Dr. Ismail Bardhi
"Ne mbase jemi më shumë në terr sa i përket njohjes së kushteve të mjedisit, të cilat e lehtësojnë krijimtarinë, sesa në raport me cilindo aspekt tjetër të problemeve... Hulumtimi për kushtet e përgjithshme të mjedisit -
Fjala e Zotit vazhdimisht na thërret që t'i lexojmë Shenjat e Kohës, me qëllim që të vetëdijësohemi, të mësohemi se si t'i lexojmë me përgjegjësi të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen, si dhe të mendojmë rreth problemeve të përparimit dhe të zhvillimit; por jo me "mendjen" e "së kaluarës". "Nocioni i përparimit ka qenë plotësisht i panjohur për njerëzit e mesjetës së hershme; ata nuk kanë pasur mirëkuptim për vlerën e së resë dhe më tepër janë orvatur që ta ruajnë të vjetrën dhe tradicionalen. Ishte ajo një periudhë e qetë, fuqishëm e themeluar e fesë së përhershme, e cila asnjëherë nuk humbiste besimin në vlerën e konceptit të vet për të vërtetën dhe ligjet morale, e cila nuk dinte për tradhëtinë ndaj fesë dhe konfliktet e ndërgjegjes, e cila nuk dëshironte të renë e as që ishte mërzitur nga e vjetra. Në çdo rast, ajo ideve dhe ndjenjave të tilla nuk u ofronte kurrfarë mbështetje" (Arnold Hauzer). Ndërsa "teologjia" jonë dhe teologët tanë si duket kuptimin e përparimit janë duke e përkufizuar në mënyrë primitive, e cila po dëshmohet edhe në kohën tonë kur shohim se me çka mbrohet feja dhe nuk merret me shenjat e rrezikshme që paraqiten po në emër të fesë dhe për fenë.
Nëse dikush pyet se si feja islame ekziston tek ne, në ç'mënyrë ajo prezentohet, shihet, dëgjohet, preket dhe çka i ofron të ardhmes -
Sot me siguri edhe naivi më i fundit e ka të qartë se në mbarë botën, si një fshat i madh i globalizimit, gjërat nuk janë duke shkuar ashtu siç duhet. Derisa ai i ashtuquajturi Gjithkushi i ynë nën hije vlon nga vapa përcëlluese, pa sukses mjekohet nga sëmundjet pak a shumë të pashërueshme akute apo kronike të kohës moderne, ose falimenton nën goditjet e çmimit të ushqimit, benzinës apo të narkotikëve në tregun e zi, ndërsa ndonjë nga luftërat globale apo lokale në mënyrë latente kërcënohen, me siguri se me melankoli mendon për "kohërat e mira të kaluara", kur këto të liga nuk ekzistonin. Gjatë kësaj ndoshta edhe pyetet kur filloi e gjithë kjo e ligë dhe përse, dhe a mund të bëhet diçka kundër kësaj. Pas disa sekondash, minutash, rrallë herë orësh, ai do të ndalet së ngarkuari me këtë punë kote dhe do të kthehet në vrragët e "vajtimeve të përditshme". Edhe pse shumë ekspertë me zell do të dëshmojnë se pikërisht pyetjet e tilla të njerëzve të zakonshëm rreth problemeve globale janë fillim i çdo filozofie, megjithatë mbetet një udhë e gjatë nga burimi deri tek derdhja e urtësisë së vërtetë. Në ndërkohë, vërtet mund të pyetemi cilat janë pikëmbërritjet e fesë sot në problemet e botës moderne.
