Robert Fisk

E mërkurë, 7 janar 2009

Kështu edhe një herë, Izraeli i ka hapur dyert e ferrit për palestinezët. Dyzet refugjatë civilë vdiqën në një shkollë të Kombeve të Bashkuara, dhe tre të tjerë në një tjetër. Jo keq për një punë nate në Gaza nga një ushtri që beson në "pastërtinë e duarve". Po pse duhet të habitemi?

A mos i kemi harruar 17'500 të vdekur -
thuajse të gjithë civilë, shumica prej të cilëve fëmijë e gra - në invadimin e Izraelit mbi Libanin më 1982; 1'700 civilë palestinezë të vdekur në masakrën e Sabra-Chatila-s; masakrën e Qana-s në vitin 1996 të 106 refugjatëve civilë të Libanit, më shumë se gjysma e të cilëve fëmijë, në një bazë të Kombeve të Bashkuara; masakrën e refugjatëve të Marwahin-it, të cilët u përzunë nga shtëpitë e tyre prej izraelitëve më 2006 e pastaj u masakruan nga një skuadër helikopterësh izraelitë; 1'000 të vdekurit në të njëjtin bombardim të 2006-s si dhe invadimin e Libanit, thuajse të gjithë civilë?

Ajo çka është për t'u habitur nga shumë liderë perëndimorë, nga shumë presidentë e kryeministra dhe, kam frikën, edhe nga shumë redaktorë e gazetarë, është shitja e rrenës së vjetër: se izraelitët kujdesen aq shumë për mënjanimin e viktimave civile. "Izraeli bën çdo përpjekje të mundshme për t'u ikur viktimave civile", tashmë e tha një ambasador tjetër izraelit vetëm disa orë para masakrës së Gazës. Dhe çdo president e kryeministër që e ka përsëritur këtë gënjeshtër si një justifikim për t'i ikur armëpushimit ka përgjakur duart në thertoren e natës së kaluar. Sikur Xhorxh Bushi të kishte guximin të kërkonte një armëpushim të menjëhershëm para 48 orëve, ato viktima civile, pleq, gra e fëmijë, sot do të ishin akoma gjallë.

Ajo që ka ndodhur nuk është vetëm e turpshme. Ajo është edhe humbje nderi. Termi "krim lufte" a do të ishte një përshkrim shumë i fortë? Sepse kështu ne do ta quanim këtë egërsi sikur ta bënte Hamasi. Kam frikë, mirëpo kjo është një krim lufte. Pas mbulimit të kaq vrasjeve masive nga ushtritë e Lindjes së Mesme -
nga trupat siriane, irakiane, iraniane dhe izraelite - supozoj se reagimi im do të ishte cinizmi. Mirëpo Izraeli pohon se është duke zhvilluar luftë kundër "terrorit ndërkombëtar". Izraelitët pohojnë se ata janë duke luftuar në Gaza për ne, për idealet tona perëndimore, për sigurinë tonë, për rehatinë tonë, sipas standardeve tona. Dhe kështu ne bëhemi bashkëfajtorë në egërsinë që tani është duke e pllakosur Gazën.

Unë kam raportuar me kohë justifikimet që armata izraelite i ka servuar më herët për këto mizori. Meqë ato mund të rinxehen në orët e ardhshme, po i përmend disa prej tyre: se palestinezët i kanë vrarë refugjatët e vet, se palestinezët i kanë gërmuar trupat nga varrezat dhe se janë fshehur nëpër gërmadha, se përfundimisht palestinezët po fajësohen nga arsyeja se ata e mbështesin një fraksion të armatosur, ose nga arsyeja se palestinezët e armatosur po i përdorin refugjatët apostafat si mburojë.

