Printo!
Kategoria: Analiza
Lexuar: 885 herë


Dr. Ismail BARDHI

"U dërgova për ta përsosur moralin (ahlakun)"
(Hadith)


Kush e pranon ekzistimin e rendit objektiv moral, ai nuk do të pajtohet lehtë me idenë e përshtatjes së urdhëresave morale dhe teologjisë morale - Ilmud-din - ndaj kërkesave të kësaj kohe kur vërehet tendenca për një teologji të "prodhimit" të informatave teologjike dhe larg përgjegjësisë morale. Ajo i përmbahet parimit të drejtë se njerëzit e kohës sonë duhet që mënyrën e jetës së tyre t'ia përshtatin ligjit moral, e jo e kundërta. Detyra e teologjisë morale përbëhet në atë që njerëzve të kohës sonë t'ua arsyetojë dhe shpjegojë këtë parim, që në mënyrë të argumentuar t'u tregojë se rendi moral vjen para njeriut dhe se është për të mirën e tij. Teologjia morale gjithashtu duhet të tregojë se qëllimi i saj nuk është mundimi i njeriut apo sundimi mbi të, por kontributi për jetë humane, të moralshme dhe të suksesshme.

Për këtë detyrë nevojitet që teologu ta njohë mirë realitetin e sotëm. Për shembull, teologjia mund të thotë diçka reale dhe të rëndësishme në lidhje me çështjet aktuale që e brengosin njeriun e sotëm vetëm atëherë kur ta njohë dimensionin biologjik, sociologjik, kulturologjik, historik dhe filozofik të brengës së caktuar. Pa këtë moralisti nuk mund ta kuptojë njeriun e sotëm e as t'u japë përgjigje plotësisht të drejtë pyetjeve të tij. Pa njohjen mbi bazë të kësaj dijeje mësimi moral në fakt paraqet moralizim i cili nuk është në dobi të askujt. Përkundrazi, moralizimin njerëzit e kuptojnë si përpjekje për t'i sunduar ata. Në shoqërinë demokratike këtë askush nuk ia lejon askujt, e madje as nëpunësve fetarë. Fatkeqësisht, moralja tradicionale shpeshherë është asisoj e prezentuar saqë njerëzit mund ta konceptojnë si kundërshtare të tyre; se lehtë mund ta shohin në perspektivën e keqpërdorimit të saj -
sundimit me njeriun, përhapje e frikës për qëllime politike, mjet për mbajtjen e sunduesve në pozitat e tyre - e jo në perspektivën e kontributit pozitiv të morales për jetën e suksesshme dhe të ndershme.

