Prof. Dr. Mehmet Görmez
Lexo këtë artikull në PDF
Në ligjëratën e katërt përgjatë këtyre kohëve të vështira që po i kalojmë, dëshiroj ta trajtoj çështjen e jetës sonë të ibadeteve (adhurimeve). Siç e dini, pas një jave hyjmë në muajin e bekuar të Ramazanit. Si çdo vit, na vjen një mysafir i bekuar nga larg. Si një sofër qiellore, Ramazani inshallah do të na sjellë rahmet (mëshirë) e bereqet. Mirëpo, kësaj radhe ai do të ballafaqohet me një botë krejt tjetër. Të gjitha xhamitë në botë do të jenë të mbyllura. Jo vetëm namazet plot entuziazëm të teravive, por, për fat të keq, edhe namazet ditore nuk do të mund t’i kryejmë në xhami. Nuk do të mund ta falim as namazin e xhumasë, që është festa jonë javore dhe simboli i madh i fesë islame. Edhe Qabeja në Mekke është e mbyllur. Ashtu siç ndodhte në vitet e kaluara, shumëkush prej nesh nuk do të mund të shkojë në Umre për ta ndrequr botën e tij të zemrës; nuk do të mund të bëjë tavaf rreth Qabesë. Ibadeti i haxhit është anuluar për sivjet (akoma nuk ka lajme zyrtare për këtë – sh. p.). Ndoshta sivjet askush nuk do të mund ta përfaqësojë botën islame me qëndrimin në Arafat. Dhe kjo nuk ndodh vetëm me ne. Të gjitha faltoret e të gjitha feve do të mbeten të mbyllura. Për fetë e tjera nuk do të mund të flas më shumë, mirëpo ne jemi dëshmitarë se mbarë njerëzimi, pjesëtarët e të gjitha feve, me një habi të madhe janë duke i ndjekur dhe kundruar rrjedhat e kohës nëpër të cilën po kalojmë. Unë e ndiej, e di dhe e përjetoj edhe vetë se çfarë mërzie dhe çfarë shqetësimi krijon kjo situatë për ne muslimanët. Mirëpo, kur e kujtoj konceptin e ibadetit në Kur’an dhe në Sunnet, parimet universale të ibadetit në Islam si dhe të xhamisë, të mesxhidit dhe të faltores, atëherë më qetësohet zemra.
Në këtë ligjëratë timen dua t’i ndaj me ju pikërisht këto parime universale të fesë sonë.
E para, ne jemi pjesëtarë të një besimi sipas së cilit toka është mesxhid (faltore). Nuk duhet ta harrojmë fjalën e qartë të Muhammedit a.s. në këtë drejtim kur ka thënë:
جُعِلَتْ لِيَ الأَرْضُ مَسْجِدًا وَطَهُورًا
“Për mua (dhe ummetin tim) toka më është bërë vend sexhdeje (faltore) dhe mjet pastrimi” (Buhariu, Muslimi etj.)
E dyta, në asnjë ibadet (adhurim) tonin, ne nuk kemi nevojë në asnjë mënyrë për ndonjë ndërmjetësues. Në dhikrin tonë (përmendja e Zotit), në tesbihin tonë(lavdërimi i Zotit), në sexhden tonë (rënia me ballë në tokë për Zotin), në namazin tonë, me një fjalë, në ibadetin tonë ne s’kemi nevojë për ndërmjetës midis nesh dhe Zotit. Në mesin e të gjitha feve që jetojnë sot, ne jemi një bashkësi besimtarësh, të cilët në namazet tona nuk kemi nevojë për ndërmjetësim.
E treta, të kuptuarit tonë të ibadetit nuk përbëhet vetëm nga ibadetet tona formale që i njohim ne, siç janë namazi, agjërimi, haxhi, umreja etj.
