Printo!
Kategoria: Ahlak
Lexuar: 995 herë

Mr. Rejhan Neziri
Imam në Zvicër
 
 

Ku janë ata që duhen vetëm për hir Timin?

 
 

Ka thënë Muhammedi a.s.:
“Allahu i Madhërishëm thotë: ‘
E kam për borxh t’i dua ata që duhen për hir Timin,
ata që ulen bashkë për hir Timin,
ata që e vizitojnë njëri-tjetrin për hir Timin
dhe ata që harxhojnë për njëri-tjetrin për hir Timin”
(Muvatta bin Malik)

 
 
Duke qenë se njeriu për nga natyra në të cilën e ka krijuar Zoti është qenie sociale, edhe feja me mësimet e saj i drejtohet sociales te njeriu, pasi lëndë parësore e fesë është njeriu. Që të mund të sigurohet origjinaliteti, pranueshmëria dhe vazhdimësia e sociales te njeriu, nevojiten vlerat të cilat e përbëjnë lëndën e parë të organizimit shoqëror dhe të cilat ndahen njësoj nga të gjithë anëtarët e saj. Islami e trajton në mënyrë objektive dhe reale natyrën e njeriut si dhe strukturën shoqërore, andaj dhe e ka instaluar parimin e barazvlershmërisë së njerëzve. Sipas kësaj, të gjithë njerëzit janë pasardhës të Ademit dhe të Havvës a.s..
Gjinia njerëzore është një shoqëri e madhe e përbërë nga përbashkësi të niveleve të ndryshme, të lidhura mes vete me rrjete të ndryshme të sjelljeve e proceseve sociale. Anëtarët e shoqërisë janë të varur nga njëri-tjetri dhe në relacione të ndryshme me njëri-tjetrin. Kontaktet e ndërsjella, komunikimi dhe ndërveprimi janë shumë me rëndësi si për individin ashtu edhe për grupet e ndryshme të njerëzve. Pa këto, nuk mund të paramendohet ajo që e quajmë shoqëri.
Zakonisht marrëdhëniet shoqërore priremi t’i kuptojmë si marrëdhënie personale a individuale. Ndërkaq marrëdhëniet sociale dhe ndërveprimi krijohen dhe zhvillohen edhe në mesin e grupeve. Për ta analizuar rrjetin e marrëdhënieve në shoqëri nevojitet abstragimi i marrëdhënieve konkrete të njeriut. Në fund të këtij abstragimi do të kuptojmë se individët dhe grupet janë të ndërlidhura me njëri-tjetrin përmes statusit, rolit dhe procesit që ata ushtrojnë në shoqëri. Për nga pozita njeriu mund të ketë status dhe pozitë më të lartë, të njëjtë ose më të ulët se një tjetër. Po ashtu një individ mund të luajë një rol apo funksion tjetër ose të njëjtë me dikë tjetër. Mbi të gjitha këto pastaj qëndrojnë proceset sociale, që janë forma të ndërveprimit social të cilat i përfshijnë të gjitha pozitat dhe në veçanti rolet më të ndryshme të individit. Këto procese apo forma të sjelljes a ndërveprimit mund të kategorizohen e të tipizohen. Sipas kësaj kemi këto procese kryesore sociale: bashkëpunimin, përshtatjen, asimilimin, konfliktin, kundërshtimin dhe konkurrencën. Këto forma të sjelljes pra janë marrëdhënie të ndërthurura shoqërore. Këto procese shoqërore nga sociologë të ndryshëm më tej ndahen në dy kategori kryesore: procese afruese dhe larguese. Derisa në kategorinë e parë hyjnë bashkëpunimi, përshtatja dhe asimilimi, në kategorinë e dytë hyjnë konflikti, kundërshtimi dhe konkurrenca.