Obligimi për të arritur sa më shumë dituri për njeriun nga perspektivat e ndryshme vjen nga fakti që kërkesat e moralit kryejnë ndikim të madh mbi jetën e njeriut, dhe atë si në kuptimin pozitiv ashtu edhe negativ, varësisht nga ajo se si i kuptojnë njerëzit ato dhe çfarë qëndrimi marrin ndaj tyre. Për nga natyra e vet morali është në shërbim të jetës së mirë ngaqë i ndihmon njeriut në kërkimin e drejtimit të jetës, në zgjedhjen e qëllimeve dhe mjeteve. Mirëpo, morali gabimisht i kuptuar dhe gabimisht i zbatuar mund të pengojë zhvillimin e suksesshëm të njeriut ndaj të mirës dhe lumturisë, madje mund edhe ta shkatërrojë jetën. Që kjo mos të ngjajë, moralisti pandërprerë duhet t'i ketë parasysh tre parime. Parimi i parë thotë se kërkesat morale mundësisht duhet që plotësisht t'u përgjigjen aftësive të njeriut në horizontin e stadit aktual të zhvillimit. Thënë konkretisht: nga askush nuk mund të kërkohet që ta bëjë atë që është e pamundur për të. Parimi i dytë thotë: moralisti duhet që njeriut t'ia tregojë udhën dhe mjetet përmes të cilave do ta realizojë atë që kërkohet nga ai. Pa këtë, kërkesa abstrakte morale mund të ndikojë dëshpërueshëm mbi njeriun apo madje edhe ta detyrojë në alienim nga morali. Parimi i tretë gjithashtu është shumë i rëndësishëm për edukimin e suksesshëm moral. Moralisti dhe cilido edukues duhet të llogarisin me lirinë dhe përgjegjësinë individuale të çdo njeriu individual në çështjet e moralit dhe të etikës. Përgjegjësia në liri apo liria e ndërlidhur me përgjegjësinë bën pjesë në ato faktorë të jetës -
sidomos të jetës fetare - i cili më fuqishëm e motivon njeriun në udhën e pjekjes morale, sepse njeriut i jep ndjenjën e vetëbesimit dhe të pavarësisë, ndjenjën dhe përjetimin se pikërisht ai është "farkëtar i lumturisë së vet". Në këtë konstelacion njeriu kërkesat morale i përjeton si kërkesa të vullnetit të tij e jo të ndonjë tjetri. Kësisoj realizohet autonomia e jo heteronomia. Moralin hyjnor, të formuar në ligjin moral fetar, njeriu e përjeton si dhuratë, si ofertë në udhën drejt jetës së mirë dhe të lumtur, e jo si detyrim apo madje si marrje e lirisë personale.

Gjatë kësaj imponohen disa pyetje me rëndësi. Së pari pyetja përse njerëzit e kanë të vështirë ta zbatojnë ligjin moral edhe pse e ndjejnë se ai është në të mirën e tyre? Përse vlen: "Në mua janë dy ligje, e shoh cili është i mirë e megjithatë e ndjek të ligun"? Kjo është çështje e pafuqisë së pushtetarëve shoqërorë-
politikë në çështjet e moralit; ky është rast për ata që nuk kanë pushtet në shoqëri që ta dëshmojnë fuqinë e tyre morale. Të pushtetshmit në kuptimin politik-sociologjik, por fatkeqësisht edhe institucionet më të larta fetare të cilat përpiqen që t'u shërbejnë atyre, shpesh janë të dobët në sferën morale; të varfrit, të zakonshmit, të pafuqishmit nga aspekti politik-sociologjik shpesh u qëndrojnë besnikë rendit dhe ligjit moral. Kjo kundërshti është dukuri e përgjithshme e ekzistimit dhe ngjarjeve në këtë botë. Mbase arsye për këtë është kumtimi i gabuar i ligjit moral, interpretimi i gabuar i rendit moral ose "dëshira për pushtet"?

Si duhet kumtuar morali sot në mënyrë që njerëzit ta pranojnë dhe të jetojnë sipas tij? Tashmë u cek se vullneti për autonomi -
për pavarësi dhe vetëvendosje - është njëra nga vijat qenësore të mendësisë së njeriut të sotëm. Është kjo pasojë e "demokratizimit" të përgjithshëm të jetës dhe shoqërisë, nga njëra anë, dhe vetëdijes së krijuar për të drejtat personale në formën e të drejtave të njeriut nga ana tjetër. Mendësia dhe vetëdija e njeriut të sotëm nuk lejojnë që të urdhërohet apo të ndalohet nga cilado anë apo cilido autoritet qoftë, pa pajtimin e lirë paraprak të atyre të cilëve u drejtohet urdhërimi apo ndalesa. Thënë konkretisht: njeriu nuk guxon të sundojë mbi njeriun pa pajtimin e ndërsjellë. Prandaj demokracia kuptohet si sundim i popullit mbi vetveten. Për kundërshtinë apo madje edhe pamundësinë e kësaj thënieje rrallëherë dikush jep llogari, edhe pse jeta konkrete dhe përvoja historike dëshmojnë iracionalitetin e saj. Politikanët dinakë janë plotësisht të vetëdijshëm për këtë dhe prandaj sillen në mënyrë makiaveliste duke e ushtruar pushtetin dhe fuqinë e tyre në mënyrë aq të zhdërvjelltë saqë populli zbaton vullnetin e tyre i bindur se zbaton vullnetin e vet. Lëvizësit kryesorë të qytetërimit të sotëm i kushtojnë kujdes të jashtëzakonshëm mendësisë së tillë të njerëzve. Pothuajse nuk ka mbetur asnjë sferë e jetës ku haptas flitet për urdhrat dhe ndalesat.

