Lexo këtë artikull në PDF
Të nderuar të pranishëm,
Fillimisht ju uroj me zemër në këtë atmosferë të begatë të këtij tubimi vlerash, që përforcon përherë e më shumë mirësinë e udhëzimit në Islam dhe rëndësinë që ka ruajtja e vlerave tona dhe rrezatimi i tyre në marrëdhënie me krejt krijesat e Zotit Një dhe dëshmimin tonë si garanci për sigurinë dhe paqen sociale, kudo qofshim dhe me këdo prej shoqërive ku jetojmë dhe punojmë, duke marrë si pikënisje ajetin kur’anor: “O ju njerëz! Kini frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një fryme dhe nga ajo krijoi palën e saj, e prej atyre dyve u shtuan burrra e gra”.[1]
Në krye të herës, më duhet të falënderoj imamët e nderuar shqiptarë në Zvicër, në mënyrë të veçantë ata që u bënë shkak për këtë takim me vlerë, vëllezërit dhe miqtë e mi të mirë, Imam Bekim ef. Alimi dhe Imam Rehan ef. Neziri me bashkëpunëtorë, për kontributet e tyre të gjalla dhe të dëshmuara në përhapjen e kësaj fryme të begatë të harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës ndërfetare, edhe këtu në mërgatë.
“Feja islame erdhi si vulë e shpalljeve të mëparshme dhe legjislacioneve hyjnore, njëkohë që i dërguari i saj, Hz. Muhamedi (a.s.) u dërgua për krejt njerëzinë, përgëzues dhe qortues. Islami deklaroi me të madhe se krejt njerëzit janë krijuar nga një frymë e vetme, në kuptimet e origjinës së përbashkët njerëzore[2], për të cilën, Kur’ani sqaron: “O ju njerëz! Kini frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një fryme dhe nga ajo krijoi palën e saj, e prej atyre dyve u shtuan burrra e gra”.[3]
Kjo origjinë e përbashkët, i jep gjithësecilit prej antarëve të kësaj familjeje të madhe njerëzore të drejtën e fisnikërisë njerëzore, pa dallim e racizëm, sikurse thekson edhe Kur’ani Famëlartë: “Ne vërtet i nderuam pasardhësit e Ademit (njerëzit)”.[4]
Pastaj, Krijuesi i gjithësisë e bëri diversitetin e njerëzimit në ngjyra, raca e gjuhë, argument prej argumenteve të madhështisë së Tij. Thotë në Kur’an: “Nga argumentet e Tij është krijimi i qiejve dhe i tokës, ndryshimi i gjuhëve tuaja dhe i ngjyrave tuaja. Edhe në këtë ka argumente për njerëzit”.[5]
Ky diversitet u bë shkak për bashkëpunimin në mesin e racës njerëzore, për afrimin e saj, për njohjen dhe takimin në të mirë. Ky parim njerëzor i përjetshëm e gjet pikënisjen e tij në udhëzimin hyjnor: “O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete”.[6]
Nga këtu themi se njerëzit janë të barabartë për nga origjina e tyre, por ata dallojnë me fenë, me përkushtimin dhe me veprat e mira, siç pohon edhe Kur’ani Famëlartë: “… s'ka dyshim se tek Allahu, më i fismi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (nga të këqijat)”.[7]
Të nderuar vëllezër,
Që në krye të herës, Kur’ani Famëlartë është shumë i qartë në përkufizimin e natyrës së marrëdhënieve normale të muslimanit me jomuslimanin, kur urdhëron: “Allahu nuk ju ndalon të bëni mirë dhe të mbani drejtësi me ata që nuk ju luftuan për shkak të fesë, e as nuk ju dëbuan prej shtëpive tuaja; Allahu i do ata që mbajnë drejtësinë”.[8]
“Ky është një sinjal i qartë nga ky ajet kur’anor drejt mënyrës së marrëdhënies së muslimanit me jomuslimanin, në gjendje paqeje. Është një marrëdhënie e ngritur mbi bërjen mirë, që e tejkalon pragun e drejtësisë, sikurse qëndron mbi nivelin e dhënies së të drejtave.”[9]
Ndërkohë, përgjatë historisë islame, faktet dëshmojnë sesi muslimanët “ishin të vëmendshëm për mbrojtjen e njerëzve të besës”[10] (të krishterëve dhe hebrenjve).
