Printo!
Kategoria: Familja islame
Lexuar: 1280 herë



2. Detyrat e prindërve ndaj fëmijëve të tyre


Ndër detyrat kryesore të prindërve ndaj fëmijëve të tyre është që, kur të lindë fëmija, atij t’ia ngjitë një emër që ka kuptim të mirë e të bukur. Emrat më të bukur janë emrat e All-llahut Fuqiplotë, andaj ata mund të përdoren duke ia shtuar përpara emrin “abd-“ që nën-kupton “rob i”, si për shembull, një prej emrave të bukur të All-llahut xh.sh. është “er-Rahman”, ndaj edhe një fëmije mund t’i ngjitet emri “Abdurrahman”, që ka kuptimin “Rob i të Gjithëmëshirshmit”. Sipas një hadithi të Muhammedit a.s. “Emrat më të dashur te All-llahu xh.sh. janë emrat Abdullah dhe Abdurrahman” (Muslimi). Përveç emrave të tjerë të bukur të Zotit, fëmijëve është mirë t’u ngjiten edhe emrat e pejgamberëve që përmenden në Kur’an, pastaj emrat e shokëve (as’habëve) të Muhammedit a.s. dhe emrat e muslimanëve të mirë e të devotshëm që kanë jetuar përgjatë historisë islame. Për fat të keq, sot shumë prindër, sidomos ata që presin t’u lindë fëmija i parë, tentojnë të gjejnë një emër për fëmijën e tyre të cilin nuk do të duhej ta kishte pasur dikush më parë, pra kërkojnë diçka ekskluzive. Me këtë ata shpesh edhe përzgjedhin emra që nuk kanë kuptim thuajse në asnjë gjuhë. Një gabim tjetër që bëhet është se disa prindër përcaktohen që fëmijës së vet t’i ngjitin si emër një fjalë nga Kur’ani, por që në fakt këto fjalë nuk janë emra po janë ose folje, ose ndajfolje ose edhe parashtesa apo prapashtesa. Për shembull fjala “Jelid” (ka lindur) ose “Juled” (është lindur) ose “Esra” (ka ecur natën). Të gjitha këto janë folje. Po dëgjojmë edhe emra si “Alejna”, që në gjuhën shqipe do të thotë “mbi ne, sipër nesh”. Shpesh dëgjojmë edhe emra të gjuhës arabe, por që nuk kanë kuptim të mirë, madje kanë kuptim të keq, si për shembull “Ḥavije - حاوية” (magjistare ose fallxhore), sipas një kuptimi tjetër “Havije - هاوية” është emër i një shtrese të xhehenemit (shiko suren 101, el-Kari’ah, ajetet 9-11). Pra, jo gjithçka që ndodhet në Kur’an, është emër madje edhe jo emër i përshtatshëm për fëmijën. Në Kur’an po ashtu përmenden edhe emra të njerëzve të këqij si Faraon, Haman, Karun, Ebu Leheb etj., madje edhe emra të ndryshëm për djallin/dreqin, si Iblis, Shejtan, Hannas etj.

Prandaj, prindërit duhet të kenë kujdes shumë të madh në përzgjedhjen e emrit të fëmijës, sepse ai fëmijë do të identifikohet me të sa të jetë gjallë, bile edhe pas vdekjes. Të mos u ngjiten fëmijëve emra me të cilët ata do të turpërohen kur të rriten e kur ta marrin vesh kuptimin e emrave të tyre. Përveç mundësive të mira që i përmendëm më lart, do të shtonim këtu edhe emrat e bukur në gjuhën shqipe, si Bujar, Fisnik, Besnik, Lule, Pranvera etj.

Një detyrë tjetër e prindërve ndaj fëmijëve të tyre meshkuj është synetimi (rrethprerja) i tyre. Është një rekomandim i fuqishëm i Muhammedit a.s. që djemtë, mundësisht sa më të vegjël, të bëhen synet. Dobinë higjienike dhe shëndetësore të synetimit sot e vërtetojnë të arriturat shkencore e mjekësore. Synetimi i vajzave nuk është traditë me origjinë islame. Origjina e saj është në kulturat tjera, por që në kohë të caktuara përgjatë historisë është bartur edhe te disa popuj muslimanë.