Vlen të theksohet se këto procese sociale janë universale, ndodhen te të gjitha shoqëritë. Te ndonjëra prej tyre vihen në pah më shumë format e njërës, e te tjera format e kategorisë tjetër. Në disa shoqëri e kultura zmadhohet kuptimi dhe rëndësia e njërës palë të proceseve, kurse te të tjerat kategoria tjetër. Si shembull të përshtatshëm për këtë le ta marrim konkurrencën: përderisa në shoqëritë perëndimore konkurrenca kuptohet si një proces i natyrshëm dhe i pashmangshëm, në shoqëritë lindore nuk merret shumë seriozisht, ose interpretohet në rolin e një procesi më intensiv, pra si kundërshtim apo edhe konflikt. Megjithëse këto kërcime kuptimore të këtyre proceseve nuk përjashtohen edhe në shoqëritë e tjera, ajo çka mbetet është universaliteti i tyre, gjithëprania e tyre në çdo shoqëri.
Në mbivlerësimin, vlerësimin dhe nënvlerësimin e tyre një rol të madh luajnë elementet kulturore, e në veçanti feja. Ne thamë edhe më lart se feja islame e trajton njeriun si individ po edhe organizmin e tij social në mënyrë shumë objektive dhe reale. Islami i ka në konsideratë edhe këto forma të ndërveprimit të njerëzve si individë dhe si shoqëri. Për më tepër ai instalon mësimet dhe vlerat që duhet ta theksojnë intensifikimin e procese afruese, sidomos në mesin e anëtarëve të shoqërisë së gjithëbotshme të saj, pra të Ummetit, pa përjashtuar edhe popujt dhe shoqëritë e tjera.
Nëse shikojmë ajetet kur’anore dhe hadithet e Muhammedit a.s. do të vërejmë se ndikimin social të individëve dhe ndërveprimin e tyre Islami e trajton realisht, nuk e bën idealizimin dhe utopizimin e tyre, nuk e mohon të keqen, nuk i mohon format larguese të ndërveprimit porse kërkon nga ithtarët e tij që përkundër mundësisë për të gabuar, për t’u konfrontuar, për të konkurruar në të keqen, të gjejnë rrugët dhe vullnetin e afrimit, të bashkëpunimit dhe të përshtatjes me njëri-tjetrin në të mirën dhe në të drejtën, dhe përfundimisht të asimilimit në vlerat e larta universale brendapërbrenda bashkësisë së gjerë të myslimanëve. Një integrim i këtillë i individëve dhe grupeve brenda ummetit islam është ideali shumë i mundshëm, shumë i realizueshëm që e synon Islami, pasi ai me mësimet dhe vlerat e tij e ofron bazën për këtë. Mësimet e Islamit na ofrojnë të kuptojmë që njeriu ka mundësinë të ngrihet në botën e engjëjve, krijesave të pagabueshme të Zotit, por edhe mundësinë që të bjerë në greminën dhe moçalin e djajve. Ai e ballafaqon njeriun me të dyja këto kategori dhe e thërret ta kapë të parën, të dëlirën, fisniken, engjëlloren dhe t’i largohet së dytës, djallëzores. Kur’ani shprehet qartë për këtë: “Dhe mbështeteni njëri-tjetrin në të mirë dhe në ruajtjen nga e keqja dhe mosni në mëkat dhe në armiqësi...” (Maideh:2)
Islami e thërret njeriun ta kuptojë nevojën e pashmangshme të tij për të jetuar në bashkësi, ku janë të mundshme të realizohen të gjitha format e sipërpërmendura të ndërveprimit social, ndërkohë që ia tregon edhe synimin më të lartë të tij për të përbashkëtën, për të bukurën, për të rehatshmen...
Duke filluar nga familja, si njësia më e vogël e shoqërisë, duke kaluar përmes farefisnisë, fqinjësisë, grupit dhe bashkësisë e deri te Ummeti, proceset sociale të të gjitha këtyre niveleve të organizimit shoqëror Islami i lidh përmes vlerave dhe mësimeve fetare, morale, estetike etj. Kur janë në pyetje myslimanët Kur’ani për ta e përdor termin “vëllezër”, një afërsi që e tejkalon atë të gjakut dhe të origjinës, të cilat vijnë me lindjen ndërkohë që e para fitohet përmes besimit dhe pranimit të mësimeve hyjnore.
