Printo!
Kategoria: Ahlak
Lexuar: 2454 herë

Dr. Husein Rizai
 
 
Pendimi është begati e dhuruar prej Allahut Fuqiplotë, e cila ruan shoqërinë nga shkatërrimi. Pendimi është dhunti e madhe prej Allahut sepse sikur të mos ishte mëshira dhe butësia e Tij me njerëzit dhe ligjësimi i pendimit (teubes) dhe i kërkimit të faljes (istigfarit) për njerëzimin, njerëzit do të shkatërroheshin ose do ta shkatërronin njëri tjetrin dhe kështu do të shkaktohej kaos, trazirë, turbullirë dhe çrregullim i paparë. Pendimi në mënyrë të sinqertë dhe nga brendësia e shpirtit, është adhurim dhe njëkohësisht është një mjet për  rikthimin e vlerave të humbura më parë. Është  mënyra për ripërtëritjen e jetës fetare dhe të besimit si dhe rruga për riparimin e marrëdhënieve/raporteve të prishura me Zotin xh. sh.. Allahu i madhërishëm e ka krijuar njeriun me një natyrë të ndryshme nga krijesat e tjera; me potencial për t’u orientuar edhe kah e mira edhe kah e keqja. Njeriu i krijuar në formën më të bukur, nëse orientohet drejt së keqes, mund të bjerë në një shkallë më të ulët se kafshët Ajo që kërkohet nga njeriu është që ai gjithmonë të orientohet kah e mira dhe, duke jetuar një jetë në përputhje me urdhëresat dhe ndalesat e Allahut dhe të të Dërguarit të Tij, ta fitojë lumturinë e kësaj bote dhe të botës tjetër.

Megjithatë, nga dobësitë që ngërthen në vete dhe nga ndikimet mjedisore, me vetëdije apo pa vetëdije, njeriu kohë pas kohe zhytet në mëkate. Allahu i madhërishëm, duke i falur robërit e vet për “pendesën dhe kërkesën e faljes”, ka hapur një “derë të mëshirës” për t’i shpëtuar nga kjo situatë. Teubeja-istigfari do të thotë: të ndjerit keqardhje apo pishmanllëk nga gjynahu i vepruar, vendosmëri për të mos u kthyer më në të dhe kërkim i faljes nga Allahu xh. sh.. Në fakt, meqë teubeja gjithnjë shprehet bashkë me istigfarin, sikur është bërë sinonim i tij. Kur këto dy fjalë, teube dhe istigfar, përdoren së bashku (gjithmonë istigfari duke u pasuar nga teubeja), atëherë e para (istigfari) do të thotë kërkim i sigurisë nga e keqja dhe nga dëmi i asaj që ka ndodhur, dhe e dyta (teubeja) do të thotë kthim tek Allahu dhe lutje për sigurim nga e keqja e asaj për të cilën njeriu ka frikë në të ardhmen. Si pasojë, të bëhet vetëm istigfar, pa teube- (largohesh nga një e keqe, por nuk drejtohesh nga e mira; largohesh nga imoraliteti i drejtohesh alkoolit), nuk do të ishte e plotë. Për të qenë pendimi i plotë duhet të largohesh nga  harami dhe t’i drejtohesh të mirës hallallit apo Allahut fuqiplotë .


Dispozitat për pranimin e teubes

Për çdo punë ekzistojnë rregulla, dhe në këtë rast, gjithsesi Allahu xh.sh., pejgamberi a.s., por edhe pejgamberët e tjerë gjatë historisë na i kanë treguar rregullat, rrugën ose mënyrën se si kemi mundësi t’i drejtohemi Krijuesit për falje dhe udhëzim. I Madhi Zot në Kur’anin Famëlartë thotë: “O ju që keni besuar, pendohuni te Allahu me një pendim të sinqertë në mënyrë që Zoti juaj t’i largojë prej jush të këqijat, t’u shpie në Xhennete, nën të cilat rrjedhin lumenj, ditën kur Allahu nuk e turpëron Pejgamberin, e së bashku me të as ata që kanë besuar. Drita e tyre ndriçon para tyre dhe në të djathtë të tyre, e ata thonë: “Zoti ynë, vazhdona dritën tonë, falna neve. Vërtet, Ti je i plotfuqishëm për çdo send”. (Tahrim, 8). Në ajetin e lartpërmendur është përmendur fjala en-nasuh– i sinqertë, i pastër, i cili ka është në formën sipërore, duke pasur qëllim stërmadhimin e madhërimit,siç mund të themi: shekkur – falënderues i madh, apo sabbur-durimtar i madh. Rrënja e fjalës nesaha ka kuptimin: pastrimi dhe çlirimi i një gjëje prej mashtrimit dhe mbeturinave të ndryshme të padëshiruara. Me rrënjën kryesore të kësaj fjale lidhet gjithashtu fjala khalesa - i sinqertë, i pastër.Sinqeriteti është një realitet pa të cilin nuk plotësohet asnjë punë dhe as që arrihet ndonjë bekim nga ana e Allahut Fuqiplotë, nëse qëllimi nuk është i mirë dhe i pastër.Kështu, sinqeriteti në pendim, do të thotë: pastrimi dhe çlirimi i tij prej çdo lloj mashtrimi, mangësie apo kundërvajtjeje, si dhe prezantimi i tij në formën më të plotë.

