Rejhan Neziri
 


 

Abdullah bin Mes’udi r.a. ka thënë: “Kur Pejgamberi a. s. ka qenë në Isra, atë e kanë çuar madje edhe deri në Sidretul munteha. Kjo është në qiellin e gjashtë. Deri këtu mbërrinë gjithçka që ngritet prej toke dhe këtu pranohet. Deri në Sidre lëshohet gjithçka që lëshohet prej më lart se kjo dhe këtu pranohet. Pastaj e lexoi ajetin: “Atëherë kur Sidrën e mbuloi çka e mbuloi” (en-Nexhm:16). Për këto ka thënë se kanë qenë dyshekë ari. Atëherë Pejgamberit a.s. i janë dhënë tri gjëra: pesë kohët e namazit, ajetet e fundit të sures el-Bekara dhe i është dhënë premtimi se do t’i falen mëkatet secilit prej ummetit të tij që nuk bën shirk-politeizëm”, (Transmeton Muslimi).

Hadithi i lartpërmendur ka të bëjë drejtpërdrejt për Miraxhin e Pejgamberit a.s., hapësirën deri ku ka arritur ky Pejgamber i nderuar me miraxh, mrekullitë që All-llahu xh.sh. në suren el-Isra (17:1) thotë se do t’ia tregojë robit të tij dhe përfundimisht tregon porositë bazë që All-llahu xh.sh. ia shpall Muhammedit a.s. në këto çaste.

Është për të menduar, a thua përse All-llahu xh.sh. të gjitha ajetet, suret dhe parimet e tjera të Kur’anit i shpall nëpërmjet Xhibrilit a.s. duke e dërguar atë në tokë, atje ku jetonte e banonte Muhammedi a.s., kurse këto tri porosi bazë ia shpall atij duke e ftuar atë në qiell? Kujtojmë se këto tri pika janë shumë me rëndësi. Biseda sy më sy ose kundruall njëri-tjetrit ka më tepër efekt sesa biseda me mjete bisedimi ose me ndërmjetësues të tjerë. Kjo është edhe një e vërtetë psiko-sociologjike.

Po ç’janë këto porositë bazë dhe kaq të rëndësishme që All-llahu xh.sh. ia kumton Pejgamberit a.s. në këtë mënyrë? Në hadithin e lartpërmendur ceken:

1. Falja e pesë namazeve ditore,
2. Dy ajetet e fundit të sures el-Bekara, dhe
3. Përgëzimi për ummetin (ndjekësit) e Muhammedit a. s. se, përderisa ata nuk bëjnë shirk – shok All-llahut xh.sh., do të jenë të falur.