Detyrë tjetër me rëndësi e prindërve ndaj fë-mijëve është kujdesi ndaj ushqimit të shëndetshëm, të mjaftueshëm dhe të matur, të përcjellë me lëvizje fizike të fëmijës si dhe veshmbathja sipas mundësive reale të familjes. Meqë prindërit janë ata që e furnizojnë familjen, në këtë rast fëmijët e tyre, ata janë të detyruar fetarisht që në familje të sjellin ushqim, furnizim dhe veshmbathje të fituar hallall, në mënyrë të ndershme. Pra, ushqimi i shëndetshëm si për nga feja ashtu edhe për nga shëndeti. All-llahu xh.sh. në Kur’anin fisnik thotë:

 

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا كُلُوا مِنْ طَيِّبَاتِ مَا رَزَقْنَاكُمْ وَاشْكُرُوا لِلَّـهِ إِنْ كُنْتُمْ إِيَّاهُ تَعْبُدُونَ

“O ju që besuat, hani nga të mirat (të pastrat) që u kemi dhënë, dhe falënderoni All-llahun, nëse jeni që vetëm Atë e adhuroni.” (el-Bekara, 2:172)

Përveç që ushqimi duhet të jetë i pastër nga aspekti fetar dhe nga ai i shëndetit, ai duhet të jetë edhe i mjaftueshëm dhe i matur, i baraspeshuar. Ushqimi i pamjaftueshëm dhe ai i tepruar shkaktojnë dëme shëndetësore te fëmija, që nuk kurohen lehtë. Prandaj All-llahu i Madhëruar në Kur’anin fisnik thotë:

 

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا لَا تُحَرِّمُوا طَيِّبَاتِ مَا أَحَلَّ اللَّـهُ لَكُمْ وَلَا تَعْتَدُوا إِنَّ اللَّـهَ لَا يُحِبُّ الْمُعْتَدِينَ

“O ju që besuat! Mos i ndaloni (mos i bëni haram) të mirat që All-llahu për ju i lejoi (i bëri hallall) dhe mos teproni, se All-llahu nuk i do ata që teprojnë (i kalojnë kufijtë).” (el-Maideh, 5:87)

Ajo që kërkohej për ushqimin, kërkohet edhe për veshmbathjen e fëmijës. Përveç që duhet të jenë të fituara nga hallalli, ato duhet ta ruajnë fëmijën nga temperaturat e ulëta e të larta. Në të njëjtën kohë, veshjet dhe mbathjet duhet të jenë në përputhje me normat morale të Islamit. Standardi i cilësisë së teshave duhet të jetë në proporcion me të ardhurat e familjes. Nuk ka kuptim dhe është nënçmuese, në qoftë se të ardhurat familjare janë të larta, ndërkaq cilësia e teshave të fëmijës të jetë e ulët. Po aq e papërshtatshme dhe e dëmshme është në qoftë se fëmijës i blihen tesha që e tejkalojnë buxhetin real të familjes. Me këtë ky fëmijë do të fitojë vesin e kryelartësisë dhe do të llastohet (lazdrohet), do të kërkojë gjithmonë t’i plotësohen dëshirat e tij maksimaliste, ndërkaq kjo nuk është një rritje dhe edukim i shëndoshë i fëmijës.

Ndër detyrat parësore dhe më të vështira të prindërve ndaj fëmijëve është edhe shkollimi, arsimimi dhe edukimi i tyre. Me këtë nënkuptojmë arsimimin dhe edukimin e përgjithshëm fizik, psikik, social, gjinor, moral dhe fetar. Kjo, përveç që është një e drejtë elementare e fëmijëve, është edhe një obligim si për shtetin ashtu edhe për familjen, dhe këto përveç që mbrohen me konventat e ndryshme ndërkombëtare mbrohen po ashtu edhe me normat dhe standardet islame. Edukimi i fëmijës fillon në familje dhe vazhdon pastaj në shkollë, në xhami, në shoqërinë më të gjerë, duke mos i harruar as edhe mjetet e komunikimit, si mediat e shkruara dhe vizuale por edhe internetin. Muhammedi a.s. thotë: “Asnjë prind nuk mund t’i dhurojë fëmijës së vet ndonjë dhuratë më të mirë sesa edukatën” (Tirmidhiu).

