1. Detyrat e bashkëshortëve ndaj njëri-tjetrit
Ndër detyrat dhe përgjegjësitë më të rëndësishme të bashkëshortëve ndaj njëri-tjetrit është mbështetja dhe respektimi i ndërsjellë. Gruaja i qëndron burrit të saj gjithmonë pranë si me këshilla e me sugjerime për të mirën e të mbarën ashtu edhe me vepra, me punë e sjellje. Të njëjtën e bën edhe burri për gruan e tij. Ata vërtet duhet ta perceptojnë njëri-tjetrin si mbështetësit më të afërt e më të sinqertë, si në raste gëzimi e hareje ashtu edhe në raste pikëllimi e zemërimi. Të gjitha këto sjellje e veprime të tyre i përshkon dashuria e sinqertë ndaj njëri-tjetrit që kanë. Për këtë arsye Muhammedi a.s. ka thënë:
خَيْرُكُمْ خَيْرُكُمْ لِأَهْلِهِ وَأَنَا خَيْرُكُمْ لِأَهْلِي.
“Më i miri prej jush është ai që është më i mirë me familjen (gruan) e tij, ndërkaq unë jam më i miri në mesin tuaj në raport me familjen time”. (Tirmidhiu dhe Ibni Maxhe)
Mirësia ndaj njëri-tjetrit matet me sasinë e dashurisë, të respektit dhe të mirësjelljes që ata shfaqin ndaj njëri-tjetrit. Shembullin më të mirë ne si muslimanë e kemi gjithsesi, edhe në këtë plan, vetë Muhammedin a.s., moralin e lartë të të cilit e ka lavdëruar vetë All-llahu i Madhërishëm në Kur’anin fisnik.
Pejgamberi a.s. e lavdëron një grua e cila i përmbush detyrat e saj ndaj Zotit, por edhe ato ndaj familjes, duke e përgëzuar për këtë me Xhennet në botën e amshueshme, por edhe me një “xhenet” të kësaj bote gjithsesi. Ai a.s. ka thënë:
إِذَا صَلَّتِ الْمَرْأَةُ خَمْسَهَا وَصَامَتْ شَهْرَهَا وَحَفِظَتْ فَرْجَهَا وَأَطَاعَتْ زَوْجَهَا قِيلَ لَهَا: اُدْخُلِي الْجَنَّةَ مِنْ أَيِّ أَبْوَابِ الْجَنَّةِ شِئْتِ.
“Kur një grua i falë pesë kohët e namazit në ditë, e agjëron muajin e Ramazanit, e ruan nderin dhe dinjitetin e saj, e respekton dhe sillet me mirësi ndaj burrit të saj, asaj do t’i thuhet (nesër në Ahiret): ‘Hyr në Xhennet nga cilado portë e tij që të duash!’” (Ahmedi).
E njëjta mirësi e pret edhe burrin i cili sillet po në këtë formë sikurse gruaja e tij.
Jeta e lumtur familjare është e mundur vetëm në saje të mirëkuptimit dhe të mirësjelljes që ata kanë ndaj njëri-tjetrit. Prandaj, në këtë drejtim, nuk është mirë që detyrat dhe përgjegjësitë e njërit ndaj tjetrit t’i radhisim në formë të katalogut dhe të pretendojmë se ai burrë dhe ajo grua që i përmbush këto e këto detyra e përgjegjësi të radhitura në mënyrë të prerë dhe matematikore, do t’u garantojnë atyre qetësinë, lumturinë dhe mirëqenien. Jo. Mendojmë se vetëm respektimi formal i disa rregullave dhe normave, nuk e garantojnë lumturinë e pritur, në qoftë se përmbushja e tyre nuk bëhet me dashuri, me respekt e me mirësjellje. Këto vlera u japin shpirt detyrave dhe përgjegjësive. Vetë normat juridike nuk krijojnë raport emocional, nuk krijojnë dashuri, ato vetëm sigurojnë që të mos shkelen të drejtat e njerëzve që jetojnë në një përbashkësi. Dashurinë duhet kultivuar, asaj duhet t’i bëjnë hyzmet të gjithë njësoj.
Detyrë tjetër me rëndësi e bashkëshortëve ndaj njëri-tjetrit, e në veçanti e burrit ndaj gruas dhe familjes, është furnizimi me fitim hallall. Por e njëjta vlen edhe për gruan dhe fëmijët në qoftë se ata janë po ashtu të punësuar dhe bëjnë karrierë.