Mirëpo, teologjia, dikur mbretëreshë mes "shkencave" dhe veprimtarive të llojllojshme njerëzore, një kohë të gjatë ka ngelur jetime nga e cila të gjithë, madje edhe vetë teologët, disi turpërohen, e jo rrallëherë edhe e refuzojnë në mënyrë eksplicite. Në llogari të saj grumbullohen akuza të rënda, kështu që fitohet përshtypja kinse asnjë njeri i mençur nuk din ç'të bëjë me këtë mrekulli -
Njëra nga arsyet përse është kështu me siguri qëndron në faktin që teologjia është "abstrakte" dhe me këtë shpesh e prirë për izolacionizëm akademik, marrjen me vetveten, me tema jointeresante për askë të historisë së përjetuar personale. Përveç kësaj, koha në të cilën jetojmë ka bërë gjithçka që këtë "fatzezë" ta shpifë deri në themel dhe ta sjellë në zë aq të keq sa që edhe fëmijët e saj të heqin dorë nga ajo. Megjithatë, ekziston një numër i vogël teologësh të cilët mbahen fuqishëm për të, duke kthyer me personalitetin dhe veprën e tyre dinjitetin dhe besimin për mundësinë e "bukuroshes së gjunjëzuar". Por, kush në hapësirat tona do të mund të ngjitej në atë listë, ta quajmë ashtu, të teologëve të angazhuar? Gjatë kësaj duhet të theksojmë: teologëve teologjikisht të angazhuar, sepse angazhimi politik apo grupor i disave, të cilët janë teologë, nuk mund të jetë dhe më së shpeshti nuk është në lidhje me vetë teologjinë, gjegjësisht me përsiatjen e problemeve themelore të botës moderne. Prandaj, i ngushtë është rrethi i njerëzve, të cilët disi në mënyrën më të qartë dhe më eksplicite, mbase edhe me dashurinë më të zjarrtë, kanë ruajtur flakën e mendimit të angazhuar kritik, në disiplinat e ndryshme të ndeshjes mes teologjisë dhe realitetit tonë të hidhur, pra në përsiatjen kritike-
Edhe pse vepërimtaria e tillë do të mund të dukej si e vetëkuptueshme dhe joproblematike, ajo, pikërisht teologjikisht, e sidomos në hapësirat tona, assesi nuk është e tillë. E para, në atë qasje detyrimisht duhet gjetur dhe përshkruar thelbin e gjendjes bashkëkohore të gjërave në mënyrë njëkohësisht teologjikisht relevante, por jo autistikisht abstrakte dhe të pakuptueshme. E dyta, duke e ruajtur masën e vërtetë të profesionalizmit dhe kuptueshmërisë, të implementohet sasia e shëndoshë e kritikës, duke gjetur perspektivën e caktuar të zhvillimit pozitiv të gjërave që do të ofronte spektër përgjegjës të përgjigjeve të pranueshme në pyetjen: ç'duhet bërë në këtë botë të "zhvendosur" në të cilën jetojmë. Dhe e treta, është me rëndësi që të thyhen prangat e ideologjisë dhe retorikës tradicionale, të ngarkuar me trashëgiminë historike të paradokohshme, gjegjësisht të gjendet mënyra se si për problemet të flitet në mënyrë relevante teologjike, e jo në mënyrën banale ideologjike.
Nëse shikojmë pikë për pikë dhe në mënyrën tradicionale-
Sot rrallë kush mendon kundër rrjedhave bashkëkohore, kundër status quo-
Mund të duket paksa patetike që dikush, pas shumë vitesh angazhimi me teologjinë, të zhgënjehet. Në njëzetë vitet e fundit në viset tona ndodhën ndryshime të thella shoqërore, që nga shkatërrimi i një sistemi shoqëror në shikim të parë stabil (edhe pse në vete i kalbur, që mbështetej vetëm mbi ideologjinë materialiste), nëpërmjet luftës me të gjitha tmerret që i solli dhe plagëve që i shkaktoi, e deri te proceset vorbulluese dhe pak të tejdukshme të rregullimit të ri të shoqërisë në të gjitha nivelet, nga politika deri te ekonomia, nga shkenca deri te edukimi, nga ligjvënia deri te shëndetësia e kështu me radhë.