E katërta, ne kemi një konceptim më ndryshe të faltores, të objektit të adhurimit. Faltorja në Islam nuk është parakusht i ibadetit, i adhurimit tonë. Faltoret tona nuk janë vende prestigji. Ato janë vende që i afrojnë dhe i bashkojnë zemrat dhe shpirtrat e njerëzve.
E pesta, ne kemi një jurisprudencë shumë universale të ibadeteve e cila e në hollësi rregullon edhe mënyrën e kryerjes së ibadeteve tona në raste zori dhe nevoje. Kjo jurisprudencë ka një usul, ka një metodologji të veçantë të saj.
Duke u mbështetur në këto parime që i përmenda, lirisht mund të them se mbyllja e xhamive, mosfalja e namazit të xhumasë, mosfalja e namazit me xhemat, moskryerja e haxhit dhe e umres, ne në asnjë mënyrë nuk na pengon të mos e kryejmë adhurimin tonë, që është një shprehje e përgjegjësisë sonë kundrejt Krijuesit. Ne, çdo gjendje tonën, mund ta kthejmë në një ibadet më të madh, në një mëshirë më të madhe.
Natyrisht se namazi është shtylla e fesë. Ai nënkupton takimin pesë herë në ditë të njeriut me Zotin e vet. Në veçanti të rinjtë dhe të rejat tona nuk duhet ta privojnë vetveten nga ky takim pesë herësh në ditë me Zotin e tyre. Mirëpo, ibadeti ynë nuk përbëhet vetëm nga namazi. Ne kemi një konceptim universal të ibadetit, i cili vetë jetën e quan ibadet. Ne kemi mundësinë që këtë ndejën nëpër shtëpitë tona, që e bëjmë me qëllim që ta shpëtojmë vetveten, fëmijët tanë, familjen tonë dhe mbarë shoqërinë, ta kthejmë në ibadet. Kryerja e çdo vepre të mirë, quhet ibadet në Islam. Shpërndarja e dijes, shërbimi ndaj dijes, është po ashtu ibadet. Ruajtja e shpresës ndaj Zotit është ibadet. Përçimi i gëzimit te njerëzit e tjerë është ibadet. Largimi nga çdo e keqe, lufta kundër së keqes, është ibadet. Të qëndrosh larg punëve të pakuptimta, të padobishme e të kota, është ibadet. Largimi i një gjëje që i pengon dikujt, është ibadet. Muhammedi a.s. madje këtë të fundit e përmend edhe brenda përkufizimit të imanit (besimit). Plotësimi i nevojave të njerëzve, ndarja e lëmoshës, është ibadet. Durimi, pajtimi me atë që të ndodh, është ibadet. Të flasësh fjalë të mira, t’i buzëqeshësh tjetrit, është ibadet. Të fitosh zemrat e njerëzve, të bëhesh i dashur për njerëzit, është ibadet. Sipas kësaj, Islami ka një konceptim të gjerë të ibadetit. Natyrisht, duke mos i lënë pas dore ibadetet bazike, themelore.
Falja e namazit me xhemat në xhami është sunnet muekked (sunnet i fortë). Mirëpo, ruajtja e jetës është farz (e domosdoshme). T’ia ngjitësh dikujt me vetëdije një sëmundje është haram (e ndaluar rreptësisht). Prandaj, për ta kryer një vepër që është sunnet, natyrisht se askush prej nesh nuk mund ta braktisë një farz apo ta punojë një haram. Në këto kushte ne edhe shtëpitë tona mund t’i kthejmë në faltore. Namazi i xhumasë s’ka fjalë se është një ibadet shumë me rëndësi, është një ibadet shoqëror dhe është një simbol i Islamit. Mirëpo, këtu me rëndësi është koha dhe jo vetë namazi. Pra, me rëndësi është dita e xhuma. Dy reqatë farz të xhumasë janë bërë farz si kompensim për katër reqatë të drekës. Kur kompensimi nuk ka mundësi të kryhet, atëherë ne i kthehemi asaj që është bazike dhe mjaftohemi me faljen e namazit të drekës. E drejta islame e ka sqaruar shumë mirë këtë gjë.