Në anën tjetër, edhe praktika e pejgamberit lë të kuptosh se teubeja nuk duhet bërë vetëm me majë të gjuhës duke shqiptuar dy tri fjalë, por ajo është një veprim që duhet realizuar me vetëdije. Sikurse edhe çdo ibadet tjetër, edhe teubeja dhe istigfari duhen të bëhen me sinqeritet të plotë, dhe është shumë e rëndësishme që të mos hezitohet. Allahu i Madhëruar i posedon atributet si “Afuv”- shumë falës, “Gafur”- shumë  faljedhurues. Kur robi kërkon falje nga Zoti atëherë vijnë në shprehje këto cilësi të Allahut. E kush i pranon të gjitha ato gjynahe kur robi kërkon falje? Atë e bën “Tevvabi”, Ai qe pranon pendimin e robërve te Tij. Emri ka ardhur ne formën Fe’al, qe përdoret për të shprehur stërmadhim, dhe në këtë rast, për të shprehur pranimin e shumtë të pendimit nga njerëzit.  Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Nëse dikush bën ndonjë mëkat dhe pastaj merr abdes bukur, çohet e fal dy rekatë namaz dhe kërkon falje nga Allahu, Allahu me siguri do ta falë.” Dhe si përforcim të këtij fakti, lexon ajetin: “Ata të cilët, kur bëjnë vepra të turpshme ose i bëjnë dëm vetes, e kujtojnë Allahun e i kërkojnë falje për gjynahet e tyre, e kush i fal gjynahet përveç Allahut?” (Ali Imran, 135). Nga ky këndvështrim mund të përfundojmë se Allahu fuqiplotë, për të promovuar cilësinë e mëshirës, thotë: “Thuaj: “E kujt është e tërë kjo në qiej e tokë?” Thuaj: “Vetëm e All-llahut”. Ai ia bëri Vetes obligim mëshirën. Ai do t’ju tubojë në ditën e gjykimit, për të cilën gjë nuk ka dyshim. Ata që i shkaktuan humbje vetvetes, ata nuk besojnë.” (En’am, 12), që le të kuptojmë se çdo punë e bën me mëshirë dhe se pranimi i pendesës bëhet me mëshirën e Tij të pakufishme.

Allahu xh.sh. robërve të vet që i drejtohen Atij me teube dhe istigfar të sinqertë ua pranon teuben dhe kërkon që mos ta humbin shpresën për gabimet e bëra. Në Kur’anin famëlartë u drejtohet robër të Vetë duke u thënë: “Thuaj: “O robërit e Mi të cilët e keni ngarkuar veten tuaj me shumë gabime, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së Allahut, sepse Allahu i falë të gjitha mëkatet, Ai është që falë shumë dhe është mëshirues!” (Zumer, 53). Ky ajet është shumë shpresëdhënës për njeriun dhe shërben si ilaç për shërimin e plagës. Ky ajet thotë: sado që të kesh gjynahe, sado që të jetosh larg Zotit, nëse i drejtohesh Allahut dhe i thua: “O Zot, unë pendohem te Ti”, Allahu të pranon dhe të fal. Posaçërisht shpresëdhënëse janë fjalët: “O robërit e Mi”, megjithëse mund Ai t’u drejtohet me fjalët: O kriminel ose o gjynahqarë. Në anën tjetër, shpresëdhënëse janë edhe fjalët: “Që e keni ngarkuar veten me shumë gjynahe”, sepse Allahu xh.sh. nuk i përmend gjynahet që janë bërë, nuk e përmend imoralitetin (zinanë), vjedhjen, ryshfetet, sharjet, etj. dhe këtë e bënë me të vetmin qëllim që të mos i trazojë ndjenjat e asnjërit nga robërit e Tij. Nuk ekziston ndonjë mëkat që Allahu nuk e fal dhe nuk ka ndonjë mëkatar që Allahu t’ia mbyllë derën e pendimit për shkak të madhësisë së mëkatit të tij, sepse falja dhe amnistia e Allahut xh. sh. është shumë e gjerë dhe e madhe.
 