Muhammedi a.s. shkuarjen në Parajsë, si vendi i arritjes së të gjitha të mirave dhe kënaqësive trupore dhe shpirtërore, e kushtëzon me besimin e plotë, ndërkohë që besimin e plotë e kushtëzon me dashurinë e ndërsjellë midis myslimanëve. Ai a.s. thotë: “Pasha Zotin, në dorën e të Cilit gjendet shpirti im, nuk do të hyni në Xhennet derisa nuk besoni, nuk do të besoni (plotësisht)derisa nuk e doni njëri-tjetrin. A doni t’ju tregoj diçka që nëse ju e bëni, do ta kishit dashur njëri-tjetrin? Shpërndajeni selamin (përshëndetjen islame dhe të xhenetit) (Muslimi, Tirmidhiu, Ibni Maxhe, Ahmedi). Përshëndetja me selam mund të mos i duket dikujt ndonjë formulë kushedi çfarë për arritjen e dashurisë ndërnjerëzore, mirëpo ja që Muhammedi a.s. e paraqet këtë si nisjen e afrimit të njerëzve me njëri-tjetrin, për të kaluar në respektimin dhe dashurinë e ndërsjellë brenda një besimi në këtë botë dhe hyrjen e përbashkët në parajsën e Zotit. Me selam myslimani i jep tjetrit të kuptojë se ai është i sigurt prej dorës dhe gjuhës së tij, se atij asnjë e keqe dhe asnjë dëm nuk i vjen prej tij. Përveç kësaj, ai i uron atij dhe mëshirën e begatitë e Zotit. Ia bën me dije që pos se nuk të dëmtoj, unë edhe të respektoj e të dua, prandaj edhe uroj të gjitha të mirat. Po të të urreja, po të të shihja si konkurrent dhe si kundërshtar timin, nuk do t’i shprehja të gjitha këto urata. Paqen, rehatinë, mëshirën dhe begatitë e Zotit që ia dua vetvetes, i dëshiroj edhe për ty, ndaj edhe nuk të xhelozoj, nuk të urrej, nuk ta kthej shpinën po fytyrën, nuk dal më fytyrë të vrenjtur porse të qeshur para teje. Ja pra, këto janë porositë që myslimani ia jep tjetrit kur e përshëndet atë me “Es-selamu alejkum ve rahmetullahi ve berakatuhu! – Paqja, mëshira dhe begatitë e Zotit qofshin mbi Ju!”. Pas shprehjes së këtij selami me këto mesazhe, a thua vërtet tjetri nuk ndjen gjë fare? Nuk ndjen nevojën ta përshëndesë në po të njëjtën mënyrë ose edhe me një përshëndetje akoma më të mirë? Krejt kjo sipas porosisë kur’anore: “Kur ju përshëndet dikush me respekt, kthejani me një përshëndetje më të mirë ose në të njëjtën mënyrë! Pa dyshim Allahu llogarit çdo gjë” (Nisa’:86). Sigurisht që po. Atëherë, a nuk e shtuaka kjo respektin, simpatinë, afrimin dhe dashurinë?!
Nga kjo përshëndetje nis ndërveprimi i tyre në rrugën që ia mësoi Zoti përmes të Dërguarit të Tij a.s. Me këtë ky ia bën me dije tjetrit se cilën formë të procesit social e dëshiron me të dhe cilën e pret edhe prej tij. E do bashkëpunimin, përshtatjen dhe asimilimin a integrimin e plotë në përbashkësinë islame, apo e do konkurrimin, konfrontimin dhe konfliktin? E do dhe e pret engjëlloren, apo e do dhe e pret djallëzoren?