Gjatë edukimit të fëmijës, sidomos në familje, shumë me rëndësi është të dihet fakti se fëmijët e vegjël më shumë mësojnë nga ajo çfarë shohin te të tjerët sesa nga ajo që u thuhet atyre. Prandaj, prindërit aq sa duhet të kenë kujdes t’i mësojnë dhe edukojnë ata me fjalë, po aq, bile dhe më tepër, duhet të kenë kujdes se çfarë i mësojnë ata me veprat e tyre. Prindërit janë modeli i parë dhe ndofta definitiv në edukimin e fëmijëve të tyre. Nuk është asnjëfarë edukimi që t’i thuhet fëmijës të mos gënjejë e nga ana tjetër, për shembull, kur atë e thërret dikush në telefonin e shtëpisë, ta urdhërojë fëmijën që t’i thotë personit në telefon se ai nuk ndodhet në shtëpi. Me këtë sjellje të prindit fëmija nuk mësohet të mos gënjejë, përkundrazi edhe ky do ta bëjë të njëjtën gjë madje rrezikon të bëhet edhe dyfytyrësh i keq. Tregon Abdull-llah bin Amri r.a.: “Kur isha i vogël një ditë Pejgamberi a.s. ndodhej mysafir në shtëpinë tonë. Nëna ime më tha: ‘Eja bir të të jap diçka!’. Pejgamberi a.s. e pyeti nënën time: ‘Çfarë dëshiron t’i japësh?’. Ajo iu përgjigj: ‘Një kokërr hurme’. Pejgamberi a.s. i tha: ‘Mirë, sepse sikur të mendoje të mos i jepje gjë (ta gënjeje), do të ishte shkruar një gjynah (mëkat) për ty’” (Ebu Davudi).

Sipas kësaj porosie të Muhammedit a.s. prindërit duhet që, më së paku, të mos u premtojnë fëmijëve gjëra që nuk mund t’ua sigurojnë. Të gjithë anëtarët e familjes duhet të mësohen me realitetin dhe sidomos fëmijëve duhet t’u mësohet rruga e ngritjes së standardit të jetesës. Atyre duhet t’u mësohet se të mirat e kësaj bote nuk kanë fund, sepse pasuria e kësaj bote nuk ka fund, se sado pasanik që të jetë njeriu ai do të gjejë të tjerë që janë akoma më të pasur se ai, se zengjinllëk nuk është vetëm të kesh shumë mall, pasuri e para, por të jesh i kënaqur dhe mirënjohës për atë që e ke, sepse dikush nuk e ka edhe këtë që e ke ti, krejt kjo në frymën e hadithit të Muhammedit a.s. kur thotë:

 

لَيْسَ الْغِنَي عَنْ كَثْرَةِ الْعَرَضِ ولَكِنَّ الْغِنَي غِنَي النَّفْسِ

“Nuk është zengjinllëk të kesh shumë mall, por zengjinllëk është të kesh një zemër të pasur, zengjine.” (Buhariu)

Fëmijës duhet t’i mësohet e vërteta se pasuria fitohet me punë, me angazhim, me korrektësi dhe me përkushtim, se pasuria më e mirë dhe më e këndshme është ajo që fitohet me hallall dhe me ndershmëri. Pastaj, duhet t’i mësohet e vërteta akoma më e madhe se kjo, se pasuria e mirëfilltë në këtë dhe në botën tjetër, nuk janë të mirat materiale, por ato shpirtërore, se pasuria më e madhe është të jetosh brenda një familjeje, të jetosh në rreth me njerëz dhe shokë të mirë, të jesh i dobishëm si për veten, ashtu edhe për të tjerët...

Është shumë me rëndësi të theksohet se prindërit nuk duhet ta ndiejnë veten se janë zotërinj apo pronarë të fëmijëve të tyre dhe se kanë të drejtë të bëjnë me ta çfarë të duan. Jo dhe jo. Në qoftë se prindërit nuk kujdesen për mbarëvajtjen e arsimimit dhe edukimit të fëmijës së vet, ose nuk janë të aftë ta bëjnë këtë, si parimet islame ashtu edhe ligjet e shteteve moderne, parashohin marrjen e fëmijës nga duart e tyre. Këtu lind e drejta e shtetit që atë fëmijë ta shkëpusë nga familja e paaftë, për t’ia siguruar atij një të ardhme më të mirë.