Nuk mund të thuhet se gjatë shekullit të kaluar teologët nuk kanë qenë të pranishëm në Bashkësinë Islame. Duke shikuar prapa, nuk mund të mohohet se, të paktën në çastet më të vështira, u kërkua dhe u dëgjua zëri i teologëve, dhe edhe nëse mendimet dhe shtytjet e tyre nuk pranoheshin, megjithatë dihej se ekzistonin. Mirëpo, ajo gjeneratë teologësh, e ngërthyer me dashurinë ndaj fesë dhe me vetëdijen për thirrjen personale dhe shoqërore, ka kohë që nuk është më në mesin tonë. Erdhën gjenerata të reja teologësh, të cilët kishin gjithnjë e më pak përvojë të drejtpëdrejtë për kohërat rivendikuese pas mëkëmbjes së institucionit fetar dhe për krizat e ndryshimeve shoqërore, ndërsa u gjetën para sfidave njësoj të vështira, në mos akoma më kërkuese institucionale, shoqërore dhe shkencore. Pikërisht nga ata pritej angazhim i plotë, zëri kumbues, sugjerime të reja dhe reagime më të drejtpërdrejta për atë që ndodh në institucionin fetar dhe në shoqëri, e që ka të bëjë me të kuptuarit islam të Zotit dhe njeriut, shpalljes dhe fesë, unitetit dhe shpëtimit. Por, pyetja është: ku është ai zë? Apo vallë rreth nesh po buçet heshtja teologjike!?
Me siguri se nuk është e vështirë që të gjendet e dhëna se sa teologë ka në Maqedoni. Sipas të dhënave për këtë vit akademik në punën e shkollave tona teologjike në mënyra të ndryshme janë të përfshirë me dhjetra teologë. Vërtet, numër i madh ekspertësh për institucionin fetar, për Librin e Shenjtë dhe Pejgamberin a.s., për religjionin dhe fenë, për mëshirën dhe shpëtimin, për historinë dhe teologjinë, për moralin dhe përshpirtshmërinë, për të drejtën islame, për edukimin në fe dhe ndihmë në nevojat teologjike! Këta persona do të duhej t'i dinin informatat e vërteta, të jenë të udhëzuar në metodën teologjike dhe, mbi të gjitha, do të duhej të kishin vullnet, dashuri dhe kulturë të gjerë që ato t'i zbatojnë për të mirën e përgjithshme.
Nuk do të kishte nevojë të pyetemi, duke i shfletuar dhe lexuar publikimet teologjike(?!?), se me cilat çështje sot merren teologët dhe çfarë përgjigjesh ofrojnë? A janë temat me të cilat sot merren teologët tek ne vërtet relevante për të tashmen apo, siç thuhet ndonjëherë, nuk kanë lidhje me jetën? Këtu nuk mendoj thjesht në analizën e problemeve shoqërore dhe analizat teologjike, por për diçka shumë më të thellë, në nxitjet dhe ndriçimet, madje edhe në frymëzimet për të cilat teologjia është e aftë (dhe në të cilat është e thirrur), si brenda institucionit fetar ashtu edhe brenda shoqërisë në të cilën jetojmë. Kjo, nga njëra anë, mund të jetë përgjigje kritike (për shembull për raportin mes institucionit fetar dhe shoqërisë), por edhe shfrytëzim i rastit të duhur për qartësimin e temave të rëndësishme në nivel publik. Në të vërtetë, teologët do të duhej të dinin se ekzistojnë çaste të përshtatshme të cilat, nëse nuk shfrytëzohen, mbase në atë mënyrë kurrë nuk do të ktheheshin më. E kemi lehtë (e ndonjëherë edhe për qefi) të thirremi në të ashtu quajturat tema të përhershme me të cilat kurrë nuk do të pushojmë së angazhuari, por pikërisht ato duhet t'i veshim me veshje të përshtatshme dhe t'ua ofrojmë njerëzve konkretë.