Për ata që janë përgatitur por që nuk do të mund të shkojnë ta kryejnë haxhin apo umren, për shembull, në këtë kohë shumë të vështirë të njerëzimit, ato mjete që i kanë kursyer mund t’ua shpërndajnë nevojtarëve dhe familjeve të varfra dhe me këtë të fitojnë shpërblimet dhe sevapet e umres dhe të haxhit. Ata që nuk do të mund të bëjnë tavaf (rrotullim) rreth Qabesë, mund të bëjnë tavaf rreth zemrave të familjeve të varfra e me fëmijë jetimë. Natyrisht, sikur të ishte rruga çelë dhe sikur të ekzistonte mundësia për të kryer umren dhe haxhin, ato duheshin kryer. Këto nuk janë alternativa të njëra-tjetrës. Në këtë pikë nuk dua të keqkuptohem. Mirëpo, kur mbyllet rruga për këto, atëherë me rehati shpirtërore mund të parapëlqehen këto të tjerat. Muhammedi a.s. një ditë duke e bërë tavaf Qabenë, iu drejtua asaj me këto fjalë:
مَا أَطْيَبَكِ وَأَطْيَبَ رِيحَكِ مَا أَعْظَمَكِ وَأَعْظَمَ حُرْمَتَكِ وَالَّذِي نَفْسُ مُحَمَّدٍ بِيَدِهِ لَحُرْمَةُ الْمُؤْمِنِ أَعْظَمُ عِنْدَ اللَّهِ حُرْمَةً مِنْكِ
“Sa e këndshme që je, oj Qabe! Sa aromë të mirë që ke! Sa madhështore që je dhe sa të madhe që e ke shenjtërinë! Pasha All-llahun, në dorën e të Cilit ndodhet shpirti im, shenjtëria e një besimtari – sipas një versioni tjetër: zemra e një muslimani - tek All-llahu është më e madhe se shenjtëria jote.” (Ibnu Maxheh)
Sivjet, qëndrimi larg nga ato sofrat e iftareve të kushtueshme, në fakt do të jetë një avantazh, një epërsi për ne. Mirëpo, nga ana tjetër, duhet të kuptojmë se sadakatë (lëmoshat) tona mund të na përfaqësojnë ne më mirë në sofrat e familjeve të varfra.
Në situatën në të cilën ndodhemi, dua t’i them disa fjalë që kanë të bëjnë me metodologjinë. Të gjitha rregullat e Islamit ndahen më tri: darurijjat, haxhijjat dhe tahsinijjat. Darurijjat janë rregullat e domosdoshme dhe të pashmangshme. Haxhijjat janë gjërat që e lehtësojnë jetën, edhe pse nuk janë të domosdoshme. Ndërkaq tahsinijjat janë ato plotësueset dhe zbukurueset.
Në krye të darurijjateve janë pesë bazat kryesore. Këto janë ruajtja e jetës, e pasurisë, e familjes, e mendjes dhe e fesë. Mirëpo të gjitha këto vijnë pas ruajtjes së jetës. Sepse të gjitha përgjegjësitë, përfshirë edhe fenë, varen nga vazhdimësia e ekzistimit të njeriut. Me këtë sigurohet që jeta e njeriut të vazhdojë deri në kijamet. Brenda kësaj kornize, Zoti ynë në Librin e Tij të shenjtë, në Kur’an, ka vënë parime shumë të qarta. P.sh.:
وَمَا جَعَلَ عَلَيْكُمْ فِي الدِّينِ مِنْ حَرَجٍ
“Ai nuk ju ka bërë juve në fe kurrfarë vështirësie...” (el-Haxhxh, 22:78)
يُرِيدُ اللَّـهُ بِكُمُ الْيُسْرَ وَلَا يُرِيدُ بِكُمُ الْعُسْرَ
“All-llahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk ju dëshiron vështirësim.” (el-Bekara, 2:185)
لَا يُكَلِّفُ اللَّـهُ نَفْسًا إِلَّا وُسْعَهَا
“All-llahu nuk ngarkon askënd përtej mundësive të tij...” (el-Bekara, 2:286)
Edhe Pejgamberi a.s. ka thënë: “Feja është e lehtë.” (Buhariu)
Krahas këtyre ibadeteve tona individuale, në këto kohë të vështira për mbarë njerëzimin, është edhe momenti i reflektimit dhe i meditimit për vetveten dhe për mbarë njerëzimin. Këto ibadete tonat duhet t’i kthejmë në reflektim dhe meditim. Është koha e marrjes së vetvetes në pyetje.