Më pas, prindërit e kanë për detyrë të kujdesen që fëmijët e tyre të vazhdojnë shkollimin e lartë ose studimet ose të përcaktohen për ndonjë zanat dhe t’u ndihmohet atyre të inkuadrohen në tregun e punës. Mbështetja familjare në këto procese është shumë me rëndësi për të ardhmen e fëmijës por edhe të mbarë familjes. Po e theksojmë se në këtë fazë të jetës prindërit qëndrojnë pranë fëmijëve të tyre tanimë të rritur vetëm si mbështetës dhe jo si përcaktues. Ata nuk kanë të drejtë t’i detyrojnë fëmijët e tyre se cilin drejtim duhet të zgjedhin për studime ose për cilin zanat të përcaktohen ata. Fëmijët në këtë moshë duhet të jenë të aftë dhe kompetentë vetë ta përcaktojnë fatin e tyre në bazë të prirjeve që ata kanë.

Detyra, ndoshta e fundit, e prindërve ndaj fëmijëve të tyre është mbështetja e tyre në gjetjen e fatit të jetës me rastin e fejesës dhe të martesës. Edhe këtu roli i prindërve dhe i mbarë familjes është motivues, mbështetës dhe këshillues, por jo përcaktues. Djali i ri ose vajza e re në këtë moshë tanimë janë të aftë dhe kompetentë që vetë të marrin vendime për këto çështje. Detyrimi i tyre për t’u fejuar dhe martuar me personin e caktuar nuk lejohet as sipas fesë islame e as sipas ligjeve në fuqi të shteteve moderne. Prej kushteve themelore të fejesës dhe të martesës në këtë plan është pëlqimi i dyanshëm i të rinjve apo i partnerëve. Muhammedi a.s. ka thënë: “S’vlen martesa e vejushës derisa të pyetet dhe të merret urdhri i saj. S’vlen martesa e beqares derisa të merret leja e saj.” (Buhariu dhe Muslimi) Kur një vajzë erdhi te Muhammedi a.s. dhe i tha: “Babai im më ka fejuar me filanin për t’ia mbuluar atij mangësitë me mua (pra pa pëlqimin tim)”, Muhammedi a.s. e ftoi babanë e saj dhe në prani të tij i tha vajzës: “Je e lirë të vendosësh: ose vazhdo të jetosh me këtë njeri ose kërko prishjen e fejesës”. Ajo tha: “Unë po pajtohem me vendimin e babait tim, mirëpo desha që vajzat ta dinë se prindërit s’kanë të drejtë të vendosin në këtë çështje (pa pëlqimin e vajzave).” (Ne-saiu dhe Ibni Maxhe)

Përgjatë gjithë këtij procesi të rritjes, të edukimit, të shkollimit dhe të aftësimit për jetë të fëmijëve, prindërit janë të detyruar të jenë korrektë dhe të drejtë ndaj të gjithë fëmijëve dhe të mos bëjnë dallim midis tyre, në veçanti të kenë kujdes të mos bëjnë dallim midis djemve dhe vajzave. Disa prindër, për fat të keq, mashtrohen nga sjellja e ndonjërit fëmijë, sidomos kur ndonjëri prej tyre është më i dëgjueshëm, më i zgjuar e më çapkën se të tjerët, atëherë këta fillojnë ta duan e ta ledhatojnë atë më tepër sesa të tjerët. Kjo sjellje dhe mashtrim i prindërve është shumë i dëmshëm si për vetë fëmijën që e dallojnë, sepse ai do ta ndiejë veten më të mirë se të tjerët, po ashtu edhe për fëmijët e tjerë, sepse edhe ata do ta ndiejnë shpërfilljen dhe lënien pas dore nga ana e prindërve. Fëmijët janë shumë të prekshëm kur është në pyetje drejtësia dhe ata e ndiejnë, e diktojnë menjëherë padrejtësinë, diskriminimin. Nëse në familje të gjithë fëmijët nuk trajtohen njësoj, kjo shkakton pakënaqësi tek ata dhe kjo pakënaqësi çon në çrregullime të tjera psiko-emocionale dhe në prirjen që ata fëmijë këtë diskriminim që e përjetojnë në familje ta kompensojnë diku tjetër, jashtë familjes. Këtu ekziston rreziku që këta fëmijë ngrohtësinë dhe drejtësinë që u mungon në familje ta gjejnë në sekte apo në organizata të dyshimta e të rrezikshme për shoqërinë. Aty ku mbisundon drejtësia, korrektësia dhe ndershmëria, fëmijët e gjejnë veten më mirë, më të afërt me njëri-tjetrin, dhe e zhvillojnë më shëndetshëm personalitetin e tyre.

Fëmijët e rritur me personalitet të shëndoshë do të jenë të dobishëm si për veten, ashtu edhe për familjen dhe për mbarë shoqërinë.




 

Shko te Përmbajtja e librit ...