Çdo herë kur ndjehet se teologjia është larguar nga pyetja e jetës konkrete, në të vërtetë ndjehet era e keqe e vështirë e oportunizmit mbizotërues. Është e mundshme, madje me gjasa të mëdha, që këtu nuk bëhet fjalë për ndonjë përfitim të drejtpërdrejtë, por pikërisht për shprehjen e pasigurisë personale teologjike në të a.q. dialog me kohën postmoderne, që ndërtesën e ardhmërisë së botës dëshiron ta ngrejë përkundër themeleve të forta të së vërtetës objektive, që përfundimisht shpie deri te frika lodhëse. Ndërsa kur prodhimi teologjik është i mbështjellur bukur në frikën e tillë, bëhet i pavërejtshëm dhe jointeresant, kështu që pak kush do të vardiset pas tij.
Vlera jetësore e teologjisë për individin dhe bashkësinë, sidomos për bashkësinë e fesë, nuk gjendet pa përjashtim vetëm në punën e vlefshme shkencore, por në rend të parë në qartësinë e tërësisë dhe dallimin e identitetit teologjik, që është e pandashme nga vetë personaliteti i teologut musliman. Në fakt, teologu, sipas përkufizimit, nuk mund të jetë profesionist në çështjet e fesë (në të vërtetë zanatçi!), sepse Zoti nuk mund të jetë objekt i punës së tij në mënyrën si janë objektet e shkencave të tjera. Teologjisë përveç metodës së saj shkencorë tej mase i nevojitet edhe brendia, të kuptuarit, studimi dhe nxjerrja nga brenda, nga vetë marrëdhënia që e quajmë fe, e që përfundimisht është përgjigjja personale e lirë ndaj ofertës së Zotit për shpëtim.
Që nga kohërat më të hershme të përsiatjeve teologjike ishte e qartë se pa përgjigjet dhe shprehjes së besimit nga teologët nuk ka as teologji. Teologu gjithmonë është në raport të trefishtë: ndaj trashëgimisë së fesë, në kërkimin e sinqertë duke u shërbyer me metoda të duhura dhe ndaj kërkesave të besueshmërisë (autenticitetit) personale. Thënë thjesht, teoretikisht mund të veprohet si teolog nga dora e dytë, por teologu i tillë është pak a shumë rrefyes i rrëfimeve të tjetërkujt.
Teolog ka të drejtë të quhet vetëm ai i cili në gjykimet dhe përsiatjet e tij mbështetet në Shpalljen, Sunnetin dhe ixhtihadin personal (për çka duhet pasur edhe njohuri më të gjera, si filozofia, psikologjia, etika dhe disiplina të tjera shkencore) (hadithi për Muadh bin Xhebelin). Të qenit teolog dhe mosqënia i bindur ndaj Allahut (takva) është në kundërthënie me vetë termet. Mirëpo, kjo bindje parashtron qëllime të reja dhe trason rrugë të reja. E gjithë kjo, teologun e nxjerr në areopagun e gjerë të botës, e frymëzon atë dhe nuk i jep qetësi, e detyron në përgjigje, përsiatje dhe dëshmime, e inkurajon para fuqive të së ligës dhe e bekon me lumturi.
Kushdo që syhapur vështron momentin e tanishëm të teologjisë në viset tona lehtë mund të pyesë veten se mos vallë është ëndërr e kotë shpresa për angazhimin e teologëve në institucionin fetar dhe në shoqëri? Nuk e di se si kanë qenë as'habët e Pejgamberit a.s., por e di që na ka ngelur dëshmi se ai bashkësisë së atyre që e kanë njohur ua ka besuar misionin e patjetërsueshëm që të nisen (jo të qëndrojnë në vend) dhe të mësojnë ta ruajnë Fjalën e Allahut. Ua besoi që të bëhen ndërmjetës të paqes së tij, e kjo është e mundshme vetëm në besimin se Fjala e Zotit është me ne deri në fundin e botës.
A kemi të drejtë të shpresojmë, apo të paktën të ëndërrojmë, për rritjen e një gjenerate të re teologësh, të ndjeshëm ndaj çështjeve të çastit të tashëm dhe të guximshëm në kontributin aktiv të ndërtimit të institucionit fetar dhe të shoqërisë, në përputhje me parimet themelore të Kur'anit dhe normat konkrete sipas shembullit të Pejgamberit a.s.? Gjithkush ka të drejtë të ëndërrojë, ndërsa ëndërrat e vërteta janë fillim i një të nesërmeje më të mirë. Nëse teologjia nuk ka çka të flasë për fotografinë e botës, atëherë të paktën nuk do të duhej të heqë dorë nga vështrimi teologjik jetësor, nga vështrimi fetar për botën dhe fondimin e saj.