Pastërtia pas teubes

Duke u pastruar nga mëkatet nëpërmjet teubes, robi pothuajse kthehet prapë në pastërtinë esenciale dhe të lindur (fitër). Pejgamberi a.s. ka thënë: “Ai që pendohet nga mëkati, është si ai që nuk ka bërë mëkat.” Teubeja e bërë me seriozitet dhe me keqardhje apo pishmanllëk të vërtetë, mundëson faljen e gjynaheve. Në lidhje me këtë Muhammedi s.a.v.s. ka thënë: “Allahu i lavdëruar dhe i madhërishëm urdhëron: ‘O robërit e mi! Mëkatarë që keni ngelur jashtë atyre të cilët i kam falur. Kërkoni falje nga Unë, që t’jua fal mëkatet. Kush e njeh faljen time dhe kërkon falje, atë do ta fal, çfarëdo qoftë gabimi i tij.”. Pastrimin e ndërgjegjes nëpërmjet pendimit, Muhammedi a.s. e shpjegon me këtë krahasim të bukur: “Kur robi bën një gabim, në zemrën e tij shfaqet një pikë e zezë. Në rast se heq dorë nga mëkati, pra kërkon falje, pendohet dhe i kthehet Allahut, zemra i pastrohet. Por, në rast se (nuk vepron kështu) i kthehet përsëri mëkatit, pika e zezë rritet dhe përfundimisht ia kaplon tërë zemrën.”. Pikërisht ky është ndryshku për të cilin Allahu xh. sh. bën fjalë në Kur’an kur thotë: “Por veprat e tyre (të këqija) ua kanë mbuluar zemrat.” Në këtë kuadër, sa domethënëse është që të përkujtohet edhe shembulli/rasti i Pejgamberit s.a.v.s., të cilit i ishin falur të gjitha mëkatet e së kaluarës dhe të së ardhmes, por megjithatë në jetën e përditshme ai shpeshherë bënte teube. Për të Dërguarin e Allahut, teubeja ishte një mjet për të vendosur lidhjet me Zotin xh. sh., sepse Allahu i madhërishëm i do ata që pendohen shumë. Ashtu thoshte i më i Dashuri ynë, Pejgamberi a.s.: “Zoti ynë gëzohet shumë më tepër për pendesën tuaj, se ç’gëzohet dikush që ka humbur diçka me vlerë dhe e gjen atë pikërisht atëherë kur e ka humbur shpresën se do ta gjejë.”

Allahu i madhërishëm është i kënaqur kur njeriu, me vullnetin/dëshirën e tij të lirë, largohet nga mëkati dhe i drejtohet Atij duke i kërkuar falje. Në fakt, a nuk është lutja-duaja e tij, të kërkuarit falje dhe ndihmë prej Tij, ajo që i jep vlerë njeriut te Allahu? I Dërguari i Allahut, me hadithin në vijim, sikur i jep përgjigje kësaj pyetje: “Sikur ju të mos kishit bërë asnjë mëkat, Allahu do të kishte krijuar njerëz të tjerë në vend tuaj, ata do të bënin gjynahe, pastaj do të pendoheshin dhe Allahu do t’i falte.” Nga Ebu Seid El-Huderiu transmetohet se pejgamberi a.s. ka thënë: “Nga ata që kanë qenë para jush, ka qenë një njeri që i ka mbytur 99 veta. Pastaj e kërkoi njeriun më të ditur në sipërfaqe të tokës. Ata e drejtuan te një prift, të cilit i shkoi dhe e pyeti: A ka teube (pendim) për një njeri që ka mbytur 99 veta? Ai u përgjigj: “Jo”, e ky e vrau edhe këtë dhe i plotësoi njëqind. Pastaj, prapë kërkoi njeriun më të ditur në sipërfaqe të tokës. Atë e drejtuan te një njëri i ditur dhe e pyeti: A ka teube (pendim) për një njeri që ka mbytur 100 veta? Ai iu përgjigj: “Po, e kush mund ta ndajë atë nga teubeja (pendimi)?!”. Pastaj vazhdoi: “Shko në filan vendin ku ka njerëz që i bëjnë ibadet Allahut dhe adhuro Allahun së bashku me ta, e mos u kthe në vendin tënd se ai është vend i fesatit/ngatërresave”. Morri rrugën dhe pasi që e kaloi gjysmën e rrugës i erdhi vdekja. Atëherë ranë në dilemë melekët. Melekët e rahmetit thanë: “Ai u pendua dhe me zemrën e tij u drejtua kah Allahu”. Melekët e dënimit thanë: “Ai kurrë një punë të mirë s’e ka bërë”. Atëherë ju erdhi një melek në formë të njeriut dhe e bënë ndërmjetësues të tyre. Ai u tha: “Mateni largësinë mes dy vendeve, dhe te cili është më afër, atij i takon”. Kur e matën e panë se është më afër vendit ku ka dashur të shkojë dhe atë e morën melekët e rahmetit (Xhennetit).”

