Printo!
Kategoria: Analiza
Lexuar: 780 herë


Mehas Alija
www.breziiri.com


Çdo njëri është i krijuar me nevoja biologjike e shpirtërore. Njeriu ka nevojë të besojë, të dashurojë, të kuptojë, të pushojë, të argëtohet, të konsumojë ushqime dhe pije të shijshme, të jetojë jetë të qetë dhe të lumtur, etj. Por, shumica e ambicieve dhe ëndjeve që janë të njëanshme, të cilat asnjëherë nuk kanë qenë, as që ndonjëherë do të jenë, të legjitimuara dhe të pranuara si mekanizma që njeriut do të mund t’i ofrojnë ndonjë model dhe metodë me anë të të cilave ai do ta gjente prehjen, qetësinë dhe lumturinë shpirtërore në të dyja botët, janë të përkohshme dhe fiktive.

Megjithatë, ekziston një dashuri e cila, me siguri, do të jetë e kompensuar shumëfish, e shpërblyer me mënyrën më të zgjedhur dhe më shembullore, e ajo është dashuria e vërtetë, markante, e pakontestueshme ndaj Allahut të Madhërishëm, ndaj të Dërguarit të Tij, ndaj Librit të Tij, ndaj njeriut dhe ndaj krijesave të tjera. Këto dashuri sensibilizojnë dualizmin e njeriut, nëpërmjet të të cilave njeriu duhet ta orientoj veten drejtë sendërtimit të së ardhmes dhe jetës së tij.

Veprimi, i cili nuk mbështetet në këtë vijë të shëndosh hyjnore dhe nuk pasohet nga ndjesia e dashurisë dhe mirëkuptimit, vetvetiu është i ngurtë dhe si rrjedhojë është i pafrytshëm dhe i dëmshëm. Shoqëria muslimane posedon dhuntinë dhe shpërblesën më të madhe, e ka Kur’anin, me anë të të cilit siguron dhe garanton mirëqenien globale, ndërton konstitucionet e vetërealizmit të vet, ndërton rendin shoqëror e botëror mbi baza të legjislaturës më të shëndosh dhe është e vetmja shoqëri e zgjedhur për ta realizuar misionin e Zotit në tokë, miqësisht, denjësisht dhe drejtësisht, pa shtrembërime e keqinterpretime, ashtu edhe si konceptohet në Kur’anin famëmadh.

Allahu i Lartësuar thotë:

“...Ne ty të shpallëm librin sqarim për çdo send, udhëzim e mëshirë dhe myzhde për muslimanët.” [1]

“...Ai është një libër ngadhënjyes (i pashoq). Atij nuk mund t’i mvishet e pavërteta nga asnjë anë, është i Zbritur prej të Urtit, të Lavdishmit.” [2]

Në bazë të kësaj jo që mund të dyshohet se Kur’ani është një libër në të cilin mund të gjenden elemente të afatizuara, mësime që s’i përkasin të sotmes, kontradikta dhe të meta, porse konfirmohet fakti se ai është i vetmi libër që meriton të jetë “udhëheqës” i proceseve njerëzore, burim i mendimit islam, udhëzues elokuent i papërsëritshëm dhe i vetmi sistem i cili siguron mundësinë për një organizim të mirëfilltë të njerëzimit në tokë, mbase edhe shpëtim dhe ndërmjetësim në botën tjetër. I dashuri ynë, shkëlqesia e universit, Muhammedi, s.a.v.s., në këtë kontekst thotë: “Mbahuni fort pas Kur’anit dhe njiheni atë për udhëheqës dhe komandant, sepse ai është fjala e bekuar e Allahut, xh.sh., edukuesit të botëve! Erdhi prej Tij dhe te Ai do të kthehet!”[3]

Kjo thënie e të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s., na tregon edhe një qëllim tjetër madhështor që bart ky Kur’an me vete. Ai, sipas kësaj thënie, llogaritet “udhëheqës” dhe “komandant”, i cili erdhi që t’i orientoj dhe organizoj njerëzit në frymën që është sa hyjnore, aq edhe njerëzore, dhe më pas të kthehet, përsëri, tek Zoti i të gjitha botëve. Andaj, nuk është edhe çudi që Xhemalud-din el-Afgani të jetë inspiruar nga kjo thënie e të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s., kur ka thënë: “Me këtë qëndrim timin nuk kërkoj që, ai i cili (muslimanëve) u sjell urdhra në të gjitha çështjet, të jetë një person, sepse kjo mund të ishte vështirë për t’u arritur, por ajo që shpresoj është që Kur’ani të jetë udhëheqës për të gjithë muslimanët, ndërsa feja modeli i bashkimit të tyre”.[4] Duke i pasur parasysh mundësitë dhe përballjet që atëherë i përjetonte bota islame, por edhe sot, ky dijetar më së shumti e artikuloi idenë dhe theksoi nevojën e organizmit dhe udhëheqjes së muslimanëve në bazë të mësimeve të Kur’anit famëmadh. Po kështu shprehet edhe Muzaffer Halim, i cili thotë: “Kur’ani është një udhëheqës për të gjitha qeniet e gjalla në planetin tokë dhe është një tekst libri për mësimin e një gjuhe të re – gjuhës shpirtërore.”[5]