Nocionet "urdhër" dhe "ndalesë" i ka zëvendësuar nocioni "ofertë". Njeriut i ofrohet diçka, gjegjësisht i lihet vullnetit të tij që të vendosë ç'të bëjë. Në të gjitha sferat e jetës hasim vetëm në oferta: në edukim, shkollë, martesë, sferën intime, konsumim, sport, udhëtim, religjion, studime -
kudo sundon oferta, ofrimi, "nëse dëshiron; nëse të pëlqen", sepse asgjë nuk guxon të imponohet kundër vullnetit të personit përkatës. Më parë nuk ka qenë kështu. Urdhrat dhe ndalesat kanë qenë në rend të ditës dhe askush këtë nuk e ka konsideruar si të jashtëzakonshme apo madje si ofendim i personalitetit individual. Kjo ka vlerë edhe për urdhrat dhe ndalesat morale. Përse njeriu i sotëm është bërë i tejndijshëm ndaj urdhrave dhe ndalesave, ndaj çdo paraqitjeje apo kërkese autoritative, p.sh. në shkollë, në xhami, në familje?

Thënë filozofikisht, sot ndodh një kthesë e madhe në zhvillimin e shpirtit dhe të vetëdijes: relativisht absolutizohet; në mënyrë imanente shkëputet nga transcendentja dhe -
thënë në mënyrë piktoreske - planetët ndahen nga Dielli. Teologjikisht thënë: zotat, "të krijuar" nga dora e njeriut, kanë zënë vendin e Zotit Një të Drejtë dhe të Vërtetë. Pasojat e vështira dhe katastrofale të zhvillimit të tillë lehtë mund të paramendohen. Shumica prej tyre tani më janë në veprim e sipër dhe formojnë realitetin tonë - privat dhe shoqëror, politik dhe shtetëror, religjioz. Do të ishte gabim i fatit t'i hapet udha kësaj fryme të kohës. Feja dhe teologjia nuk guxojnë ta bëjnë këtë për hir të "së mirës" së gjinisë njerëzore dhe çdo njeriu individual. Feja, duke kundërshtuar frymën e kohës nuk i mbron të drejtat e veta, por të drejtat e çdo njeriu në atë drejtim moral-etik që i mundëson jetë të suksesshme dhe të lumtur.

Konkretisht: Feja dhe teologjia, e këtu mendohet në teologët të cilët i shërbejnë Zotit, nuk do të dorëzohen para kërkesës së ardhshme në emër të frymës së kohës dhe proceseve të sotme shoqërore: kërkohet moral dinamik në vend të kinse moralit tradicional statik. Kjo do të thotë se imperativet e "vjetra" të moralit nuk guxojnë thjesht të zbatohen në jetën e njeriut të sotëm, besimtarit të sotëm, por që situata e jetës duhet të jetë masë dhe tregues për atë se cilat imperativë të moralit guxojnë të zbatohen e cilët duhet konsideruar si joaktualë e me këtë edhe të pavlefshëm. Sipas kësaj, pikënisje tek predikimi moral duhet të jetë pyetja se a është njeriu i sotëm në gjendje t'i kryejë urdhërimet e moralit tradicional. Ky qëndrim rrjedh nga fakti që shoqëria e sotme industriale krijon rrethana krejtësisht ndryshe të jetës sesa shoqëria e kohës së Pejgamberit a.s.. Kështu me të drejtë argumentohet sepse me të vërtetë është fakt që shoqëria e sotme imponon pyetje në adresë të individit, jetës familjare-
bashkëshortore, jetës zyrtare në formë krejtësisht të re me të cilën shoqëria në Arabinë e shekullit VI nuk ka qenë e njohur. Mirëpo, prej aty assesi nuk mund të konkludohet se imperativet morale nga ajo kohë nuk janë aspak të vlefshme për sot dhe se nuk mund të shërbejnë si paradigmë apo model.

