Prof. Shaqir Fetahu
Mufti i Gostivarit Njeriu në makro dhe mikroplan paraqet qendrën rreth të cilës rrotullohet gjithçka. Ai është i vetmi në gjendje ta vështrojë botën, ta kuptojë atë dhe ta ndryshojë në aspekt pozitiv apo negativ. E bënë këtë për arsye se tek ai janë të qëndisura dy botë; spiritualja dhe materialja. Kjo e vërtetë, pra jep sinjal për aftësinë e njeriut për të reflektuar rreth e përqark botës dhe ta ndryshojë atë varësisht nga qasja e tij dhe qëndrimi i tij.
Për këtë Kur'ani Famëlartë - Fjala e Zotit, në qendër të vëmendjes ka njeriun, formimin e tij për të vepruar në botë. Kjo ndodh mu për nga shkaku i mundësive të njeriut për të ndikuar në rrjedhat e botës në përgjithësi. Ai ka mundësi të madhe konstruktive, falë aftësisë për të menduar dhe kuptuar dhe për ta ndryshuar botën kah e mira duke i dhënë asaj kuptim të vërtetë. Ky pozicion është hyjnorja tek njeriu, kulminantja tek ai, që e arriti definimin hyjnor të njeriut halifetull-llahu fil erdi - mëkëmbës i All-llahut në tokë (II:30). Ky pozicion i lartë është edhe qëllim kryesor i krijimit të njeriut si qenie më e dalluar në mikro dhe makroplan. Që do të thotë, pozicion për t'i dhënë vendin e vet të vërtetët çdo një sendi, krijese, individi, fenomeni, etj. Aq është i rëndësishëm ky fenomen, sa që në këtë është i lidhur ngushtë dëshira, vullneti i Krijuesit, i Cili duke i folur në mënyrë permanente njeriut, pandërprerë është në kujdesin e njeriut, në mbikëqyrjen e veprimit të tij, në kontakt të fuqishëm me të dhe në bisedë të përhershme me të. Ky intervenim i hyjnores nëpërmes Fjalës së Tij të zbritur prej njeriut dhe pejgamberit të parë Ademit a.s. e deri tek pejgamberi i fundit Muhamedi a.s. e ndoqi njeriun dhe njerëzimin prej momentit të parë të shfaqjes së tij në sipërfaqen tokësore.