Kur’ani nuk mund të jetë “udhëheqës” fizik i natyrës së krijesës dhe nuk mund të paramendohet si i tillë. Me këtë që themi nuk pretendojmë të krijojmë një imazh të ri të Kur’anit, porse vetëm të ritheksojmë rëndësinë dhe rolin e tij që ka në shoqërinë muslimane si “komandant”, drejtues dhe mësues shpirtëror i njeriut për ta orientuar dhe nxitur të bëj vepra të mira dhe ta mësoj se si të vesh petkun dhe rolin të cilin ia ka caktuar Zoti në tokë.

Për ta besuar dhe kuptuar këtë rol madhështor që ka Libri i Allahut, Kur’ani fisnik në jetën tonë, do të duhet që ai në mesin tonë të konsiderohet i pacenueshëm, i paprekshëm, i perfektshëm, ideal, i studiuar dhe i praktikuar me ndjenjën e dashurisë së sinqertë.


 

Ç’është dashuria e sinqertë

“Dashuria e sinqertë” nuk është diçka e re, as formulim që nuk përkon me të vërtetën, por një koncept i mbështetur fortë në mësimin hyjnor dhe arsyen e shëndosh. Ky koncept ndihmon shumë në afirmimin e njeriut dhe shoqërisë me të gjithë që i rrethojnë. Nuk mund të paramendosh një dashurues të madh të Librit të Allahut, ndërsa nga ana tjetër të jetë injorant në aspekt të praktikimit të mësimeve dhe urdhëresave të tij, e as më hiq nuk mund të të shkoj mendja të mendosh mbi njeriun që e donë Kur’anin, ndërsa raporti ndaj dashurisë së Allahut, të Dërguarit të Tij, njeriut dhe krijesave të tjera të jetë i shpërfillshëm, indiferent, i zbehtë dhe i pasinqertë.

Të besuarit dhe të kuptuarit e Kur’anit në bazë të këtij koncepti, duke u mbështetur fillimisht në boshtin dhe forcën e të gjitha dashurive të tjera, pra në dashurinë ndaj Krijuesit tonë, pasi që teuhidi, respektivisht Allahu, xh.sh., konsiderohet si burimi i vetëm i ekzistencës dhe Islamit, mundëson që ai të jetë më lehtësisht i kuptuar dhe i zbatuar. Gjallëria dhe funksionaliteti, që arrihet nëpërmjet forcës që prezanton mësimi kur’anor, nuk mund të kuptohen dhe të manifestohen, nëse raporti ynë me Kur’anin nuk është si rezultat i kësaj dashurie. Kjo dashuri e sinqertë arrihet kur e njohim mirë atë. Përndryshe zhgënjehemi rëndë nëse themi që e duam Kur’anin pa e lexuar, kuptuar dhe studiuar mirë, e më pak mund të pretendojmë se i ngjajmë atij.


 

Kur’ani, burimi i paqes dhe dashurisë

Në ditët e para kur shpallej Kur’ani, shoqëria, në mesin e së cilës ai zbriste, jetën dhe sistemin e organizimit shoqëror e konstituonte në bazë të injorancës, konflikteve, luftërave dhe urrejtjeve të pandërprera. Fillimisht Kur’ani thirrej në një besim të vetëm, gjegjësisht në njohjen dhe adhurimin e një Zoti. Allahu, me Fjalën e tij, i promovuar nga Kur’ani si Zoti i vetëm, që nuk ka shok e as rival, i pa lindur nga askush dhe që nuk ka lindur askënd, Krijuesi i qiejve dhe i tokës, Furnizuesi i çdo gjëje, u bë simboli dhe burimi i paqes, dashurisë dhe harmonisë. Vërtetësia dhe elokuenca e Kur’anit sensibilizonte qenien njerëzore, çlironte shpirtrat e fundosur në injorancë, i theu të gjitha besëtytnitë dhe i lëshoi filizat e para të ndërtimit të një shoqërie religjioze, e orientuar dhe thelluar në paqe, dashuri dhe harmoni ndërnjerëzore. Janë të pavërteta opinionet islamofobe të dala edhe kohëve të fundit, nga personalitete dhe institucione të ndryshme, gjoja se Kur’ani nxit luftën, urrejtjen dhe disharmoninë ndërfetare, ndërkulturore dhe përgjithësisht ndërnjerëzore.