Pa marrë parasysh personin dhe karakterin e takimit, qoftë ky të jetë një i afërm qoftë një i largët, qoftë të jetë ky një takim formal dhe i rastësishëm qoftë një takim pune, në të gjitha rastet ky i pari reflekton paqen dhe dashurinë dhe të njëjtat i pret edhe prej tjetrit. Krejt kjo, në frymën e hadithit të Muhammedit a.s. ku thotë: “Nëse dikush e do shokun e vet, le të shkojë tek ai dhe le t’ia bëjë me dije se e do për hir të Zotit” (Ahmedi). Pra, para se të presë respektin dhe dashurinë prej të tjerëve, ky është i pari që e shpreh dhe e reflekton atë. Ky është i vetëdijshëm për ndikimin që mund ta ushtrojë te tjetri, prandaj edhe ndërvepron aktivisht. Ky është i vetëdijshëm se edhe ai mund të ndikojë te ky, për të mirë ose për të keq, mu ashtu siç e mëson Muhammedi a.s. “Njeriu është në fenë (besimin dhe stilin e jetës) së shokut të vet, andaj le të shikojë se kë e shoqëron” (Ebu Davudi, Tirmidhiu). Ai e ka të njohur edhe simbolikën që e sjell në këtë drejtim Muhammedi a.s. kur thotë: “Shembulli i shokut të mirë dhe i shokut të keq është sikurse shembulli i një shitësi të parfumeve dhe i një farkëtari. Shitësi i parfumeve ose të lyen me parfum, ose të shet nga parfumet e tij ose kur del mbetesh me aromën e mirë të parfumeve. Ndërsa te farkëtari ose i djeg teshat tua (nga shkëndijat e zjarrit)ose del nga (punëtoria)e tij me aromë të pakëndshme të hekurit dhe të ndryshkut” (Buhariu dhe Muslimi). Ky ndofta është shembulli më tipik i ndikimit dhe i ndërveprimit midis njerëzve varësisht sipas orientimeve, përcaktimeve dhe formave të sjelljeve të tyre që i parapëlqejnë me vetëdije ose pa të, kur janë në kontakt me të tjerët.
Njeriu urren të jetojë i vetmuar por edhe urren të jetojë e të bashkëveprojë me njerëz që nuk janë të profilit të tij, që nuk i përgjigjet karakterit të tij. Muhammedi a.s. thotë: “Shpirtrat e njerëzve janë sikurse një ushtri e përzier në një vend, ata që njihen (përputhen), bashkohen dhe afrohen kurse ata që nuk njihen, që neveriten nga njëri-tjetri, largohen” (Buhariu dhe Muslimi). Pra, ata që gjejnë gjuhë të përbashkët, që e ndajnë të njëjtin ose të përafërtin profil karakteri me tjetrin, mbeten bashkë dhe nuk ndahen dot, kurse ata që nuk përputhen për nga karakteri, largohen dhe nuk rrinë bashkë. Sipas kësaj, njeriu ndjenë neveri të rrijë me atë që nuk i përgjigjet besimit, bindjes, sjelljes dhe karakterit të tij. Ai e kërkon eshin e vet, e kërkon një si vetvetja, një me të cilin do të mbetet përgjithmonë bashkë. Transmetohet që Imam Shafiu r.a. të ketë thënë: “Vëllezërit më të dashur për zemrën time janë ata me të cilët ndihem sikur të jem me vetveten time”. Sepse te tjetri e sheh vetveten po edhe ai te ky e sheh vetveten. Këta janë, siç thotë Muhammedi a.s. “Besimtari është pasqyrë për besimtarin” (Ebu Davudi), ata te tjetri e gjejnë vetveten, përputhen plotësisht, ndajnë të njëjtat bindje, të njëjtat vlera e ideale. Ndërveprimi i këtyre është më tepër se një bashkëpunim natyral, ata kanë një ideal të përbashkët, ata kanë kultivuar ndaj njëri-tjetrit diçka më tepër se një respekt formal, ata i lidhin ndjenja të përbashkëta, ata i lidh dashuria e sinqertë për hir të Zotit. Dashuri kjo e cila është e përjetshme, pasi kultivohet në emër të të Përjetshmit. Një shok shumë i ngushtë i Muhammedit a.s. për disa ditë nuk e kishte takuar Pejgamberin a.s. pasi ky kishte qenë në një udhëtim. Në kthim e sipër shoku i tij i thotë: “O i Dërguar i Zotit, jam shumë i mërzitur!”. “Pse” – e pyeti profeti. I tha: “Unë nuk mund tri ditë të qëndroja pa ty, çka do të bëhet me mua në botën tjetër. Ti je pejgamber dhe kushedi se në cilën shkallë të xhenetit do të jesh, ndërsa unë nuk e di në do të jem fare në xhenet, e lëre më të jem bashkë me ty”. Pejgamberi a.s. iu përgjigj: “Njeriu në botën tjetër do të jetë me atë që e ka dashur në dynja” (Tirmidhiu). Këtë e mbështet edhe ajeti kur’anor 67 i sures 43 Ez-Zuhruf: “Atë Ditë miqtë do të bëhen armiq të njëri-tjetrit, përveç atyre që e kanë pasur frikë Allahun”. Shumë individë që në dynja janë hequr si miq e dashamirë të njëri-tjetrit nesër në Ditën e Gjykimit do ta shohin si armik njëri-tjetrin dhe nuk do të duan të takohen fare, përveç atyre që e kanë respektuar, e kanë çmuar dhe dashur njëri-tjetrin për hir të së vërtetës, për hir të Zotit, sepse si krijesë e dëgjueshme e Zotit ai meriton të çmohet, të vlerësohet e të duhet.
