Mr. Rejhan Neziri

"1. Ne e kemi zbritur (Kuranin) në Natën e Kadrit. 2. E kush mund të ta shpjegojë ty se ç'është nata e Kadrit? 3. Nata e Kadrit është më e mirë se njëmijë muaj. 4. Engjëjt dhe Shpirti (Xhebraili), me lejen e Zotit të tyre, zbresin në këtë natë, me të gjitha vendimet. 5. Paqe është ajo deri në lindjen e agimit." (Kur'ani, el-Kadr:1-5)

Sureja e 97-të e Kur'anit fisnik bart emrin el-Kadr, që derivohet nga ajeti i parë i saj. Fjala "kadr" përmban dy kuptime kryesore: 1. përcaktim, vendim, dhe 2. madhështi, nder, vlerë. Sipas kuptimit të parë i bie që në këtë natë Zoti i njofton melekët për vendimet e Tij të paracaktuara qysh në ezel (parakohë/parahistori) e të cilat do të duhet të implementohen brenda vitit vijues (shih suren ed-Duhan 44:3-4). Ndërkaq, sipas kuptimit të dytë, kjo është një natë shumë e madhe, e ndershme e me vlerë, pasi: 1. Në këtë natë ka filluar të shpallet Kur'ani fisnik, libri i fundit i Zotit drejtuar njerëzimit në shenjë mëshire e dhembshurie; 2. Kjo natë e kaluar me ibadet (adhurime e përkushtime) është më e vlefshme se njëmijë muaj, në të cilët nuk ka natë Kadri; 3. Në këtë natë në tokë zbret një numër i madh i melekve në krye me Xhibrilin a.s.; 4. Kjo natë është selam (paqe, rehati) deri në agim...
 
Edhe pse vetë Muhammedi a.s. nuk na ka informuar qartë se në cilën natë të Ramazanit i bie nata e Kadrit, porse vetëm na ka porositur që ta kërkojmë atë në dhjetë netët teke të këtij muaji, disa shokë të tij na japin të kuptojmë se kjo duhet të jetë nata e 27-të e muajit të nëntë, të Ramazanit.

Duke u nisur nga fakti se kjo natë për nga natyra nuk ndryshon prej netëve të tjera të vitit, sepse ajo çka e dallon atë nuk është vetë karakteri i saj, porse vlera e madhështia që ia shtojnë asaj elementet që i përmendëm më lart, na del ta kuptojmë më qartë arsyen se përse Pejgamberi a.s. nuk na ka njoftuar saktë për të, duke kërkuar prej nesh që të mos fokusohemi te vetë nata, po te vlera që ajo bart, te mesazhi që ajo na ofron.

Që në fillim Zoti na bën me dije se Ai është Krijuesi, Zoti, Folësi, Ndërhyrësi në historinë e njerëzimit, Mbikëqyrësi e Dashuruesi i krijesave të Veta. Kjo vihet re te fjala "inzal", që do të thotë "zbritje, shpallje, shpalosje, zbulim". Pra, Ai na bën me dije se ky Kur'an fillimisht nuk është fjalë a libër i Muhammedit a.s., se nuk ka qenë Muhammedi a.s. ai që ka dashur shpalljen e tij, se nisma për këtë ndërhyrje nuk ka qenë prej poshtë, porse prej lart, si shenjë e dashurisë, mëshirës e dhembshurisë që Ai ka ndaj krijesave të Tij. Tekefundit, Ai ka pasur mundësinë të na krijonte e të mos kujdesej fare më për ne. Por jo. Ai nuk është "zoti i deistëve". Ai ka bërë ndërhyrje në historinë njerëzore vazhdimisht, që nga njeriu dhe pejgamberi i parë e deri te i fundit Muhammedi a.s. përmes librave të shenjtë, e pastaj edhe te çdo individ e krijesë veç e veç, sa të jetë bota. "Në çdo kohë Ai e ushtron fuqinë e Tij të gjithëmbarshme" (Kur'ani, 55:29).  Kjo ndërhyrje apo përkujdesje është orientuese, drejtim-dhënëse, këshilluese, sepse buron nga mëshira e pashtershme e Zotit ndaj krijesave. Thamë, Ai ka mundur ta kursejë e shkurtojë këtë prej nesh. Mirëpo, s'e ka bërë. Përkundrazi, na ka ofruar, për çdo epokë, mësimet, këshillat e udhëzimet më të përshtatshme, më lehtë të zbatueshme, më paqe- e lumturi-bërëse.

