Dr. Ahmad Hurshid
Parathënie
Mesazhi i Islamit është i thjeshtë dhe i plotë: t’ia nënshtrosh vetveten tërësisht Zotit dhe Krijuesit, Një Zoti të Vërtetë. Formula e tij për suksesin dhe zhvillimin është e qartë dhe e shkurtër: beso sinqerisht dhe zbukuroje jetën tënde me vepra të drejta e të ndershme! Besimi i drejtë nënkupton besimin në njëshmërinë e Zotit dhe në sovranitetin e Tij të vetëm, besimin në të gjithë pejgamberët e Tij duke përfshirë edhe atë të fundit, Muhammedin a.s., besimin në Librat e shpallur, besimin në engjujt (melekët) si dhe besimin në Ringjalljen pas vdekjes dhe marrjen në llogari për punët e kësaj bote. Një jetë veprash të drejta e të ndershme është jeta me adhurime, shërbime dhe realizime të aftësive. Bazat dhe burimi i fuqisë së veprave të drejta janë pesë: namazi i rregullt, agjërimi, zekati e lëmosha, haxhxhi si dhe lufta për kauzën e së vërtetës për të ngritur një shoqëri të mëshirshme e të drejtë. Rezultati i natyrshëm i një jete veprash të drejta e fisnike është përkryerja e shkallëshkallshme e individit dhe e shoqërisë.
Për ata që e pranojnë këtë porosi, Islami premton shpërblim të madh për në këtë botë dhe akoma më të madh për në botën që do të vijë. Ai premton qetësi shpirtërore, harmoni me natyrën, lumturi për individët dhe ngritje e sukses material për shoqëritë që e plotësojnë urdhrin moral për kryerjen e punëve të drejta e të ndershme. “All-llahu u ka premtuar atyre nga mesi juaj që besojnë dhe që punojnë mirësi e drejtësi, se Ai patjetër do t’u sigurojë atyre vazhdimësinë në tokë”, (Kur’ani, 24:55). Ndërkaq, shpërblimi më i madh është rezervuar për në Botën tjetër (Ahiretin): “Askush nuk e di se çfarë është ruajtur për ta nga kënaqësitë e syrit si shpërblim për çfarë ata punuan”, (Kur’ani, 32:17).
Libërthi “Islami: parimet dhe veçoritë kryesore” mëton të jetë njëra prej hyrjeve më të mira të shkurta në porosinë bazë dhe në veçoritë qenësore të Islamit. Autori, Hurshid Ahmed, është një dijetar eminent dhe lider i spikatur i Lëvizjes islame në vendlindjen e tij në Pakistan dhe në Perëndim. Në këtë libërth ai në mënyrë të thuktë përfshinë kompleksitetin e mendimit islam në një mënyrë të qartë e bindëse. Shpresojmë që ky libërth të jetë joshës dhe i dobishëm për lexuesit!
Lexo libërthin e plotë në PDF.