Në Kur’an përmendet një koncept shumë i rëndësishëm që quhet “ibret” (marrje mësim, nxjerrje e përfundimit). Ai përmendet nëntë herë në Kur’an. Ibreti nuk është vetëm një fjalë goje apo një term bosh. Ai në të vërtetë është një metodë e të kuptuarit, është një metodë konceptimi dhe interpretimi. Ibreti është rruga e vlerësimit të drejtë me anë të arsyes, të perceptimit dhe të mendjehollësisë, e ngjarjeve të mëdha që i ka përjetuar familja njerëzore. Ibreti është kalimi nga materialja në shpirtëroren, nga bota imagjinare në atë realen; me një fjalë, ibreti nënkupton ndryshimin e dimensionit. Ibreti nënkupton të menduarit rreth ekzistencës, rreth gjithësisë dhe rreth ligjeve që All-llahu xh.sh. i ka vënë në gjithësi. Ibreti është nxjerrja e mësimit me mendjehollësi nga përvojat e hidhura, duke menduar rreth tyre me anë të një arsyeje të përbashkët. Ibreti nuk është një kuptim në vete, por është mënyrë shikimi me mendjehollësi e lidhjes midis shkakut dhe pasojës së ngjarjeve, është të menduarit e thellë rreth tyre, është nxjerrja e mësimeve prej tyre. Në fakt, ibreti është një predikues i pafjalë dhe i pazëshëm i Zotit. Në gjuhën arabe, një emër tjetër për lotin që del nga syri është edhe abra që rrjedh nga rrënja e njëjtë e fjalës ibret, nga arsyeja se loti i shpreh pa zë mendimet dhe ndjenjat tona të brendshme. Pasi t’i ketë rrëfyer ngjarjet dhe tregimet e së kaluarës Kur’ani në fund të tyre thotë se në to ka “mësim për ata që shohin thellë”. Në një ajet tjetër ai thotë:
فَاعْتَبِرُوا يَا أُولِي الْأَبْصَارِ
“... merrni përvojë e mësim, o ju të zotët e mendjes!” (el-Hashr, 59:2)
Nuk mund të ketë ibret, nxjerrje mësimi, pa menduar, pa reflektuar dhe pa shikuar thellë.