Në këtë natë të madhe, pra, le ta përqendrojmë vëmendjen tonë fillimisht te "inzali" apo "kudreti" (fuqia) dhe gatishmëria e Zotit për "të folur" me njerëzimin. Ai i ka folur njerëzimit përmes Ademit, Ibrahimit, Musait, Davudit, Isait dhe përfundimisht edhe Muhammedit a.s....

E pastaj le të përqendrohemi te forma e fundit e "Fjalës" së Tij, te ni'meti (mirësia e bereqeti) i Tij i fundit ndaj mbarë njerëzimit, te Kur'ani i madhërishëm. Kur'ani, i cili është këshillë, mësim, shërim, mëshirë e udhëzim: "O njerëz, ju ka ardhur këshillë (Kurani) nga Zoti juaj, shërim për zemrat tuaja, udhëzim dhe mëshirë për besimtarët." (Kur'ani, 10:57). S'do mend se ky Kur'an është i këtillë vetëm për ata që e besojnë për të këtillë, pra është këshillë për atë që ka nevojë dhe e pranon këshillën, është shërim zemre për atë që ka zemër të sëmurë dhe kërkon shërimin e saj, është udhëzim për atë që ka humbur udhën dhe kërkon rrugëdalje, është mëshirë për atë që e ka hapur vetveten ndaj Krijuesit dhe pret mëshirimin prej Tij. E çfarë t'u bëjë Kur'ani atyre që nuk e hapin vetveten ndaj së Vërtetës, të cilët "të vërtetë" të vetme e quajnë vetëm të shtrembëtën e tyre? Të këtillëve ky Kur'an vetëm se ua shton humbjen: "Ne shpallim nga Kurani atë që është shërim dhe mëshirë për besimtarët e që mohuesve keqbërës u shton vetëm humbje." (Kur'ani, 17:82)

Më pas, le të vazhdojmë të mendojmë se pse ky Kur'an ka filluar të shpallet pikërisht natën e jo ditën? Me se dallohet nata prej ditës në "të folurit" e Zotit? Pse kjo të jetë pikërisht një natë Ramazani? Pse kjo natë të jetë më e vlefshme se njëmijë muaj? Pse të mos jetë e vlefshme më pak ose më shumë se një mijë muaj? Pastaj, në këtë matje e krahasim a bëhet fjalë për dy pjesë kohore: një natë me njëmijë muaj, apo ajo çka matet e vlerësohet është diçka tjetër? Nxitjen për të menduar rreth këtyre pyetjeve na ofron vetë Kur'ani dhe atë pikërisht në ajetin e dytë të kësaj sureje: "E kush mund të ta shpjegojë ty se ç'është nata e Kadrit?".

?'kuptim ka zbritja e melekve me në krye Xhibrilin a.s.? ?shtë kjo zbritja e parë apo e vetmja e tyre në tokë? A nuk ka dërguar Zoti melek edhe më parë në tokë? Tekefundit, a është toka e zbrazur prej tyre e që në këtë natë të mbushet e stërmbushet me to? Po melekët që vazhdimisht i kemi me ne: "...Kiramen katibin (të nderuarit që shkruajnë)" (Kur'ani, 83:10-11)? Pastaj, meleku Xhibril? Sa herë ka ardhur në tokë prej se e ka krijuar Zoti? Sa net Kadri kanë kaluar që nga ardhja e parë e tij te pejgamberi i fundit, Muhammedi a.s.? Një ndër arsyet e ardhjes së tij për çdo natë Kadri, a nuk është edhe kujdesi që ai ka ndaj amanetit që e solli pikërisht në këtë natë? Nëse ky amanet ruhet akoma me pastërtinë fillestare të tij në zemrat e muslimanëve ose jo? Nëse lexohen e mbahen gjallë akoma fjalët e para të këtij amaneti, që gjenden në suren paraprake, el-Alek: "Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (gjithçka), 2. e krijoi njeriun nga një droçkë gjaku! 3. Lexo! Zoti yt është Bujari më i madh, 4. i Cili, me anë të penës ia mësoi, 5. ia mësoi njeriut ato që nuk i dinte." (Kur'ani, 96:1-5)?

Kjo natë e madhe le të jetë vërtet e madhe në shtëpitë e familjet tona, le të mbushen ato me selamin  e paqen e vërtetë, me dashurinë e kulluar hyjnore, me kërkim faljeje, ashtu siç na ka këshilluar edukatori ynë, Muhammedi a.s., nëpërmjet gojës së Aishes r.a.: "O Allahu im, Ti je Falës. Ti e do faljen. Andaj falmë mua!".

Selami i Zotit qoftë me ju!