Ndër modelet dhe shembujt e mrekullueshëm në këtë kontekst, është edhe qëndrimi i dijetarit të madh të shekujve të shkuar, Shejkh Ahmed Ibn Tejmije (v. 728 h./1328), në kohën kur tatarët e dominuan Damaskun dhe mbreti pushtues desht të lironte muslimanët e burgosur.
Në këtë moment, Shejkh Ibn Tejmije e refuzoi me të madhe këtë vendim dhe kërkoi lirimin e krejt të burgosurve, muslimanë dhe të krishterë, duke sqaruar se: “Ne nuk pranojmë, veçse lirimin e krejt të burgosurve, muslimanë dhe jomuslimanë, sepse ata janë njerëz në besën tonë dhe ne nuk do të lëmë asnjë të burgosur, as prej njerëzve të besës, as prej njerëzve tanë!”[11]
Madje, dijetari i shquar ia obligoi muslimanëve vazhdimin e luftës kundër pushtuesit, deri në lirimin e krejt të burgosurve, gjë që e nxiti mbretin tatar të lironte krejt të burgosurit![12]
Hz. Muhammedi (a.s.), ishte i qartë kur thoshte prerazi: “Ai që i bën padrejtësi një njeriu në besë, a ia ha hakun e tij, a e ngarkon mbi mundësinë e tij, a i merr diçka pa dëshirën e tij, unë do të jem kundërshtari i tij në ditën e gjykimit!”.[13] Sikurse thoshte: “Ai që lëndon një njeri në besë (dhimmij), unë do të jem kundërshtari i tij dhe, atë që do ta kem kundërshtar, do ta kem kundërshtar në ditën e gjykimit!”.[14]
Nga këtu, edhe shqiptarët, kur ranë në kontakt me Islamin shekuj më parë, u mësuan dhe u edukuan me këto mësime dhe udhëzime hyjnore, mbi bazën e të cilave ndërtuan edhe modelin e tyre të mrekullueshëm të harmonisë ndërfetare, duke mbrojtur, respektuar e përkrahur vëllezërit e tyre të gjakut me fé të ndryshme.
“Islami në Shqipëri ishte tolerant dhe mbronte tempullin e çdo feje si kishat, asht edhe xhamitë”, shkruan Roberto della Roka.[15]
Pashko Vasën, megjithëse një i krishterë, Perandoria e kishte emëruar për qeveritar të Portës së Lartë në Liban![16]
Studiuesi i mirënjohur, Hajrudin Muja, tregon me fakte se: “Udhëpërshkruesi Italian Pagafeta (1568) kishte parë vetë se si murgjit e krishterë jetonin të lirë në mesin e muslimanëve, kurse udhëpërshkruesi francez Palerine (1582) ishte habitur me kallogjerët që kishin pasuri të madhe, liri të plotë e mbrojtje nga muslimanët!”[17]
Frang Bardhi përmend ndihmën që i kishin dhënë shqiptarët muslimanë në ndërtimin e kishës së shembur të Kabashit, kurse dhjetë shtëpitë e islamizuara të fshatit Kalvaç jepnin ndihmë vjetore për të mbajtur priftin e katundit.[18]
Kur Gruda po ngriste kishën në Llofkë, për të, kontribuan njëlloj si katolikët dhe muslimanët e Dinoshës.[19]
Në Mat, shumë kisha të braktisura prej qindar vitesh, u lanë ashtu, pa e trazuar askush një gur: “janë vakëf”[20], thonin banorët, siç shkruan studiuesi i mirënjohur, historian Kahreman Ulqini.