Sipas kësaj ngjarjeje, ndodh që ndonjëherë njeriu të bëhet shumë i afërt me Zotin e vet, madje në njëfarë trajte edhe fizikisht, e lëre më shpirtërisht ku ata e përjetojnë thellë në shpirt afërsinë e Zotit, Krijuesit të vet. Megjithëkëtë, edhe përskaj kësaj afërsie fizike e shpirtërore, prapë Zoti mbetet Zot e njeriu njeri, kurse Muhammedi a.s. kthehet sërish në tokë ngase i takonte tokës. Ai nuk ishte i përcaktuar nga Zoti të ngjitej në qiej e të mbetej atje përgjithmonë, duke i përjetuar edhe më tej ato që i përjetoi e shijoi. Jo, jo. Misioni i tij ishte tjetërfare. Ai erdhi ta marrë fjalën e Zotit e t’ia bartë njerëzimit. Ai, duke e braktisur jetën që e gëzonin melekët në qiej, i kthehet vendlindjes, i kthehet tokës, i kthehet rrëmujës e zhurmës së jetës tokësore, i kthehet shoqërisë njerëzore ku haste njerëz të ndershëm e të pandershëm, besimdrejtë e përgënjeshtrues, të devotshëm e zullumqarë... Ai duhej ta drejtonte e udhëzonte këtë shoqëri. Duhej ta dëlirte prej ndytësive që e kishin kapluar. Misioni i tij ishte në tokë e jo në qiej. Zotin duhej lutur në tokë njerëzit e në qiej melekët. Biri i birit të tokës duhet që në tokë t’i lutet Krijuesit të tokës dhe të gjithçkaje tjetër. Ligji i Zotit i ngulitur në gjithësi është që njeriu të jetë i ngjitur për toke, të mos mund të shkëputet aq thjesht prej saj, të jetë i tërhequr prej saj me fuqinë që e ka caktuar Zoti. Po përjashtime a nuk ka? Gjithësesi, një i këtillë është miraxhi i Muhammedit a.s., të këtilla sot i ke fluturimet kozmike. Por ama, përfundimisht të gjithë i kthehen tokës, i kthehen zhurmës së jetës tokësore, paqes e luftës, marrëveshjeve e mosmarrëveshjeve, besnikërive e tradhtive... Thamë se njeriu duhet t’i lutet Zotit në tokë, atje ku e ka vendlindjen. A nuk thotë Muhammedi a.s. se “Miraxhi i ummetit tim është namazi i tij”? A nuk thotë ai se “Njeriu më afër Zotit është kur ai bie në sexhde për Zotin”? Këto fjalë, a nuk e tregojnë këtë të vërtetë të madhe e të pamohueshme, se Zoti duhet të lutet mu në udhëkryqin e kundërshtive të kësaj bote, mu në mesin e dëshirave e tekeve të shumëllojshme dhe mu në mesin ku kundërshtohet ekzistimi i Zotit?

Po ç’përmbajnë dy ajetet e fundit të sures el-Bekara? Ç’ka tjetër, pos esencës së Islamit? All-llahu xh.sh. thotë:


آمَنَ الرَّسُولُ بِمَا اُنْزِلَ اِلَيْهِ مِنْ رَبِّهِ وَالْمُؤْمِنُونَط كُلٌّ آمَنَ بِاللَّهِ وَمَلَئِكَتِهِ وَكُتُبِهِ وَرُسُلِهِط لاَ نُفَرِّقُ بَيْنَ اَحَدٍ مِنْ رُسُلِهِقف وَقَالُوا سَمِعْنَا وَاَطَعْنَا غُفْرَانَكَ رَبَّنَا وَاِلَيْكَ الْمَصِيرُ (٢٨٥) لاَ يُكَلِّفُ اللَّهُ نَفْسًا اِلاَّ وُسْعَهَاط لَهَا مَا كَسَبَتْ وَعَلَيْهَا مَااكْتَسَبَتْطرَبَّنَا لاَ تُؤَاخِذْنَا اِنْ نَسِينَا اَوْ اَخْطَاْنَاج رَبَّنَا وَلاَ تَحْمِلْ عَلَيْنَا اِصْرًا كَمَا حَمَلْتَهُ عَلَى الَّذِينَ مِنْ قَبْلِنَاج رَبَّنَا وَلاَ تُحَمِّلْنَا مَا لاَ طَاقَةَ لَنَا بِهِج وَاعْفُ عَنَّاقف وَاغْفِرْ لَناَقف وَارْحَمْناَقف اَنْتَ مَوْلَينَا فَانْصُرْنَا عَلَى الْقَوْمِ الْكَافِرِينَ
 

“I dërguari i besoi asaj që iu shpall prej Zotit të Tij, si dhe besimtarët. Secili i besoi All-llahut, engjëjve të Tij, librave të Tij, të dërguarve të Tij. Ne nuk bëjmë dallim në asnjërin nga të dërguarit e Tij, dhe thanë: “Dëgjuam dhe respektuam. Kërkojmë faljen tënde, o Zoti ynë! Vetëm te Ti është ardhmëria jonë. (285) All-llahu nuk ngarkon askë përtej mundësive të veta, atij (njeriut) i takon ajo që e fitoi dhe atij i bie ajo (e keqe) që e meritoi. “Zoti ynë, mos na dëno nëse harrojmë ose gabojmë! Zoti ynë, mos na ngarko neve barrë të rëndë siç i ngarkove ata para nesh! Dhe Zoti ynë, mos na ngarko me atë për të cilën nuk kemi fuqi! Na i shlyej mëkatet, na i mbulo të këqiat, na mëshiro! Ti je Mbrojtësi ynë, na ndihmo kundër popullit pabesimtar!” (el-Bekara, 2:285-286).

