Printo!
Kategoria: Analiza
Lexuar: 1225 herë

 
 
Joas Wagemakers
 
 
1.  Hyrje


Çdokush që tanimë e ka vizituar së paku një web faqe selefiste, ai duhet ta ketë kuptuar rëndësinë e “metodës” (menhexh sh. menahixh) në selefizëm. Me këtë nënkuptohet një shprehje e cila shënon zbatimin praktik të parimeve të besimit në fusha të ndryshme të jetës. Në artikullin e tij udhërrëfyes dhe tejet efektiv lidhur me selefizmin hulumtuesi Quintan Wiktorowicz bën dallimin e selefistëve sipas metodës së tyre në raport me shoqërinë dhe i ndanë ata në tri kategori: kuietistët (“të qetët” ose “puristët” siç i quan ai), të cilët “i theksojnë metodat jo të dhunshme të predikimit, purifikimit/pastrimit dhe edukimit”; selefistët politikë, të cilët “e theksojnë zbatimin e parimeve të besimit selefist në rrafshin politik”; dhe xhihadistët, të cilët “zënë një pozitë më militante dhe këtë e argumentojnë me pretekstin se rrethanat e dhëna kërkojnë dhunën dhe revolucionin”. Wiktorowicz jo një herë pretendon se këto rryma të ndryshme të selefizmit e ndajnë të njëjtën doktrinë besimi (akideh) dhe se ato dallojnë vetëm në aspekt të pikëpamjeve të tyre lidhur me menhexhin.

Siç kam treguar edhe në publikimet e mia të mëhershme, ky karakterizim i selefizmit shfaq disa pamjaftueshmëri. Së pari, jo të gjithë selefistët e ndajnë të njëjtën akideh, porse në fakt ata dallojnë shumë në mendime që kanë të bëjnë me çështje të besimit, prej çka rezultojnë konsekuenca të rëndësishme. Siç është çështja se cilat janë tiparet përbërëse të besimit dhe kur mund të llogaritet se dikush ka dalë nga besimi islam. E dyta, duket se Wiktorowicz termin menhexh e kupton kryesisht si zbatim të akides në nivelin social, ndërkaq ai ngërthen edhe metodat lidhur me llojet e ritualeve (ibadeteve). Wiktorowicz në fakt i zë në gojë edhe këto pika, mirëpo nuk i trajton ato si pjesë të konceptit të menhexhit. E treta, ka të bëjë me kategoritë që i paraqet Wiktorowicz. Ato në të vërtetë janë të dobishme, por nuk janë definuar mjaftueshëm. Ato në fakt janë më të shumëllojshme dhe më të ndryshme sesa që i paraqet artikulli i tij. E katërta, tri kategoritë e selefizmit (kuietistë, politikë, xhihadistë) – respektivisht menhexhet -, me të cilat merret Wiktorowicz, kryqëzohen me njëra-tjetrën në një farë shkalle. Në këtë artikull unë do t’i trajtoj këto dy pikat e fundit.

Në vijim fillimisht do të tregoj se menhexhet e ndryshme në selefizëm, të cilat i përshkruan Wiktorowicz, janë më të shumëllojshme sesa që pretendon ai dhe më pastaj do të prezantoj se në ç’masë këto kategori kryqëzohen me njëra-tjetrën. Sa i përket pikës së parë unë i jam qasur asaj më herët në mënyrë më të përgjithshme në një publikim, ndërkaq argumentin e fundit e kam trajtuar në shembullin e dijetarit jordanez Ebu Muhammed el-Makdisi, të cilin unë e quaj një “selefist kuietist-xhihadist”, pasi ai ngushtë mbështetet si në doktrinën dhe metodikën e kuietistëve ashtu edhe në të xhihadistëve. Përmes analizës së pikëpamjeve të ndryshme selefiste mbi konceptin e el-vela’ ve’l-bera’-së (lojalitetit dhe distancimit) ky artikull nxjerr në pah se ndërlidhjet midis menhexheve të selefistëve përgjithësisht nuk janë aq sistematike dhe konsistente si te rasti i el-Makdisiut, mirëpo gjithsesi se ekziston deri diku një përzierje e metodave te selefistët e të gjitha ngjyrimeve.

Ky ese mbështetet në hulumtimin tim nga viti 2006 e këndej mbi temën e el-vela’ ve’l-bera’-së në selefizëm, i cili hulumtim nga ana tjetër ndër të tjera mbështetet në leximin gjithëpërfshirës të teksteve relevante selefiste në gjuhën arabe dhe angleze (kryesisht të shkarkuar nga interneti) si dhe në hulumtimin në terren të mjediseve selefiste, veçanërisht në Jordani dhe në Arabinë Saudite. Duke u nisur nga leximi intensiv i literaturës selefiste në përgjithësi unë fillimisht do të jap një pasqyrë mbi menhexhet e ndryshme selefiste, e cila në fakt është më e detajuar dhe më e diferencuar sesa literatura sekondare që haset sot lidhur me këtë temë. Më pastaj vijon një skicë historike e konceptit të el-vela ve’l-bera’-së të bazuar në tekste të përzgjedhura. Më në fund analizoj se si format e ndryshme të el-vela ve’l-bera’-së zbatohen nga ana e selefistëve dhe se çfarë kuptimi ka kjo për kryqëzimin e metodave (menahixh) të ndryshme selefiste.


 

Nga gjermanishtja: Rejhan Neziri



Lexoni më tej tekstin e plotëPDF.