Udhëtarja amerikane, Roza Uajlder Lain, flet për shtëpinë e një malësori katolik të Shalës, ku buka ishte shtyrë deri pas mesnatës për shkak të vonesës së gjetjes së mishit të dhisë, për përkthyes Rexhepin (musliman).[21]
[Lord Bajroni në letrën që i dërgoi nga Preveza më 12 nëntor 1809 së ëmës, shkruante: “I dua shqiptarët shumë. Nuk janë të gjithë myslimanë, disa janë të krishterë, po ndasia fetare nuk sjell veç pak ndryshime në mënyrën e sjelljes së tyre”.][22]
“Famullitari i Dajçit të Bregut të Bunës në dioqezë të Shkodrës më 1702, në mungesë të qelës banonte në shtëpitë e myslimanëve.”[23]
“Në fillim të shekullit XX vazhdonte tradita e tolerancës fetare ndërmjet myslimanëve e klerikëve katolikë. Mustafa aga, personaliteti më i shquar në krahinën e Pukës, i lejonte françeskanët të thonin meshë në kullën e tij në Iballe më 1908.”[24]
Një shembull admirimi ishte edhe 28 dhjetori i vitit 1913, kur u ngrit në Shkodër flamuri kombëtar, muslimanë e katolikë, kambanoren e kishës së Gjuhadolit e lidhën përmes një konopi me minaren e xhamisë së Fushë Çelës, në të cilin valëvitejflamuri kombëtar.[25]
Lazër Mjeda, kryepeshkop i Shkupit, më 1917, nga Vjena shkruan: “Bajram Curri në një bisedim që pati me Guvernatorin e ri, i tha hapur se ishte një turp për të dhe për të gjithë arbërorët muslimanë, që ndërsa ata kishin tetëmbëdhjetë xhami vetëm në qytetin e Jakovës (Gjakovës – K.U.), katolikët nuk kishin një në të gjithë rrethin, e kjo nën një qeveri katolike. Pra çojini shpejt punëtorët, për ndryshe muslimanët e qytetit do t’i linin katolikëve një xhami të tyren për ta bërë kishë”.[26]
Dhe shembujt e këtillë, janë të panumërt dhe të larmishëm, falë Zotit!
Për ta mbyllur, duhet të theksohet me të madhe se: “Kujtesa popullore e Shkodrës na sjell fjalët e vepritmtarit dhe intelektualit të Rilindjes, Mati Logoreci (1867-1941), mësues i shkollës së parë shqipe në Prizren (1888): ‘Ne katolikët (shqiptar) ekzistojmë në sajë të myslimanëve. Po të mos ishin myslimanët, sllavët prej kohësh do të na kishin asimiluar ose do të na kishin përzënë prej këtej’.[27]
Po kështu, kishte shkruar më 1900 edhe një i krishterë korçar: ‘S’janë vallë myslimanët shqiptar që mbajtën në këmbë gjer më sot ato zakone të të vjetërve tanë që çuditën botën..?! Të mos ishin këta ‘tradhtarë’ të fesë, si thonë sa tradhtarë të mëmëdheut, Shqipëria nuk do të ishte aq e madhe sa është sot… Myslimanët shqiptarë i vunë frenë përhapjes së detit shqah…’[28]
Edhe Dom Nikollë Mazrreku në demaskimin e demagogjisë së Cordignano’s i thoshte se: “nëpërmjet Islamit nuk është shkombëtarizuar asnjë krahinë etnike shqiptare; një meritë dhe arritje tejet e madhe.”[29]
E kam thënë dhe vazhdoj ta përsëris se, kudo ku njerëzit bien në kontakt me Fjalën e Zotit dhe udhëzimin e Tij, pa e devijuar a interpretuar atë sipas tekave të nxituara, mendimeve ekstreme, a përçudnimeve fanatike, aty do të gjesh hapësirë për harmoni në diversitet dhe paqe sociale, që e kthen jetën e përkohëshme në këtë botë kalimtare në një oaz të mrekullueshëm paqeje e bekimesh hyjnore!