Një temë në vete do të ishte trajtimi i miqësisë dhe i shoqërisë që ndodh në botën reale dhe asaj që sot po ndodh në botën virtuale.
Qenësore mbetet dashuria dhe respekti i sinqertë që muslimanët duhet t’i ushqejnë ndaj njëri-tjetrit për hir të së vërtetës. Këtë gjë e pret prej nesh, e çmon dhe e vlerëson edhe Allahu Fuqiplotë, burimi i Dashurisë, Ai që Veten e emërton në Kur’an edhe me emrin “El-Vedud”: “Ai është Falës dhe plot dashuri” (Buruxh 85:14).
Në këtë drejtim Muhammedi a.s. ka thënë: “Allahu i Madhërishëm thotë: ‘E kam për borxh t’i dua ata që duhen për hir Timin, ata që ulen bashkë për hir Timin, ata që e vizitojnë njëri-tjetrin për hir Timin dhe ata që harxhojnë për njëri-tjetrin për hir Timin” (Muvatta bin Malik)
Në një hadith kudsij qëndron: “Në ditën e Gjykimit Allahu i Madhërishëm do të thotë: ‘Ku janë ata që e kanë dashur njëri-tjetrin vetëm për hir Timin? Ata sot do t’i fus nën hijen Time, në këtë ditë ku s’ka hije tjetër pos Simes” (Muslimi).
Në një hadith tjetër që transmetohet nga Ebu Davudi ka thënë Muhammedi a.s.: “Nga mesi i robërve të Zotit ka disa njerëz që nuk janë as pejgamberë e as shehidë (dëshmorë), por të cilëve do t’ua kenë lakminë pejgamberët dhe dëshmorët për pozitën që nesër në botën tjetër do t’ua sigurojë Zoti i Madhërishëm”. I thanë: “O i Dërguar i Zotit, na lajmëro kush qenkan këta!”. Ai u përgjigj: “Ata janë disa njerëz që e kanë dashur njëri-tjetrin për hir të Allahut, edhe pse nuk kanë pasur afërsi familjare ose interes pasurie midis tyre. Pasha Allahun, fytyrat e tyre do të shkëlqejnë nur, ata do të jenë mbi nur. Ata nuk do të kenë frikë kur do të frikohen njerëzit tjerë dhe nuk do të dëshpërohen kur do të dëshpërohen njerëzit tjerë”, dhe pastaj Pejgamberi a.s. e lexoi ajetin kur’anor: “Pa dyshim, miqtë e Allahut nuk do të kenë arsye për t’u frikësuar dhe as për t’u dëshpëruar” (Junus 10:62), nuk do të jenë të dëshpëruar për të kaluarën e tyre, porse do të mburren me miqësinë që e kanë pasur në dynja dhe nuk do të frikësohen se mos po mbeten të ndarë nesër në Xhennet.
Me një dashuri të sinqertë e të përjetshme, ju uroj të gjitha të mirat në këto ditë të fundit të Ramazanit...