Natyra e Ku’ranit është paqësore dhe mëshiruese. Kur’ani zbriti për ta sjellë rendin e ri në faqe të tokës, për ta sjellë paqen dhe për t’ia kthyer njeriut dinjitetin dhe karakterin e pastër, respektivisht kthimin e tij kah Zoti i vërtetë. Kur’ani u bë referencë e kohës për unitet, paqe dhe zhvillim. Kur është kështu, atëherë si është e mundur që ne të dallojmë kaq shumë nga ky libër i yni? Nga këto mësime të pastra dhe përherë të dobishme. Nëse e analizojmë realitetin tonë shoqëror, së pari si muslimanë, e më pas si njerëzim, jemi shumë larg konceptit të paqes dhe dashurisë globale që ofron Kur’ani. Paqja dhe dashuria kur’anore është origjinale, e zhveshur nga maska, urrejtja dhe qëllimet e errëta. Eshtë ideale, e pazëvendësueshme, që i përfshin të gjitha sferat e jetës!



Sikur të ishim një fjalë e Kur’anit që ec mbi tokë

S’ka dyshim se largimi ynë nga Kur’ani ka shkaktuar mosrespektimin dhe moskuptimin e tij dhe të normave që burojnë nga ai dhe kështu kemi filluar të bëjmë një jetë jashtë udhëzimeve madhështore dhe të pashembullta të tij. Sa prej nesh sot zgjohemi në mëngjes dhe kapemi për Kur’anin; sa jemi nga ata që për njëmend zgjidhjet dhe shërimet i kërkojmë po aty; frymëzimet dhe mendimet tona sa janë që burojnë prej tij; ku është jeta jonë e ndërtuar në parimet dhe kodekset e tij fisnike; ku shfaqet morali ynë islam i nxjerr po nga ky Kur’an? Cili është raporti ynë me Kur’anin? Sa ne e ndjekim sunnetin e të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s., në shndërrimin e qenies sonë në një Kur’an të gjallë që ec?! Në transmetimin që vjen nga Hisham bin Hakem thuhet se kur e kanë pyetur Aishen, r.a., se cili ishte morali i të Dërguarit, s.a.v.s., ka thënë: “Morali i tij ishte Kur’ani”. [6] Po, ai ishte Kur’ani i gjallë! Po ne sa jemi të gjallë me Kur’anin; sa ne jemi Kur’ani që ec?! Po nëse nuk jemi të tillë, a jemi një sure, një ajet apo fjalë e tij që ec mbi sipërfaqen e tokës?! Sa dashuri e madhe dhe e sinqertë kultivohet në të, por ne pak jemi të prekur nga ajo dashuri. Pak na rrëqethet lëkura, pak na rrah zemra e pak na shpërthen loti për të. Dashuria për Zotin, dashuria për familjen, për atdheun, për njerëzimin, për natyrën, kafshët, gjallesat, etj., mbetet në qendër të përkushtimit të tij. Sa ne jemi të përkushtuar ndaj këtyre?

Sot mund të hasësh në njerëz që e lexojnë Kur’anin, por prej tij pak kuptojnë. Mund të gjesh njerëz që shumë flasin për të, por pak punojnë sipas tij. Eshtë një kohë e vështirë, e alarmuar nga Muhammedit, a.s.

Në një rast Muhammedi, a.s., i pat thënë Ibn Mes’udit, r.a., kështu:

“Ti jeton në një kohë në të cilën ka shumë prej njerëzve që i kuptojnë dispozitat e Kur’anit, ndërsa të paktë janë ata që e lexojnë atë. Shumë njerëz jetojnë sipas Kur’anit dhe i ruajnë dispozitat e tij, ndërsa të paktë janë atë që kujdesen për shkronjat e tij. Të paktë janë fukarenjtë, ndërsa të shumtë janë atë që japin lëmoshë. Njerëzit në namaz rrinë gjatë, ndërsa flasin pak. Më shumë punojnë sesa flasin. E do të vij një kohë, kur do të ketë më pak nga ata që e kuptojnë Kur’anin, e më shumë nga ata që e lexojnë atë. Atëherë dispozitat e Kur’anit do të shuhen (së zbatuari), e më shumë do të kujdesen për shkronjat e tij. Të shumtë do të jenë fukarenjtë, e të paktë ata që japin. Koha do të harxhohet më shumë në fjalime, kurse pak në lutje. Pak do të punohet, kurse më shumë do t’i kënaqin epshet e tyre.”[7]

