është formimi i njeriut dhe i vetëdijes dhe karakterit të tij. Institucioni i kurbanit, pa dyshim, është shembulli më tipik i formimit të njeriut: vetë akti i kurbanit tregon gatishmërinë kulmore të besimtarit për dashuri ndaj Allahut dhe për zbatimin praktik të urdhrave të Tij.

Akti i premjes së kurbanit, në shikim të parë i vrazhdë, primitiv e mizor, zhvillon te besimtari vetëdije por edhe kritere, në bazë të të cilave ai do t'i valorizojë kategoritë etike dhe do t'i afirmojë vlerat pozitive:

Jeta                                  -
Shkatërrimi i jetës
Amshueshmëria            -
Gjerat kaluese
Uniteti                               -
Jouniteti
Fuqia                                -
Pafuqia apo dobësia
E vërteta apo urtësia     -
Gënjeshtra apo jourtësia
Dashuria                          -
Urrejtja
Mirësia                              -
 Çoroditja, përdhosja etj.

Uniteti, solidariteti, altruizmi dhe vetëdija se flijimi i një pjese të njerëzisë në dobi të pjesës tjetër është çelësi i shpëtimit të një bashkësie nga shkatërrimi i saj  dhe shkalla më e lartë që synon Kur'ani.


 

C. Dimensioni social i kurbanit


Gjithë ç'ka në qiej dhe në tokë i përket Allahut të lartësuar. Njeriu është shfrytëzues i tyre. Që të bëhet një ndarje sa më e drejtë e të mirave ndërmjet njerëzve dhe botave tjera, Allahu vendosi rregulla. Aplikimi i këtyre rregullave është në funksion të çrrënjosjes së varfërisë, të vigjilimit të klasës eksploatuese dhe të eksploatuar etj. Një nga ato rregulla në aspektin social është edhe kurbani, qëllimi parësor i të cilit është barazia sociale ndërmjet njerëzisë. Gëzimi që përjeton i pasuri duhet t'i buzëqesh edhe të varfërit, por edhe kategorisë që për shkak të dinjitetit, modestisë apo ngurrimit nuk e shprehin dhe nuk e dëshmojnë varfërinë e tyre.

Përveç aspekteve të theksuara, funksioni social i kurbanit në kohët e kaluara më tepër kurse në kohët aktuale diç më pak, fiton në rëndësi edhe për arsye se akti i kurbanit kryhet pas namazit të bajramit, prej nga rrjedh ideja për unitet. Për ta kryer aktin e premjes së kurbanit në mënyrë të organizuar duhet të bashkohemi. Në këtë mënyrë, të varfërve do t'u ndihmohej jo vetëm ditën e parë, por gjatë disa ditëve të bajramit me ushqim të freskët.

Mirëpo, në kohët aktuale, me ndryshimet globale, për shkak të lëvizjeve të mëdha dhe dinamike të njerëzisë, për shkak se mënyratt e deritanishme të shpërndarjes së kurbanit nuk po gjejnë manifestim të plotë, kurbani po fiton një dimension të ri: grumbullimi dhe prerja e organizuar të kurbanit nën ambrellën e Bashkësisë Islame, konzervimi afatgjatë afatgjatë i mishit dhe shpërndarja e këtij mishi të konservuar në destinacione të ndryshme dhe të kontrolluar, edhe jashta nevojave të institucioneve arsimore të Bashkësisë Islame, institucioni i kurbanit po gjen shprehjen më të mirë dhe shumë më të drejtë në aspekt të sheriatit. Qytetarët mund të ndihmohen jo vetëm gjatë 3-
4 ditëve të bajramit, por gjatë tërë vitit dhe jo vetëm pse dikush është komshi, por atyre shtresave që vërtet kanë nevojë. Po ashtu, mund të ndihmohet edhe në raste emergjente, sikurse janë periudhat e pastermeteve, pasvërshimeve, pasluftërave dhe kriza të tjera.

Praktika për grumbullim dhe prerje kurbani tashmë në zbatim e sipër në Bashkësinë Islame të Kosovës është në rrugë të mirë të depërtojë në të gjtiha shtresat e besimtarëve, në fshat dhe qytet. Mirëpo, Bashkësia Islame në anën tjetër duhet ta çojë organizimin në këtë aspekt edhe më përpara, duke iu shmangur metodave organizative individuale dhe duke i afirmuar metodat institucionale.


 

Përfundim


Kurbani është akt, veprim që besimtari e bën në emër të Krijuesit, ndërsa për të shprehur gatishmërinë e tij për realizmin e parimeve hyjnore. Historia e njeh kurbanin nga fillimet e para (Ademi a.s. me bijtë e tij) e deri në ditët tona.

Përkundër faktit se kurbani gjatë historisë ka pësuar ndryshime në aspektin formal dhe të teknikës, esenca është e njëjtë: ai paraqet rast unikal simbolik dhe praktik të demonstrimit të besimit të tyre dhe ka ndihmuar që besimtarët nëpërmjet simbolit ta kuptojnë fenë e tyre më drejtpërdrejt. Simboli i kurbanit gjithashtu ka ndikuar që të unifikohet dimensioni shoqëror dhe religjioz, e të gjitha këto në frymën e maksimës së tewhidit: Nuk ka hyjni tjetër përveç Allahut.


Literatura:

1. Branko Bosnjak, Grcka filozofija, Zagreb, 1982.
2. Dusan Pajin, Filozofija Upanisada, Beograd, 1980.
3. Emile Durkheim, Elementarni iblici religioznog zivota, Beograd, 1982.
4. Enciklopedija zivih religija, Beograd, 1990.
5. Grup autorësh, Smisao i znacaj kurbana, Sarajevë, 1978.
6. Islamska Misao, nr. 55, Sarajevë, 1983.
7. Mala Enciklopedija Prosveta -
Opsta Enciklopedija, botimi IV, A-J, libri 1, Beograd, 1986.
8. N. Ibrahimi, Bazat e etikes islame -
Ahlaku, Shkup, 2005.
9. Religije svijeta, Zagreb, 1987.
10. Religiozni obredi, obicaji i simboli (ed. Jusef Keler), Beograd, 1980.
11. S. Kutub, Fi dhilalil-
Kur'an, pjesa II dhe V, botimi 8, Bejrut, 1979.
12. Vehbija Hodzic, Temelji islama, Sarajevë, 1971.