Prof. Dr. Ismail Bardhi


O besimtarë, nëse ndonjë njeri i pandershëm u
sjell ndonjë lajm, sqarojeni mirë, që të mos e
lëndoni (dikë) nga padijenia e pastaj të pendoheni
për shkak të asaj që keni bërë
”.
(Kur’an, 49:6)


Kur nuk mund të shpjegoni diçka që nuk e kuptoni, shpalleni atë si të rastësishme: me këtë keni thënë se dukuria të cilën e shpjegoni i shmanget arsyes njerëzore dhe qëndron jashtë ligjeve të njohura për të, por se është reale. Kështu është zbuluar rastësia si shpjegim për të pakuptueshmen dhe kjo neve na është ofruar si zëvendësim për fatin në kuptimin e paracaktimit. Në këtë kontekst edhe ndodhitë e fundit (themi të fundit sepse nuk duhet harruar fillimin e mijëvjeçarit të tretë me 11 shtatorin, invadimin e Irakut e shumë ndodhi të tjera), nuk janë të rastësishme. I tillë është rasti edhe me botimin e karikaturës ofenduese larg çdo kuptimi domethënës ose artistik dhe vonesës së “muslimanëve” për protesta masive.

Duke përsiatur rreth “jetës muslimane”, për të satën herë na paraqitet pyetja se a thua kjo mënyrë e jetës na është përcaktuar njëherë e përgjithmonë; a është diçka mbikohore pa lidhshmëri të drejtpërdrejtë me situatën historike, pavarësisht nga gjendja konkrete jetësore, apo duhet që gjithnjë rishtas të përkufizohet në dritën e rrethanave të shoqërisë aktuale, pa e harruar aty as biografinë personale. Ose, shprehur me fjalorin tonë aktual: kush janë, si janë dhe si duhet të jenë muslimanët, si dhe çka dëshirojnë të bëjnë? A arsyetohen protestat me traditën e Pejgamberit a.s. dhe me të vërtetë a konsiderohen ato si dëshmi fetare për “shkallën” e besimit?


Hapave të vetëkritikës

Besimtari musliman duhet të ketë vetëdije kritike kur parashtrohet pyetja për raportin e tij me botën, për jetën e tij shpirtërore në shoqërinë e sotme. Pa distancën kritike nga bota nuk është e mundshme që në mënyrë të drejtë të zgjidhet problemi i përshtatjes së jetës muslimane ndaj rrethanave të sotme. Thënë konkretisht: në rend të parë duhet ta dijmë qartë se ç’është “muslimane”, çfarë është jeta muslimane, e kjo pastaj të jetë masë për raportin me botën. Kjo është baza për të gjykuarit e natyrës muslimane apo kundërmuslimane të qytetërimit të sotëm, e që pastaj bëhet bazë e mënyrës muslimane të jetesës për sot.



Lexo artikullin e plotë në PDF.