3. Detyrat e fëmijëve ndaj prindërve


Duke qenë se prindërit janë shkaktarë të ardhjes së fëmijëve në këtë botë dhe duke qenë se ata sakrifikojnë gjithçka për fëmijën e vet, tanimë bëhet e qartë se fëmijët u detyrohen prindërve të vet sjelljen e mirë dhe respektin. Fëmijët detyrohen të sillen në mënyrën më të mirë e më të bukur të mundshme me prindërit e tyre. Këtë të vërtetë dhe këtë meritë të prindërve ndaj fëmijëve të tyre për respekt e thekson si Kur’ani fisnik ashtu edhe sunneti i Muhammedit a.s.. Kështu në Kur’anin famëlartë All-llahu xh. sh. thotë:
 

وَوَصَّيْنَا الْإِنسَانَ بِوَالِدَيْهِ حَمَلَتْهُ أُمُّهُ وَهْنًا عَلَى وَهْنٍ وَفِصَالُهُ فِي عَامَيْنِ أَنِ اشْكُرْ لِي وَلِوَالِدَيْكَ إِلَيَّ الْمَصِيرُ.


“Ne e kemi porositur njeriun për prindërit e vet (të sillet mirë me ta) – se nëna e vet e ka bartur në dëm të shëndetit të saj, kurse nga gjiri e ndan brenda dy vjetëve. – Të jesh mirënjohës ndaj Meje dhe prindërve tu! Tek Unë do të ktheheni.” (Lukman, 31:14)

Ai po ashtu thotë:

 

وَقَضَى رَبُّكَ أَلَّا تَعْبُدُوا إِلَّا إِيَّاهُ وَبِالْوَالِدَيْنِ إِحْسَانًاإِمَّا يَبْلُغَنَّ عِنْدَكَ الْكِبَرَ أَحَدُهُمَا أَوْ كِلَاهُمَا فَلَا تَقُلْ لَهُمَا أُفٍّ وَلَا تَنْهَرْهُمَا وَقُلْ لَهُمَا قَوْلًا كَرِيمًا .وَاخْفِضْ لَهُمَا جَنَاحَ الذُّلِّ مِنَ الرَّحْمَةِ وَقُلْ رَبِّ ارْحَمْهُمَا كَمَا رَبَّيَانِي صَغِيرًا


“Zoti yt ka përcaktuar që të mos adhuroni tjetër kënd përveç Atij dhe të silleni mirë me prindërit. Nëse njëri prej tyre, ose të dy, përjetojnë pleqëri te ti, mos u thuaj “of”! e as mos u fol me zë të lartë, por t’u drejtohesh me fjalë respekti të plotë. Shtrij përpara tyre krahët e përkulshmërisë dhe thuaj: “O Zoti im, ki mëshirë ndaj tyre, siç kanë pasur kujdes ata ndaj meje kur unë isha i vogël!” (el-Isra’, 17:23-24).

Transmeton Abdullah ibni Mes’udi r.a. duke thënë se e ka pyetur Muhammedin a.s.: “Cilën vepër/punë/sjellje e do më së shumti All-llahu i Madhërishëm?”.Ai mu përgjigj: “Falja e namazit në kohën e vet”. “Po pastaj?”- i thash. Më tha: “Sjellja e mirë ndaj prindërve”.I thash: “Po pastaj”. Më tha: “Lufta në rrugë të Zotit” (Buha-riu dhe Muslimi)

Na përcjell Abdullah ibni Omeri r.a. se ka pas ardhur një njeri te Muhammedi a.s. dhe i ka pas thënë: “Kërkoj pëlqimin tënd për hixhret (shpërngulje) dhe për xhihad (luftë në rrugë të Zotit), sepse shpresoj që për këtë të më shpërblejë All-llahu Fuqiplotë”. Muhammedi a.s. e pyeti: “A e ke gjallë ndonjërin prej prindërve?”. Ai iu përgjigj: “Po, i kam të dy gjallë”. I tha: “Dhe ti kërkon shpërblimin e Zotit?”. Ai iu përgjigj sërish: “Po, o i Dërguar i Zotit”.Atëherë ai i tha: “Meqë qenka kështu, atëherë kthehu te prindërit tu dhe shoqëroji në mënyrën më të mirë që mundesh?”(Buhariu dhe Muslimi).

Nga shumë hadithe të tjera të Muhammedit a.s. kuptojmë se respektimi dhe sjellja e mirë me prindërit është një vepër shumë e çmuar që të garanton lumturinë dhe mirëqenien në këtë botë dhe xhenetin në botën tjetër.




 

Shko te Përmbajtja e librit ...