Njëra nga karakteristikat qenësore të zhvillimit drejt qytetërimit të sotëm perëndimor është ajo e cila përmban parimin jetësor se njeriut jeta i është dhuruar që të kënaqet, gjegjësisht për realizimin e çdo lloji lumturie dhe kënaqësie. Po thuaj se të gjitha përpjekjet e shoqërisë dhe politikës kanë këtë qëllim. Shkenca në përgjithësi dhe degët e saja të veçanta -
p.sh. psikologjia dhe mjekësia me të gjitha disiplinat e saj - konsiderohen si mjet për realizimin e jetës së lumtur, jetës pa vuajtje, pa probleme dhe pa pasiguri. Njerëzve mëtohet t'u sigurohet liri pothuajse e pakufishme, mundësisht me sa më pak detyra dhe përgjegjësi. Prandaj nuk është për t'u habitur që shumë situata jetësore dhe disa mënyra sjelljeje për njerëzit shpallen si të padurueshme dhe tepër të vështira. Që këtu dhe kërkesa se njerëzit duhet çliruar nga ato. Pikërisht në atë pikë vjen deri te konflikti mes kërkesave të vullnetit të Zotit, Shpalljes dhe modelit të jetës hedoniste sot.

Predikuesit të Fjalës së Zotit dhe urdhërimeve të Zotit ky konflikt qëndrimesh i shkakton vështirësi të mëdha. Ai shumë lehtë mund të gjendet në rrezik të ndjejë me njerëzit, me besimtarët, t'i kuptojë në dobësinë e tyre dhe që më me dëshirë urdhërimet e Zotit t'i shpjegojë sipas dëshirës së njerëzve, sesa nga ata të kërkojë respektim besnik të vullnetit të Zotit. Qëndrim të tillë po ashtu mund të zërë nga frika se njerëzit në të kundërtën më pak do ta respektojnë, madje edhe ta evitojnë, sepse disa teologë mendojnë se më mirë është të jesh hoxhë i "mirë" dhe "zemërgjerë", sesa i përpiktë dhe i palëkundshëm.

Kohëve të fundit vërehet njëfarë mosrespekti ndaj institucioneve më të larta fetare, jo vetëm tek ne por edhe në fqinjësinë tonë. E është e qartë se në të gjitha sferat e jetës qytetare, në çdo profesion të përbotshëm kërkohet respektim i plotë dhe pranim i qëllimeve të ndërmarrjes ose ndonjë institucioni. Mbase dallimi qëndron aty se atje identifikimi i jashtëm konsiderohet si i mjaftueshëm, ndërsa nga nëpunësi fetar me të drejtë përveç identifikimit të jashtëm kërkohet edhe identifikimi i brendshëm me fenë dhe mësimet e saj. Me një fjalë: nga nëpunësi fetar kërkohet bindje e thellë personale për të mirën dhe vërtetësinë e asaj që ai punon dhe kumton.