Ne, mbarë njerëzimi, jemi duke kaluar një kohë të vështirë ku pikërisht këtu mund të nxjerrim mësime. Është koha për të menduar rreth vetvetes, rreth ekzistencës, rreth qëllimit dhe urtësisë së ekzistencës, rreth drejtimit të lëvizjes së botës e të njerëzimit. Ky është ibadeti më i madh. Në qoftë se këtë që po e përjetojmë tani e përkufizojmë vetëm si një sëmundje ngjitëse me origjinë nga Kina dhe që e ka kapluar tërë botën, në fakt me këtë ne nuk e kemi nxjerrë mësimin e nevojshëm. Kur ta lexojmë me ibret këtë që po e përjetojmë, do të shikojmë se kjo, ne dhe mbarë botës, na bërtet kumbueshëm:
- O njerëz, ejani dhe mos u sillni si pronarë dhe zotërues të kësaj natyre! Hiqni dorë nga sjellja juaj zotëruese dhe shpërdoruese ndaj natyrës! Lëreni garën për mbisundim dhe çrregullim të natyrës! Garoni për ta ndërtuar jetën mbi sipërfaqen e tokës! A nuk thotë Zoti në Kur’an:
هُوَ أَنشَأَكُمْ مِنَ الْأَرْضِ وَاسْتَعْمَرَكُمْ فِيهَا
“... Ai së pari ju krijoi nga toka dhe ju kërkoi ta bëni atë të banueshme...” (Hud, 11:61)
E pra, mos bëni çrregullime në tokë! Mos e prishni rendin në tokë në emër të ndërtimit! Natyra dhe mbarë gjithësia janë mirësi të lëna amanet në duart tuaja. Ejani dhe mos e tradhtoni amanetin! Kjo kohë që po e përjetojmë tani na brohorit këtë të vërtetë. Ju jeni fëmijët e të njëjtës tokë, të të njëjtit ujë. E thithni të njëjtin ajër, ju të gjithë. Nuk mund t’i numëroni deri në fund mirësitë që Zoti jua ka falur juve. Për hir të lakmisë dhe pangopësisë suaj, mos e ndotni ajrin që e thithni! O njerëz, mos e dëmtoni tokën! O njerëz, mos e ndotni ujin! O njerëz, hajeni atë që është hallall dhe e pastër! O njerëz, rrini larg asaj që është e keqe dhe e neveritur! O njerëz, natyra është muslimane, në kuptimin se ajo i është nënshtruar dhe përkushtuar Zotit: “E, Atij i përulen të gjitha ato që gjenden në qiej dhe në tokë...”(Alu Imran, 3:83). E pra, mos e prishni pastërtinë e natyrës! Mos u përzini në përulësinë e saj!
- O njerëz, çmojeni njeriun, të cilin Zoti e ka krijuar të ndershëm! Mirëpo edhe hiqni dorë nga projektimi i një “mbinjeriu”, të cilin ai e pozicionon përballë dhe kundër Zotit! Hiqni dorë nga refrenet e llojit “Zoti vdiq”! Mos e harroni dobësinë tuaj! Zhvishni teshat e mendjemadhësisë me të cilat e keni mbuluar dobësinë tuaj! Vërejeni dobësinë tuaj!
- O njerëz, qenien mos e reduktoni në materie! Njeriun mos e reduktoni në trup! Njeriu nuk është një qenie vetëm nga mishi dhe eshtrat. Hiqni dorë nga lufta kundrejt shpirtit! Mos e shpërfillni dimensionin metafizik dhe shpirtëror të qenies! Hiqni dorë nga lufta me hapësirën dhe mos e skllavëroni njeriun për hir të kësaj!
- O njerëz, ngarendni pas dijes! Mos hiqni dorë nga dija! Dija ka peshë dhe rëndësi. Vazhdoni të prodhoni dije! Mirëpo, mos mendoni se dija është vetëm mendja! Shkencën mos e ktheni në dogmë të shenjtë! Shkencën mos e përdorni kundër natyrës së njeriut! Hiqni dorë nga armët kimike!
- O njerëz, hiqni dorë nga shndërrimi i politikës në një hegjemoni të pronës duke e përdorur mendjemadhësinë dhe pasionin për fuqi! Përkundrazi, shndërrojeni atë në garë shërbimi me moral, me drejtësi e me mëshirë ndaj njerëzimit! Hiqni dorë nga sevdaja e sundimit të botës në emër të globalizimit!