All-llahu i Madhëruar për furnizimin në përgjithësi, por për atë brenda familjes në veçanti, thotë:
قُلْ إِنَّ رَبِّي يَبْسُطُ الرِّزْقَ لِمَنْ يَشَاءُ مِنْ عِبَادِهِ وَيَقْدِرُ لَهُ وَمَا أَنْفَقْتُمْ مِنْ شَيْءٍ فَهُوَ يُخْلِفُهُ وَهُوَ خَيْرُ الرَّازِقِينَ.
“Thuaj: S’ka dyshim se Zoti im është Ai që i jep furnizim të begatshëm atij që do nga robërit e vet dhe Ai ia pakëson atij, e çka do që të jepni, Ai e kompenson atë dhe Ai është dhuruesi më i madh.” (Sebe’ 34:39)
Muhammedi a.s. e përcakton këtë akoma më shumë në hadithin e tij kur thotë:
أَفْضَلُ دِينَارٍ يُنْفِقُهُ الرَّجُلُ دِينَارٌ يُنْفِقُهُ عَلَى عِيَالِهِ.
“Dinarin (pasurinë) më të vlefshëm që e harxhon njeriu është ai dinar të cilin ai e harxhon për familjen e tij.” (Muslimi)
Në harxhimin e pasurisë të dytë duhet të jenë të kujdesshëm, të mos harxhojnë më pak sesa kanë nevojë dhe mundësi por edhe të mos e teprojnë. Harxhimet për familjen t’i bëjnë në përputhje me të ardhurat e tyre dhe në marrëveshje të plotë me njëri-tjetrin.
Në këtë drejtim, edhe ndarja e punëve brenda shtëpisë midis burrit dhe gruas, nuk duhet prerë si me gërshërë, këto e këto punë janë të burrit ndërkaq këto të tjerat janë të gruas. Ndarja e punëve brenda familjes nuk është punë e fesë islame, por për më tepër feja islame këtë e ka lënë në dorë të kulturës, të tra-ditës dhe të rrethanave të ndryshme kohore në të cilat jetojnë muslimanët. Vetëm lënia hapur e kësaj çështjeje është një mirësi e madhe dhe një vlerë e papërshkrueshme universale, sepse me këtë qëndrim feja islame i lë hapësirë vetvetes të jetë e pranishme dhe ushqyese në çdo kohë, në çdo vend dhe në çdo kulturë. Parimi bazë i Islamit si në çdo sferë, ashtu edhe në këtë pikë, është drejtësia. Punët të ndahen në mënyrë të drejtë dhe askush të mos i bëjë padrejtësi askujt.
Puna është detyrë e secilit që është i aftë të punojë. Në kryerjen dhe realizimin e kësaj detyre përkatësia gjinore nuk e luan rolin e përcaktuesit kryesor. Secili do ta bëjë atë që mendon se mund ta bëjë në mënyrën më të mirë të mundshme, sepse secili tanimë është i gatshëm, në bazë të dashurisë që ka ndaj tjetrit, ta flijojë veten për tjetrin deri në shkallën e pamundësisë. Edhe një herë, se cilat punë janë më të përshtatshme për gruan dhe cilat për burrin, këtë nuk e përcakton feja, porse kushtet, rrethanat, koha, tradita dhe kultura e vendit. Feja islame, meqë nuk e përcakton ndarjen e punëve brenda shtëpisë, ai edhe nuk e pengon ndryshimin në këtë plan. Punët që brenda një shoqërie a kulture janë paraparë vetëm për burrin në një kohë, të njëjtat mund të parashihen edhe për gruan në një kohë tjetër. Mjafton që këto punë, si të burrit ashtu edhe të gruas, të realizohen brenda kornizave të përgjithshme të fesë islame dhe të moralit islam, e në veçanti brenda parimit të drejtësisë e të sinqeritetit, siç thamë më lart.