Shumë shenja nga sfera e jetës fetare sot tregojnë se shumë nga kjo ka ndryshuar në fotografinë e nëpunësit fetar, qoftë ai klerik apo laik. Shumicën i ka zënë kriza e identifikimit me fenë. Kjo detyrimisht shpie drejt krizës së besnikërisë ndaj fesë. Përse dhe si erdhi deri te kjo? Mos janë këto vetëm shenja të besimit të dobët apo ekzistojnë edhe arsye të tjera të cilat këtë raport në linjën institucion fetar-
besimtarë e bën të kuptueshëm apo madje edhe të arsyeshëm? A është e drejtë që ndërgjegjja personale të shpallet për autoritet suprem në çështjet e fesë dhe të moralit, siç shihet nga qëndrimi i atyre nëpunësve fetarë apo të punësuarve civilë nëpër institucionet fetare të cilët besimtarëve u thonë: Nëse ky apo ai urdhër i fesë të krijon vështirësi serioze, drejtohu sipas ndërgjegjes sate, ndiqe bindjen tënde personale; apo sipas asaj "bëj si të them unë, por mos bëj si bëj unë!"

Tërë ndërlikueshmërinë e kësaj situate e vërejmë prej aty se duhet të pranojmë një fakt të këtillë. Mirëpo duhet të kemi parasysh disa njohuri, dhe atë se "ndërgjegjja" nuk bie nga qielli në shpirtin e njeriut apo të besimtarit; pastaj njohurinë se diktatet e ndërgjegjes nuk janë gjithnjë krejtësisht të qartë dhe të sigurt dhe është e mundshme që njeriu individ gabimisht t'i kuptojë ato. Ndërgjegjja e individit nuk është tërësisht e pagabueshme, si nuk është tërësisht i pagabueshëm edhe mendimi ynë. Përkundrazi, ajo është e rrezikuar nga njimtimet e vogla dhe të mëdha; asaj -
ndërgjegjes së pastër - ia përshkruajmë njimtimet dhe vendimet fatale, për çka na mëson edhe historia. Shembujt e tillë nga historia na e zbulojnë të vërtetën se është e rrezikshme të ndiqet vetëm ndërgjegjja personale, por që gjithashtu është e rrezikshme pa kurrfarë të menduari të dëgjohet zëri i nëpunësve fetarë, respektivisht i administratës së institucionit fetar. Të dy qëndrimet mund të shpiejnë drejt vendimeve katastrofikisht të gabuara. Përkundër këtyre fakteve që vështirë durohen duhet pranuar se "ndërgjegjja" është autoriteti suprem subjektiv dhe se njeriu do të punonte kundër vetes së tij sikur të thirrej vetëm në autoritetin objektiv në kërkimin e zgjidhjes për ndonjë problem konkret. Gjithashtu, njeriu besimtar do të punonte kundër ndërgjegjes dhe vetvetes së tij sikur çdo vendim apo urdhër të nëpunësve fetarë, me përjashtim të çështjeve dogmatike, t'i pranonte me skepsë të thellë e jo me bindje në të vërtetën e fesë.

