Dr. Muhammad Takij Usmani
Hyrje në sistemin financiar islam
Ç'është ekonomia islame; dallimi kryesor midis ekonomisë kapitaliste dhe asaj islame; financimi i mbuluar me pasuri; praktika e tanishme e bankave islame; musharakeja; musharakeja pakësuese; mudarabeja; kombinimi i musharakesë me mudarabenë etj.
Parathënie
Gjatë disa dekadave të fundit, muslimanët janë munduar ta ristrukturojnë jetën
e tyre në bazë të parimeve islame. Ata janë thellë të bindur se dominimi politik dhe ekonomik i Perëndimit, përgjatë shekujve të kaluar, i ka privuar ata nga udhëzimi hyjnor, sidomos në fushën socio-ekonomike. Prandaj, pas fitimit të lirisë politike, masat e gjera përpiqen për ringjalljen e identitetit të tyre islam dhe për organizimin e jetës së tyre kolektive në përputhshmëri me mësimet islame.
Në fushën e ekonomisë, për muslimanët e këtillë sfida më e madhe ka qenë reformimi i institucioneve të tyre financiare për t'i harmonizuar ato me diktatet e Sheriatit. Në një mjedis ku i gjithë sistemi financiar ka qenë mbështetur në kamatë, ka qenë detyrë e rëndë të ndërtosh institucionet financiare mbi një bazë pa kamatë.
Njerëzit e painformuar mirë me parimet e Sheriatit dhe me filozofinë ekonomike të tij, ndonjëherë besojnë se heqja e kamatës nga bankat dhe institucionet financiare do t'i kthente ato në shoqata bamirëse, në vend komerciale, të cilat ofrojnë shërbime pa ndonjë pagesë.
Natyrisht, ky është një supozim krejtësisht i gabueshëm. Sipas Sheriatit, huazimet pa kamatë janë të destinuara për aktivitete kooperative dhe bamirëse, e normalisht jo për transaksione komerciale, përveç në disa raste shumë të kufizuara. Kur është në pyetje financimi komercial, Sheriati islam ka një rregullim të ndryshëm në këtë drejtim. Është parim që personi i cili i jep para një tjetri duhet të vendosë nëse ai dëshiron t'i ndihmojë atij apo dëshiron të marrë pjesë në fitimet e tij. Nëse dëshiron t'i ndihmojë huamarrësit, ai duhet të heqë dorë për çfarëdo shume shtesë nga huaja që ia ka dhënë. Kryegjëja (kapitali bazë) e tij do të sigurohet e garantohet, mirëpo nuk është e lejuar asnjë pagesë e tepërt mbi këtë shumë bazë. Mirëpo, nëse ai i jep paratë për ta ndarë fitimin e realizuar nga pala tjetër, atëherë mund të kërkojë një hise të përcaktuar më parë nga fitimi i realizuar realisht nga huamarrësi, por duhet të pajtohet edhe për pjesëmarrjen në humbje, nëse huamarrësi pëson humbje.
Është e qartë, pra, se përjashtimi i kamatës nga aktivitetet financiare nuk nënkupton domosdo se financuesi nuk mund të realizojë fitim. Nëse financimi përdoret për qëllime komerciale, ai mund të mbështetet në konceptin e pjesëmarrjes në fitim dhe humbje, për çka musharakeja dhe mudarabeja kanë qenë dizajnuar qysh në fillim të së drejtës komerciale islame.
Megjithëkëtë, ka disa sektorë ku financimi në bazë të musharakesë ose mudarabesë nuk është i mundshëm ose i zbatueshëm për këtë ose atë arsye. Për sektorët e tillë, dijetarët bashkëkohorë kanë sugjeruar disa instrumente të tjera të cilat mund të përdoren për qëllim financimi, siç është murabahaja, ixhara, selemi ose istisna'i.
Lexo librin (e papërfunduar) në formatin PDF.