Një ndër problemet kryesore që paraqitet për shembull në familjet e sapokrijuara të muslimanëve në shtetet perëndimore, është ndarja e punëve të shtëpisë sipas traditës dhe zakoneve të vendeve nga këta muslimanë vijnë. Kështu për shembull, një i ri nga vendlindja që martohet me një vajzë që jeton le të themi në Zvicër, ndër problemet e para që e përjeton kjo familje është se ky burri i ri nuk mund të gjejë punë sapo të vijë në Zvicër, andaj ai edhe pjesën më të madhe të kohës brenda ditës e kalon në shtëpi. Duke qenë se vjen nga një vend ku për shembull pastrimi i banesës dhe i shtëpisë, larja dhe hekurosja e teshave, zierja e ushqimit etj. njihen si punë grash, ai nuk ndërmerr asgjë në këtë drejtim, edhe pse thamë që ai vetë ka kohë të mjaftueshme po edhe mundësi për t’i kryer ato, ndërkohë që gruaja e tij punon në firmën ku ka pasë punuar edhe para se të martohej me të. Ky, nga krenaria burrërore dhe nga mendësia që e ka sjellë nga vendlindja, nuk merr guximin t’i ndihmojë gruas në kryerjen e punëve të shtëpisë. Këtu natyrisht që do të lindin fërkime midis burrit dhe gruas. Ajo që pritet në këtë fazë nga ky burri i ri, është ta ndjekë Muhammedin a.s. edhe në këtë plan.
Dikush e pyeti Aishen r.a., gruan e Pejgamberit a.s., se çfarë bënte ai gjatë ditës në shtëpi, ndërkaq ajo u përgjigj:
كَانَ بَشَرًا مِنَ الْبَشَرِ يَفْلِي ثَوْبَهُ وَيَحْلُبُ شَاتَهُ وَيَخْدُمُ نَفْسَهُ.
“Ai ishte sikur çdo njeri tjetër, i arnonte teshat e veta, i milte dhentë dhe kujdesej për punët e ve-ta”. (Ahmedi)
Në një version tjetër thuhet të ketë thënë:
كَانَ يَخِيطُ ثَوْبَهُ وَيَخْصِفُ نَعْلَهُ وَيَعْمَلُ مَا يَعْمَلُ الرِّجَالُ فِي بُيُوتِهِمْ.
“Ai i qepte teshat e veta, i riparonte këpucët e veta dhe bënte punët që i bën çdo burrë në shtëpinë e vet.” (Ahmedi)
Në një rast tjetër ajo është përgjigjur kështu:
كَانَ يَكُونُ فِي مِهْنَةِ أَهْلِهِ فَإِذَا حَضَرَتِ الصَّلاَةُ خَرَجَ إِلَى الصَّلاَةِ.
“Ai (Pejgamberi a.s.) ishte në shërbim të familjes së vet dhe kur afrohej koha e namazit dilte në xhami.” (Buhariu)
Pse Pejgamberi a.s. i ka kryer këto punë “grash” në shtëpi, ai me këtë nuk e ka humbur burrërinë, përkundrazi është bërë shembulli i burrit, i bashkëshortit më të mirë në historinë e njerëzimit.
Edhe te rasti me nusen, apo me renë, e cila vjen nga vendlindja, shpesh ndodhin situata jo të lakmueshme. Kështu, një vajzë që ka kryer shkollë ose studime në vendlindje, kur vjen si nuse e re në Zvicër, për shembull, në disa familje, burri ose familja e burrit vendosin që nusja e re të mbetet në shtëpi, për t’i kryer punët e shtëpisë, si amvise. Edhe në këtë rast kemi shkelje të dinjitetit të kësaj nuseje, sepse ajo tanimë ka kryer studimet dhe është humbje e madhe si për të, ashtu edhe për prindërit e saj që e kanë shkolluar, por në plan afatgjatë, është humbje edhe për familjen e re dhe për shoqërinë ku ajo jeton, në qoftë se nuk e ushtron profesionin për të cilin ajo është e aftë. Asaj duhet t’i lihet në dispozicion mundësia që vetë të vendosë nëse ajo dëshiron të mbetet amvise apo ta ushtrojë profesionin për të cilin ajo është e thirrur. Sa i përket fazës së lindjes dhe rritjes së fëmijës, ajo këtë do ta bëjë me marrëveshje të plotë me burrin e saj, duke qenë se të dy janë përgjegjës për rritjen dhe edukimin e fëmijëve.
Siç mund të vëreni, me dhëndurët dhe rejat që vijnë nga vendlindja për të jetuar këtu në Zvicër në një familje të re, shpeshherë lindin fërkime, konfrontime madje edhe probleme të mëdha, për shkak të mendësisë dhe traditave të ndryshme që ekzistojnë në vendin nga vjen çifti i ri dhe vendit ku është rritur çifti tjetër.
Shko te Përmbajtja e librit ...