Masakra e Sabra-
s dhe e Chatila-s u kryen nga të djathtët e Izraelit, aleatët e tyre Falangistë libanezë, derisa trupat izraelite, ashtu siç ka raportuar vetë komisioni për hulumtime i Izraelit, kanë shikuar plot 48 orë dhe nuk kanë bërë asgjë. Kur për këtë u fajësua Izraeli, qeveria e Menachem Begin-it e akuzoi botën për një shpifje të përgjakshme. Kur ushtria izraelite hodhi predhat mbi bazën e Kombeve të Bashkuara në Qana në vitin 1996, izraelitët pohuan se në bazë ishin strehuar edhe njerëz të armatosur të Hizbullahut. Kjo ishte një rrenë. Më tepër se 1'000 të vdekur në vitin 2006 u zhdukën thjesht si përgjegjësi e Hizbullahut - lufta filloi kur Hizbullahu kapi dy ushtarë izraelitë në kufi - . Izraeli pohoi se trupat e fëmijëve të vrarë në masakrën e dytë në Qana mund të ishin marrë nga ndonjë varrezë. Kjo ishte një rrenë tjetër. Masakra e Marwahinit nuk u justifikua asnjëherë. Populli i fshatit u urdhërua të ikte, ata iu bindën urdhrave të Izraelit e pastaj u sulmuan nga një helikopter luftarak izraelit. Refugjatët i morën fëmijët e tyre dhe i vunë pranë kamionit me të cilin po udhëtonin, kështu që pilotët izraelitë t'i shihnin se ishin të pafajshëm. Mirëpo helikopteri izraelit i shtriu ata përtokë nga një largësi e vogël. Vetëm dy të mbijetuar, falë imitimit të tyre si të vdekur. Izraeli as që kërkoi falje për këtë.

Dymbëdhjetë vjet më herët, një tjetër helikopter izraelit sulmoi një ambulancë që bartte civilë nga një fshat fqinj -
sërish pasi nga ushtria izraelite ishin urdhëruar të niseshin - me ç'rast u vranë tre fëmijë e dy gra. Izraelitët pohuan se në ambulancë gjendej një luftëtar i Hizbullahut. Kjo ishte e pavërtetë. Unë i kam mbuluar të gjitha këto mizori, i kam hetuar të gjitha, ua kam treguar të mbijetuarve. Këtë e kanë bërë edhe disa kolegë të mi. Natyrisht, fati ynë ishte se ne u etiketuam për shpifje: ne u akuzuam se ishim anti-semitë.

Dhe unë e shkruaj këtë që vijon pa më të voglin dyshim: ne sërish do t'i dëgjojmë të gjitha këto fabrikime skandaloze. Ne sërish do ta kemi rrenën e Hamasit fajtor -
Zoti e di, ka mjaft për t'i fajësuar ata pa e shtuar këtë krim - dhe mund të kemi rrenën e trupave nga varrezat dhe së shpejti mund të kemi rrenën e fshehjes së Hamasit në shkollën e Kombeve të Bashkuara dhe shumë me siguri se do të kemi rrenën e anti-semitizmit. Kurse liderët tanë do të lëkunden dhe do t'ia përkujtojnë botës se Hamasi ishte ai që i pari e theu armëpushimin. Ai nuk e ka thyer armëpushimin. Këtë e ka bërë Izraeli, fillimisht më 4 nëntor kur si pasojë e bombardimeve të tij u vranë gjashtë palestinezë në Gaza dhe prapë më 17 nëntor kur nga bombardimet izraelite u vranë edhe katër palestinezë të tjerë.

Po, izraelitët e meritojnë sigurinë. Njëzet izraelitë të vrarë brenda 10 vjetëve përreth Gazës është vërtet një pamje e pamëshirshme. Mirëpo 600 palestinezë të vrarë vetëm brenda një jave, me mijëra të tjerë përgjatë viteve të shkuara që nga 1948 -
 kur masakra izraelite në Deir Yassin ndihmoi në ndezjen e dëbimit të palestinezëve nga ajo pjesë që do të bëhej Izrael -
është në një shkallë krejtësisht tjetër. Kjo nuk na sjell ndërmend një gjakderdhje normale të Lindjes së Mesme, porse një mizori e egërsi të shkallës së luftërave ballkanike të viteve 1990. Dhe natyrisht kur një arab vihet në lëvizje nga një tërbim i papërmbajtur dhe e shfaq hidhërimin e pezmatimin e tij ndezës, të verbër ndaj Perëndimit, ne do të themi se ai s'ka asgjë të bëjë me ne. Ne do të pyesim, përse ata na urrejnë ne? Mirëpo, të mos themi se nuk e dimë përgjigjen.


Nga anglishtja: Rejhan Neziri

Marrë nga: www.independent.co.uk