Nëpunësit fetarë sot e dinë shumë mirë se nuk ka përgjigje të thjeshta dhe të amshuara për shumë pyetje të qytetërimit të sotëm. Ata janë të vetëdijshëm se nuk ka zgjidhje përfundimtare të problemeve botërore, si p.sh. problemi i sigurimit të paqes në botë, problemi i varfërisë dhe urisë në të a.q. botë e tretë, problemeve lidhur me frymën sunduese kapitaliste të vendeve më të zhvilluara, problemit të alienimit të masave nga feja dhe tradita, sidomos në Evropë, problemit të njeriut të vërtetë dhe perceptimit të denjë të jetës, problemeve të krijuara nga kriza morale dhe etike e shoqërisë. Shumë njerëz politikisht të ndërgjegjshëm konsiderojnë se as politika nuk mund të matet me ato probleme. Gjatë kërkimit të zgjidhjes për problemet e caktuara shpeshherë paraqiten mendime kundërshtuese: papra diskutohet që njëri-
tjetrin ta bindin në saktësinë e argumenteve të veta. Ky proces i ka zënë edhe besimtarët, nëpunësit fetarë, teologët. Prandaj nuk duhet të na habisë dukuria që njerëzit i dorëzohen njëlloj rezignimi dhe indiference ndaj të gjitha proceseve të shoqërisë së sotme. Kjo është gjendje jo e shëndoshë e shpirtit, si për individin ashtu edhe për shoqërinë. Në mesin e besimtarëve sikur ka mbisunduar mendësia se mjafton, e madje edhe se është në rregull të sillesh pak a shumë ashtu siç sillen sot shumica e njerëzve. Ka edhe nga ata që u takojnë institucioneve fetare të cilët mendojnë se ashtu duhet qenë, se muslimanët nuk duhet të dallohen nga të tjerët, se besimtarët muslimanë nuk duhet të jetojnë sipas rregullave të fesë, meqë këtë e kërkon toleranca. Ky është hapi i parë drejt skepsës. Pikërisht këtë e kërkon fryma liberaliste - privatizimin absolut të fesë. Por besimtari nuk mund ta lejojë një gjë të tillë, para së gjithash ai vetes nuk mund t'ia "ndërtojë" fenë e vet private, njëfarë përzierje religjioni, nacionalizmi, humanizmi, etike. Në gjithë këtë një gjë duhet konsideruar si e vërtetë: se të gjithë ne - ne si njerëz dhe besimtarë - jemi fëmijët e kohës sonë, që do të thotë se fryma e kësaj kohe në masë më të vogël apo më të madhe është e mbjellur në shpirtërat tanë. Kjo frymë në shumë aspekte është e kundërt me frymën e Islamit. Këtu duhet kërkuar shkaqet e besimit të mangët në autoritetin fetar, këtu duhet kërkuar shkaqet për shumë vija jomuslimane të jetës sonë muslimane.

Një shembull. Pejgamberit a.s. i vjen një njeri dhe e pyet: Nëse i kryej të gjitha detyrimet fetare e përmbahem nga të ndaluarat a do të jem i shpëtuar? Teologët modernë në këtë zbulojnë njëfarë mënyre egoiste-
individualiste të besimit dhe konsiderojnë se pyetja fillestare duhet të jetë: ç'duhet të bëj që raportet njerëzore në shoqëri të jenë më të mira, që njerëzit të jetojnë më mirë, që të sundojë drejtësia shoqërore e ngjashëm? Këto janë pyetje politike të cilat kanë prioritet në politikë e jo në jetën religjioze-fetare, ku në rend të parë vijnë urdhrat dhe ndalesat e Zotit. Pikërisht këtu shihet ajo më tragjikja te i a.q. njeri progresiv modern, sepse ai nuk është i gatshëm ta plotësojë as parakushtin themelor për atë që është më e rëndësishmja: për shpëtimin. Fryma e kohës thjesht prezenton se është prapambeturi dhe arkaizëm të respektohen urdhrat e Zotit. Fatkeqësisht ka edhe teologë të cilët mbështesin këtë qëndrim të frymës së kohës me argumente sipërfaqësore sociologjike-psikologjike.

Rrethanat shoqërore të natyrave të ndryshme, problemet psikologjike të kushtëzuara nga situatat e kohës e vështirësojnë ndjekjen e traditës profetike, por nuk e bëjnë as të pamundur. Prandaj përfundimi nuk mund të jetë se tradita profetike duhet ndryshuar strukturën e vet sipas masës së raporteve shoqërore-
politike ose sipas masës së strukturës psiqike të njeriut.