- O njerëz! - Kjo kohë nëpër të cilën po kalojmë sikur po na klith: - Mos e ndani botën vazhdimisht në Lindje dhe Perëndim! “Të All-llahut janë edhe lindja edhe perëndimi...” (el-Bekara, 2:115). Oj Lindje, në vend që vazhdimisht ta mallkosh Perëndimin, bëhu dielli që lind mbi të! O Perëndim, në vend që vazhdimisht ta margjinalizosh Lindjen, përfito nga dielli që lind nga Lindja! Çmojeni dhe vlerësojeni botën! Mirëpo besoni se jeta nuk përbëhet vetëm nga kjo botë! Të përhershmen mos e flijoni për hir të së përkohshmes! Jeta në këtë botë është vetëm dera e parë e jetës së pafund, e jetës së amshueshme. Këtu me rëndësi është ta dimë se vendi i vetëm ku mund ta fitojmë ahiretin, jetën e amshueshme, është jeta e kësaj bote. Xhenneti është një kopsht, farën e të cilit e mbillni në këtë botë. Ndërsa Xhehennemi është një vend, zjarrin e të cilit ju e bartni me vete nga kjo botë.
Kjo kohë të cilën jemi duke e përjetuar edhe ne muslimanëve është duke na thënë shumëçka me anë të gjuhës së ibretit. A akoma nuk do të hiqni dorë nga luftërat me të cilat ju i shndërruat në gërmadha të gjitha ato hapësira gjeografike dhe të gjitha ato qytetërime të lashta të Islamit? Fenë e All-llahut kuptojeni drejtë! Lërini diskurset, ligjërimet e gabuara fetare që i keni krijuar ju me fantazitë tuaja! Në vend që të mundoheni ta tregoni pafundësinë e Ahiretit, hiqni dorë nga nënçmimi i kësaj bote, të cilën përndryshe jeni të obliguar ta bëni të banueshme! Natyrisht se duhet dhe do ta kritikojmë projektimin e atij “mbinjeriut”, të cilin dikush dëshiron ta pozicionojë karshi Zotit. Mirëpo, këtë kritikë ta bëjmë jo duke e nënçmuar njeriun dhe jo duke e sjellë atë që është njerëzore kundër asaj që është islame. Le t’i kritikojmë ideologjitë të cilat e kanë dogmatizuar shkencën! Mirëpo këtë le ta bëjmë duke mos e mohuar dhe refuzuar shkencën, e cila në fakt është tefsiri, komentimi, i ligjeve që All-llahu i ka vendosur në këtë botë. Këtë le ta bëjmë duke prodhuar shkencë ashtu siç duhet. Urdhëroni, kësaj radhe le të jemi ne muslimanët ata që do ta shpëtojnë njerëzimin nga kjo bela e murtajë! Le ta zbulojmë ne vaksinën dhe ilaçin e saj! Le ta fitojmë ne sevapin e kësaj vepre të madhe! A nuk është Libri ynë fetar ai që na mëson se “shpëtimi i një jete është sikur ta kesh shpëtuar mbarë njerëzimin” (el-Maideh, 5:32)? Le të bëhemi ne muslimanët kësaj radhe ata që shpëtojnë jetë! Pasi dikush tjetër ta ketë zbuluar ilaçin e kësaj, ne le të mos merremi pastaj me diskutimet shterpe se këta njerëz në botën tjetër a thua ku do ta kenë vendin!
Të gjitha këto ibrete (mësime, leksione e paralajmërime) na bërtasin kumbueshëm se tanimë mbarë familja njerëzore, pa e lënë askënd përjashta, ka nevojë për një kontratë të re të mëshirës. Po, me një marrëveshje të mëshirës duhet të nisim një jetë të re, derisa Zoti të na i largojë të gjitha këto sëmundje ngjitëse e mynxyra të tjera tonat. Të gjithë ne jemi dëshmitarë të faktit se një virus kaq i vogël çfarë leksioni të madh po i jep mbarë familjes njerëzore.
Fjalët e mia po i përfundoj duke uruar që të gjitha këto kohë të zorshme e mynxyra të largohen sa më shpejt që të jetë e mundur për hatër të sofrës së mirësive qiellore që vijnë me muajin e bekuar të Ramazanit!
Mbetshi nën mbrojtjen dhe kujdesin e përhershëm të All-llahut xh.sh.!
Nga turqishtja:
Rejhan Neziri