A nuk është kjo pasqyra e besimit të Muhammedit a.s. dhe të muslimanëve, ndjekësve të tij, se këta të gjithë i besojnë All-llahut xh.sh., melekëve të Tij, librave të Tij, pejgamberëve të Tij, se nuk bëjnë kurrnjë dallim midis këtyre pejgamberëve, sepse të gjithë janë vëllezër të njëri-tjetrit për nga misioni e vëllezër për nga prejardhja, që të gjithë bij të pejgamberit të parë Ademit a.s.? A nuk e tregon kjo përkushtimin e plotë të këtyre njerëzve ndaj Zotit të tyre, kur thonë: “Dëgjuam dhe respektuam. Kërkojmë faljen tënde, o Zoti ynë! Vetëm te Ti është ardhmëria jonë”? A nuk tregon kjo se kjo fe nuk është rëndesë e tepërt për njerëzimin, porse një lehtësim, se çdokush do të jetë përgjegjës për veprat e veta, qofshin të mira ose të këqija. A nuk tregon kjo lirinë që e gëzon njeriu në jetë e në të vepruar, se ai mund të jetë besnik po edhe tradhtar, se mund të jetë musliman po edhe jomusliman, madje edhe munafik..? Akoma më pas, a nuk të mëson vetë All-llahu xh.sh. se pas kësaj lirie që e gëzon njeriu mund të gabojë e të jetë gjynahqar dhe se menjëherë pas këtyre të ligave ai mund dhe duhet të pendohet e të kërkojë falje për mëkatet që i ka bërë nga harresa ose nga pahiri, të kërkojë të mos i sprovojë Zoti me obligime e fatkeqësi të rënda sikur i kishte sprovuar popujt para tij, të kërkojë që Zoti tekefundit të mos e ngarkojë aq sa s’mund të durojë, aq sa s’mund të bartë..?

Po mirë, a ka mundësi që Zoti, ashtu siç thotë Ebu’l-A’la el-Mewdudi, t’ia mësojë njeriut si bëhet duaja, si t’i lutet ai Zotit dhe pastaj Zoti të mos ia pranojë këtë dua e lutje? A mund të paramendohet një kundërshti e këtillë?! Zoti të të thotë “kështu e kështu lutmu!”, ti t’i lutesh e pastaj Ai të të thotë “Jo, nuk ta pranoj këtë lutje”?!

E ç’është me premtimin dhe përgëzimin (myzhden) që Zoti ia shpreh Muhammedit a.s. lidhur me ummetin e tij? Një musliman i përkushtuar plotësisht ndaj All-llahut xh.sh. dhe një musliman që u përmbahet parimeve bazë të përmbledhura në dy ajetet e fundit të sures el-Bekara, që nënkupton një njeri që nuk adhuron tjetër përpos All-llahun xh.sh., a ka mundësi të jetë banor Xhehennemi? A ka mundësi Zoti ta dënojë atë pse ai i lutet me lutjet që ia kishte mësuar Zoti vetë? Kontradiktat e këtilla mund të paramendohen e të hasen vetëm në mesin e njerëzve... All-llahu xh.sh. është larg këtyre cilësimeve e mangësive. “I lavdëruar qoftë All-llahu, pa të meta është Lartmadhëria e Atij që robin e Vet e kaloi në një pjesë të natës prej Mesxhidi Haramit (Qabes) gjer në Mesxhidi Aksa (Bejti Mukaddes), rrethinën e së cilës Ne e kemi bekuar, (ia bëmë këtë udhëtim) për t’ia treguar atij disa nga argumentet Tona. Vërtet, Ai është Gjithëdëgjuesi, Gjithëvëzhguesi” (el-Isra’, 17:1)...
 
 

Kreuzlingen, 10.03.2021