Nuk dëshiroj të pohoj se tek ne nuk punohet. Mirëpo në këtë çast më intereson se çka dhe si punohet dhe atë në rend të parë në sferën e kulturës shpirtërore. Me këtë nuk jemi të kënaqur. Nuk jemi, sepse besojmë se mund të punohet shumë më mirë dhe më fuqishëm. Na duhen zhytës të angazhuar në thellësitë e problematikës sonë njerëzore dhe islame dhe muslimane, lëvizës të qëndrueshëm të ujërave të amullta, thirrës intuitivë dhe mendjemprehtë, shkencëtarë dhe teologë të vërtetë. Në vend të klisheve tradicionale dhe galimatizmave bashkëkohore na duhen punime studioze, në vend të vështrimeve dhe informatave margjinale na duhen studime intuitive dhe mendjemprehta. Nuk mjafton vetëm të punohet, flitet dhe shkruhet! Fjala sot aq shumë ka devalvuar sa që vetëm përmbajtje të thukta mund t'ia kthejnë besimin. Dhe këtu nuk bëhet fjalë vetëm për këtë apo atë shokllë, institucion apo botim. Shikuar nga ky pikëqëndrim, të gjithë paksa jemi bërë të përgjumur. Gati gjithmonë para se të lexojmë ndonjë botim tek ne rregullisht e dimë se ç'shkruan në të. Sepse shkruhet për t'u shkruar, botohet për t'u botuar. Ndërsa kjo është punë e kotë, e vdekur, pa shpirt.
Mu për këtë arsye edhe nuk duhet të na habisin kritikuesit e fesë me akuzat e tyre "(jo)racionale" si "feja opium", "e panevojshme për këtë kohë", "rrezikon indin kombëtar shqiptar", "izolon nga bota moderne" e deri te ato më banalet të llojit "fundamentalizëm", "radikalizëm" etj. Për ata edhe pejgamberët i janë lutur Zotit që t'i udhëzojë, sepse nuk dinë. Prandaj them se në një mënyrë edhe ne jemi shkaktarë për akuzat e tilla, për arsye se si teologë nuk kemi njohuri ose nuk jemi të përgatitur për t'i ofruar shoqërisë atë që duhet dhe për të cilën ka nevojë shpirti njerëzor, si respekti, qetësia shpirtërore dhe aftësia kulturore, me një estetikë të kapshme të jetës.
Prandaj, shoqëria jonë muslimane shqiptare vetëm mund të ëndrrojë për teologun i cili do ta zbulojë Fjalën si afërsi dhe gëzim të thirrjes personale; teologun i cili nuk do të heqë dorë nga kërkimi, madje edhe kur do t'i duket se po i shemben shtyllat e sigurisë iluzore, teologun i cili do të ketë guximin që vazhdimisht të jetë vëzhgues dhe kritikues pozitiv i institucionit dhe shoqërisë; teologun i cili do të dijë të dëshmojë dhe të sakrifikojë edhe më të shtrenjtën për njeriun dhe njerëzimin; teologun i cili do të dijë të komunikojë me filozofinë dhe me filozofët, po ashtu me poezinë dhe me poetët, me psikologjinë dhe me psikologët; teologun i cili do të dijë gjithnjë rishtas t'i mahnitet madhështisë së thirrjes dhe misionit të vet, i vetëdijshëm për varfërinë e diturisë së vet dhe domosdoshmërinë për ndihmën e mëshirës, pa të cilën nuk mund ta kryejë atë; teologun i cili, duke iu folur njerëzve, pandërprerë i drejtohet Zotit me të njëjtin falënderim të lumtur dhe të sinqertë si atë ditë kur ka mbajtur ligjëratën e tij të parë.
Shkup, 08.11.2008