Në një hadith tjetër ku Muhammedi, a.s., e përshkruan gjendjen tonë, thotë:

Do të vjetrohet Kur’ani në zemrat e disa njerëzve ashtu siç vjetrohet rroba dhe do të shpërbëhet. Do ta lexojnë atë dhe nuk do të ndjejnë kënaqësi.”[8]

Të parët tanë Kur’anin dhe mësimet e tij i ndjenin thellë në zemra dhe me përkushtim të plotë i zbatonin ato. Tregohet nga shokët e të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s., se kur i shpallej ndonjë ajet që fillonte me fjalët: “O ju që keni besuar...” ata heshtnin dhe dëgjonin me vëmendje se çdo të pranojnë: ndonjë urdhëresë apo ndalesë[9], e madje ta jetësojnë menjëherë në praktikë. Dallimi midis ne dhe gjeneratave të para qëndron në atë se ato jetonin për ta zbatuar Kur’anin, kurse ne e lexojmë atë për të jetuar. Ata jepnin dhe sakrifikonin për t’i vënë në funksion ligjet e tij, kurse ne shfaqim indiferentizëm ndaj mësimit të tij. Ata nga Kur’ani nxorën idetë dhe shkencat e reja, kurse ne nga shkenca dhe idetë mësojmë për Kur’anin.



Kthimi tek Kur’ani është shpëtimi i vetëm

Realiteti ynë do të ndryshonte po t’i ndryshonim raportet dhe qasjet tona ndaj Kur’anit. Ky libër, siç thotë dijetari J. Kardavi, është “libër i njeriut”,[10] dhe si i tillë njeriu aty e gjen veten. Trajtimi i Kur’anit, ose raporti ynë me të, nuk duhet të jetë i kufizuar vetëm në fushën e kodeksit të tij moralo-etik, porse duhet të jetë i gjithëpërfshirshëm, i gjithanshëm dhe koherent, si p.sh., në aspekt të organizimit politik, ekonomik, social, kulturor, etj.

Kthimi tek Kur’ani duhet të nënkuptoj, së pari, kthimin kah Allahu i Lartëmadhërishëm, kthim në njohjen e Tij, kthim i cili do të ndryshoj bindjet e gabuara ndaj Zotit dhe Atributeve të Tij. Pas kësaj, duhet të ndodh solidarizimi i plotë me normat dhe mësimet kur’anore, në mënyrë që ta shpëtojmë vetveten, familjen dhe shoqërinë mbarë. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë ndodh e kundërta – shkatërrimi!

Allahu i Lartësuar thotë:
“E kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim, do të ketë jetë të vështirë dhe në Ditën e Kijametit do ta ringjall të verbër.” [11], dhe
“... E, nëse ju ia ktheni shpinën dhe i largoheni Atij, Ai do t’ju zëvendësojë me një popull tjetër, i cili nuk do ta ndjekë shembullin tuaj.” [12]

Ky kthim nuk duhet të jetë formal, i pashpirt, i pavullnetshëm, porse duhet të jetë i vetëdijshëm, me plotë gjallëri, pa mëdyshje, për të shfaqur bindjen se ky libër është ligj, kushtetutë, sistem jete, det i thellë për spirtualitet, rrugë për të fituar fuqinë, epitetin e ngadhënjimtarit, burim i ideve dhe vizioneve më të bukura. Gjithashtu, kthimi tek Kur’ani nuk nënkupton mbylljen dhe kufizimin vetëm në të, porse si burim nga i cili mësojmë edhe t’i velim dhe t’i vlerësojmë vlerat dhe të arriturat e të tjerëve.

Pra, fati dhe perspektiva jonë do të varet nga ajo sesi do të jetë përkushtimi ynë ndaj Librit të Allahut, Kur’anit të madhërishëm.

 



Shënimet:
___________________

[1] En-Nahl, 89
[2] Fussilet, 41-42
[3] Jakub Memiq, Hadithe të zgjedhura të Pejgamberit, a.s., Tetovë, 2004.
[4] Cituar sipas: Enes, Kari
ć, Tumačenje kur’ana i ideologije XX stoljeća, Bemusut, Sarajevë, 2002., fq 7.
[5] Cituar sipas: Murad Hofmann, Kur’ani, Tiranë, 2007., fq 116.
[6] Buhari, Muslimi
[7] Imam Maliku
[8] Cituar sipas: Amër Halid, Përmirësimi i zemrave, Furkan ISM – Shkup, 2007., fq. 358.
[9] Ibid.
[10] Dr. Jusuf el-Kardavi, Veçoritë e përgjithshme të islamit, Furkan ISM – Shkup, 2001., fq., 71.
[11] Ta-Ha, 124.
[12] Muhammed, 38.