4. Detyrat e fëmijëve ndaj njëri-tjetrit


Fëmijët, djem dhe vajza, siç kanë detyra ndaj babait dhe nënës, ata kanë përgjegjësi edhe ndaj njëri-tjetrit. Ata ia kanë borxh njëri-tjetrit sjelljen e mirë dhe solidarizimin, mbështetjen dhe përkrahjen në punët dhe sjelljet e mira. Ata nuk e mbështesin njëri-tjetrin në punët dhe sjelljet e këqija e të shëmtuara. Nuk e mbështesin njëri-tjetrin në padrejtësi dhe në zullum.

Më të mëdhenjtë tregojnë mëshirë ndaj më të vegjëlve, kurse të vegjlit tregojnë respekt e nder ndaj vëllezërve e motrave më të mëdha.

Jo të gjithë fëmijët janë njësoj për nga pamja, aftësia, zotësia e pasuria, prandaj këto nuk duhet të bëhen shkak për xhelozinë dhe urrejtjen ndaj njëri-tjetrit, porse të shihen si begati e përbashkët familjare. Ajo që i mungon njërit, e plotëson tjetri dhe gjatë plotësimit të nevojave të njëri-tjetrit nuk kërkohen mirësi të kësaj bote, por nga i gjithë ky bashkëpunim dhe nga kjo bashkëjetesë pritet dashuria e çiltër, e pastër vëllazërore. Shpërblimin definitiv për të gjitha këto ata e presin prej All-llahut Fisnik e Bujar.

Në raportet vëlla-vëlla, vëlla-motër, motër-motër, ndikim të madh kanë vetë prindërit si dhe anëtarët e tjerë të familjes. Në qoftë se këta qysh si fëmijë trajtohen drejt, korrekt dhe me ndershmëri nga ana e prindërve dhe më të mëdhenjve të familjes, edhe pajtueshmëria, shkueshmëria dhe afërsia e tyre shpirtërore në të ardhmen do të jetë më e madhe dhe më e natyrshme. Kjo ndikon shumë në evitimin e fërkimeve të mundshme që zakonisht lindin midis fëmijëve.




 

Shko te Përmbajtja e librit ...