Të gjithë pejgamberët ftuan për pendim dhe kërkuan falje nga Allahu. Ademi s.a.v.s. dhe bashkëshortja e tij Hava, pasi e kuptuan fajin e tyre, menjëherë iu drejtuan Zotit dhe kërkuan falje prej Tij. Sipas asaj që lajmëron Kur’ani Fisnik, ata i luteshin Zotit në këtë mënyrë. “Zoti ynë! Ne e kemi shtënë veten në gjynah, prandaj, nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne vërtet do të jemi prej të humburve.” (Araf-23). Pra, Allahu i cili është pranues i pendimit, i fali dhe ua pranoi teuben. Edhe Nuhu a.s., pasi e humbi djalin e tij, i cili nuk e dëgjoi dhe nuk hyri në anije, iu drejtua Zotit me fjalët: “(Nuhu) Tha: “Zoti im, unë mbështetem në mbrojtjen Tënde që të (mos) kërkoj prej Teje atë për të cilën nuk kam njohuri, e në qoftë se Ti nuk më fal mua dhe nuk më mëshiron, do të jem i humbur!” (Hud,47). Në anën tjetër, Ibrahimi a.s. dhe i biri i tij Ismaili a.s., i ishin drejtuar Allahut duke kërkuar prej Tij që t’ua pranojë pendimin. Allahu këtë lutje në Kuran’in Fisnik na e tregon në këtë mënyrë: “Zoti ynë, bëna neve dyve besimtarë të sinqertë ndaj Teje dhe nga pasardhësit tanë, njerëz të bindur ndaj Teje, na i mëso rregullat e ibadetit (adhurimit) tonë dhe falna neve, vërtet Ti je që falë shumë, je mëshirues!”(Bekare 128). Në këto ajete e shohim mëshirën dhe butësinë e Allahut xh.sh. ndaj robërve të tij, që nuk mjafton me falje të mëkateve, po edhe u tregon se si të pendohen!! Kjo është një kurajë dhe mbështetje shumë e madhe për besimtarët, që të mos turpërohen të pendohen (të bëjnë teube) për mëkatet e bëra.
 

Koha e teubes

Krahas faktit që pendimi nuk është i kushtëzuar me ndonjë kohë, vend apo kusht tjetër, në Kur’anin Fisnik lavdërohen ata të cilët pendohen në kohën e agimit (seher). I Dërguari i Allahut lajmëron se Allahu i madhërishëm e shfaq mëshirën e Tij natën, në qiellin më të afërt të botës, për t’i falur robërit e vet: “Allahu xh.sh. çdo natë, pasi të kalojë një e treta e parë e natës, zbret në qiellin e dynjasë (pra sheh me syrin e mëshirës) dhe thërret: ‘A ka ndonjë që më lutet e t’ia pranoj lutjen? A ka ndonjë që kërkon prej Meje e t’i përgjigjem kërkesës së tij? A ka ndonjë që më kërkon falje e Unë ta fal?”. Përveç këtyre kohëve të veçanta, nga njeriu, i cili në çdo moment ballafaqohet me rrezikun e rënies në mëkat, pritet që të ndërgjegjësohet në lidhje me mëkatin e vepruar dhe menjëherë të pendohet. Kjo për arsye se ekziston një moment në të cilin nuk pranohen pendimet, dhe ky është çasti kur njeriut i vjen vdekja, pra çasti kur shpirti vjen në grykë, ndërsa vdekja nuk dihet se kur vjen.
 

Fjalët që duhet përdorur gjatë teubes

Gjatë teubes-istigfarit, njeriu mund t’i zgjedhë fjalët që i pëlqen, mjafton që ato të burojnë nga brendia e shpirtit dhe të jenë të sinqerta. Mirëpo, nëse dëshirohet që ndjenja e pishmanllëkut dhe kërkimi i faljes të shprehet me fjalët më të bukura, atëherë duhet të merren parasysh fjalët e të Dashurit tonë, pejgamberit a.s.. Ja pra, nga gjuha e tij, fjalët më të bukura të “kërkimit më të lartë të faljes/sejjidu’l-istigfar”, gjegjësisht të teubes-istigfarit (të pendimit dhe të kërkimit të faljes) nga i Dërguari i Allahut: “O Allah, Ti je Zoti ynë, përveç Teje nuk ka zot tjetër. Ti je Krijuesi im dhe unë jam robi yt. Unë, me gjithë fuqinë time, qëndroj në fjalën që të kam dhënë dhe jam plotësisht i sigurt dhe besoj në premtimin Tënd. Unë kërkojë strehim te Ti nga e keqja e asaj që kam vepruar. Pranoj se të gjitha mirësitë e dhuruara vijnë prej Teje. Edhe mëkatet e mia i pranoj. M’i falë gjynahet, sepse përveç Teje askush tjetër nuk mund t’i falë gjynahet!”