Për fund,
Më vijnë ndër mend fjalët e të nderuarit Dr. Salahudin Keftaro, në një konferencë ndërkombëtare të mbajtur në Damask, në vitin 2004, në ligjërimin e të cilit ka shumë të përbashkëta me realitetet shqiptare të harmonisë dhe bashkëjetësës ndërfetare.
Thotë: “Përqafimi i xhamive dhe i kishave në vendet tona (ka për qëllim Sirinë, Libanin, Palestinën e Jordaninë), është argument rrezatues i harmonisë së spikatur kombëtare, me të cilën mburremi dhe ftojmë mbarë botën të ecë në këto gjurmë, sikurse nuk e shfajësojmë vetveten nga disa gabime dhe rrëshqitje, pasi përsosmëria i takon vetëm All-llahut!”.[30]
Faleminderit!
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
(Referati i mbajtur në xhaminë “Hëna e Re” në Kreuzlingen, më 17/2/2024)
[1] Kur’ani, En-Nisa: 1.
[2] Dr. Bessam Axhik, El-hivarul-islamil-mesihi, botimi i dytë, Dar Kutejbe, Damask, 2008, f. 33.
[3] Kur’ani, En-Nisa: 1.
[4] Kur’ani, El-Isra: 70.
[5] Kur’ani, Er-Rum: 22.
[6] Kur’ani, El-Huxhurat: 13.
[7] Kur’ani, El-Huxhurat: 13.
[8] Kur’ani, El-Mumtehine: 8.
[9] Dr. Bessam Axhik, vep. e cit., f. 34.
[10] Po aty, f. 39.
[11] Dr. Bessam Axhik, vep. e cit., duke sqaruar edhe burimin e këtij transmetimi, f. 39.
[12] Po aty, f. 39.
[13] Transmetuar nga Ebu Davudi.
[14] Transmetuar nga El-Khatib, nga Ibn Mes’udi (r.a.).
[15] Roberto Moroco dela Roka, Feja dhe kombësia, f. 105.
[16] Hajrudin Muja, Në fenë e të parëve, f. 22.
[17] Po aty, f. 22.
[18] Po aty, f. 22-23, sipas: I. Zamputi: Relacione (II), dok. 2, f. 143.
[19] Po aty, f. 23, sipas: Andrija Jovičević: Malesija, Beograd, 1923, f. 30.
[20] Po aty, f. 23, sipas: Kahreman Ulqini, Faktorë kulturorë e fetarë, Shkodër, 1999, f.34.
[21] Po aty, f. 27, sipas: Rose Wilde Lane: Peaks of Shala, London, 1023, f. 62-68.
[22] Kahreman Ulqini, Toleranca fetare e shqiptarëve në zigzaget e historisë, Shkodër, 2016, f. 117.
[23] Po aty, f. 66.
[24] Po aty, f. 66.
[25] Hajrudin Muja, Në fenë e të parëve, f. 27.
[26] Kahreman Ulqini, Toleranca fetare e shqiptarëve në zigzaget e historisë, Shkodër, 2016, f. 67.
[27] Hajrudin Muja, Në fenë e të parëve, f. 38, sipas: Bota Sot, 17 nëntor 1998.
[28] Po aty, f. 38, sipas: Kalendar Kombëtar, Mot’i gjatë, Sofje, 1902, f. 61-72.
[29] Po aty, f. 38, sipas: Nikë Barcolla: “Skandali ‘Cordignano’ dhe mprojtja e kombit shqiptar”, Dallas, 1997, f.43, etj.
[30] Ing. Muhammed Enver Verda, Muslimune ve Mesihijjune fi muvaxhehetit-tehadijjat, botimi i parë, Dar Gar Hira, Damask, 2005, f. 99.