Për shembull: sot me njerëzit sundojnë varësitë e natyrave më të ndryshme: alkooli, droga, varësitë dhe perversitetet seksuale, pushteti, pasuria, mburrja. Asgjë e re. Nëse njeriu i tillë vartës ka kërkuar përgjigje për gjendjen e tij gjithmonë atë e ka fituar në kornizat e njëjta morale: këtu bëhet fjalë për një akt objektivisht mëkatar me të cilin njeriu i bën dëm edhe vetes edhe të tjerëve. Prandaj duhet që gjithsesi t'i largohet jetës së tillë. Rruga drejt çlirimit është lutja, përulja bashkë me besimin dhe shpresën se Zoti me mëshirën e Tij të pafundme do t'i ndihmojë t'i shpëtojë kësaj gjendjeje mëkatare. Dyshimi në këtë mundësi ëhtë mëkat në vete. Prandaj, duhet të jetë e qartë se besimtari është gjithmonë përgjegjës për veprimet e veta, përfshirë edhe ato të ligat, përkundër rrethanave të papërshtatshme shoqërore apo stresin personal psiqik. Besimi në mëshirën e Zotit, shpresa për sukses dhe durimi me vetveten në ndërrimin e ngritjeve dhe rënieve ka qenë karakteristikë e jetës shpirtërore të besimtarëve të kohëve të mëparshme dhe e njëjta duhet të vlejë edhe sot. A thua vallë sot jetojmë në rrethana të atilla jonjerëzore sa që as mëshira e Zotit, për të cilën aq lutemi, nuk mund të na ruajë nga rëniet mëkatare? Nëse është ashtu, atëherë me të vërtetë jetojmë në kohëra të tmerrshme, në kohëra të territ të plotë dhe "mungesës" së Zotit. Por, si muslimanë e dijmë se Zoti është i kudopranishëm dhe i amshuar, prandaj diçka me ne nuk është në rregull nëse përgjegjësinë për mëkatet tona ia përshkruajmë kohërave të liga, njimtimit përmes televizionit e të ngjashme.

Teologjia morale njeh raste në të cilat liria e zgjedhjes është e kufizuar, në të cilat fuqia e arsyetimit dhe aftësia për vendosje janë tepër të dobësuara, p.sh. nën kërcënim, nën frikë dhe presion, nën dhembje, në gjendje të sëmundjes shpirtërore dhe trupore. Por ajo nuk na liron nga çfarëdo përgjegjësie për aktet tona, me përjashtim të rasteve të caktuara.

Për kohën tonë vërtet duhet thënë se gjendja e lirisë së dobësuar për vendosje nuk është vetëm përjashtim, por normalitet i përditshëm. Konkretisht kjo do të thotë se gjendemi në situatë paradoksale: liria e individuës është shpallur si vlerë më e lartë e jetës shoqërore e politike, por proceset dhe mekanizmat shoqërorë-
politikë janë të aso natyre që liria individuale ngulfatet dhe kufizohet në çdo hap - me apo pa paramendim.

A nuk duhet pra që vetes -
njeriut modern - t'i themi: synojmë paqen, thellë në zemër ndjejmë nevojën për shpëtim, por na mungon njohja e drejtë për udhën drejt paqes, për orientimin drejt paqes sepse proceset shoqërore-politike syve tanë ua fshehin shikimet e qarta dhe depërtuese në të vërtetën hyjnore për njeriun dhe botën, sepse "fryma e kohës" na ka bindur se duhet të jetojmë në pajtim me kushtet dhe rrethanat e jetës si të vetmen mundësi për të marrë pjesë në përparimin e qytetërimit modern. Kjo njohje është rrugë mjaft e pasigurt drejt paqes mes popujve, drejt paqes mes njerëzve brenda shoqërisë dhe, ç'është më tragjike: ajo në vete mban rrezikun e madh drejt realizimit të së vetmes gjë të vlefshme dhe serioze në jetën e kësaj bote: arritjen e shpëtimit të amshuar: "Pasha Kohën! Njeriu me siguri është në humbje! Përveç atyre të cilët besojnë dhe bëjnë vepra të mira dhe të cilët porosisin për drejtësi dhe i këshillojnë njëri-
tjetrit durim." (Kur'ani, 103)


Shkup, 01.11.2005