Të mërkurën që shkoi, më 17 prill 2024, në Kuvendin e rregullt vjetor të organizatës kantonale për dialog ndërfetar (Interreligiöser Arbeitskreis im Kanton Thurgau), unë Rehan Neziri, imam në xhaminë «Hëna e re» në Kreuzlingen, e dorëzova mandatin tim si anëtar kryesie dhe si bashkëthemelues i kësaj organizate.

Organizata në fjalë u themelua në vitin 2010, si nevojë për një bashkëpunim më të ngushtë midis pjesëtarëve të feve të ndryshme në kantonin Thurgau (TG), sidomos pas përvojës së hidhur që e përjetuam një vit më parë, pra më 2009, me rastin e referendumit për ndalimin e ndërtimit të minareve të reja në Zvicër. Ju rikujtojmë se në këtë referendum u pranua ndryshimi për nenin 72 të Kushtetutës Federale të Zvicrës, me të cilin ndalohet ndërtimi i minareve. Rezultatet e këtij referendumi ishin shumë dëshpëruese, jo vetëm për ne si muslimanë, por edhe për shumë zviceranë mendjendritur e liberalë.

Ajo që në fillim rreth vetes kishte vetëm disa të interesuar, më vonë u zhvillua dhe u formalizua edhe juridikisht si një shoqatë me kryesi, me statut e me anëtarë individualë e kolektivë. Sot kjo organizatë numëron te 30 anëtarë individualë dhe 15 kolektivë: xhami, kisha, shoqata fetare etj. Përveç xhamisë sonë, anëtare kolektive janë edhe xhamia shqiptare e Salmsachut, e Frauenfeldit, dy xhamitë turke të Bürglenit si dhe ajo e Kreuzlingenit.

Ndër synimet kryesore të kësaj organizate asokohe patëm përcaktuar:

   -   angazhimin për një bashkëjetesë paqësore midis pjesëtarëve të feve të ndryshme në kantonin Thurgau dhe më gjerë, si dhe për shtimin e respektit e të mirëkuptimit të ndërsjellë, 
   -    avancimin e dialogut ndërfetar, që synon krijimin e lidhjeve dhe urave midis individëve dhe institucioneve të feve të ndryshme, dhe mënjanimin e paragjykimeve e stereotipeve ndaj feve e pjesëtarëve të tyre,
   -   shkëmbimin e njohurive për fetë e ndryshme, me anë të bisedave ndërfetare, këshillimeve, festave ndërfetare siç është «Dita e Falënderimit, e Shpagimit dhe e Lutjes» (Dank-, Buss und Bettag), e cila në Zvicër ka një traditë të gjatë,
   -   ndërmjetësimin për lidhje të kontakteve e të vizitave të faltoreve të feve të ndryshme për nxënës, studentë, arsimtarë e pedagogë,
   -   angazhimin për vizitat fetare dhe ndërfetare baritore nëpër spitale, burgje e institucione të tjera…

Ne, gjatë gjithë kësaj kohe dhe këtyre aktiviteteve, jemi udhëhequr nga ideja se kontaktet me fetë e tjera e shtojnë pa dyshim edhe besimin dhe gëzimin në fenë e secilit prej nesh dhe i japin një kuptim më të thellë besimit dhe fesë sonë. Në shoqëritë bashkëkohore, ku jetojnë e bashkëjetojnë njerëz të gjuhëve, kombësive, kulturave, filozofive, bindjeve dhe feve të ndryshme, të jesh fetar në një farë dore nënkupton të jesh ndërfetar. Kjo assesi nuk nënkupton përzierjen apo shkrirjen e feve ose të mësimeve të tyre në njëra-tjetrën, përkundrazi, nënkupton respektimin e dinjitetshëm të secilës fe, në radhë të parë të qenies njeri, pa marrë parasysh bindjet dhe orientimet dogmatike të tij. Më tej, dialogu ndërfetar nuk ka assesi në agjendën e saj konvertimin e njerëzve nga njëra në fenë tjetër, përkundrazi, shtimin dhe thellimin e bindjes në fenë e vet për secilin pjesëtar.

Gjatë këtyre 14 viteve, si përfaqësues i xhamisë sonë, në kryesinë e kësaj organizate m’u besuan detyra pothuajse në secilin komision të rregullt e të përkohshëm, duke qenë se isha teologu i vetëm musliman brenda saj. Disa prej komisioneve ku kam qenë aktiv personalisht janë: 

   -  Komisioni për përgatitjen e statutit të organizatës,
  - Komisioni për përgatitjen dhe realizimin e bisedave a diskutimeve ndërfetare, duke përzgjedhur për çdo herë nga një temë, që do të ishte e rëndësishme për secilën fe, por njëkohësisht edhe aktuale në shoqërinë zvicerane e më gjerë,
   -  Komisioni për përgatitjen dhe realizimin e festës ndërfetare «Dank-, Buss- und Bettag»,
   -  Komisioni për hartimin e qëndrimeve dhe të deklaratave të nevojshme politike e ndërfetare,
   - Komisioni për inicimin e futjes të mësimit fetar islam nëpër shkollat publike në kantonin Thurgau, si në Romanshorn, Schaffhausen, së shpejti edhe në Bürglen dhe në shkollat e tjera, ku nxënësit muslimanë përbëjnë më së paku 20 % të numrit të përgjithshëm të nxënësve të shkollës gjegjëse,
  -  Komisioni për hartimin e një plan-programi (kurrikule) për mësimin islam nëpër shkollat publike në kantonin TG dhe më gjerë në Zvicër. Ky plan-program do të publikohet së shpejti dhe do të jetë në dispozicion për të gjithë ata mësues që do ta ligjërojnë lëndën islame nëpër shkollat publike të Zvicrës. Këtë kurrikulë financiarisht e kanë mbështetur edhe kishat katolike dhe reformiste si dhe Fedpoli zviceran (Bundesamt für Polizei).

Në mënyrë të veçantë dhe personale që nga fillimi m’u besua krijimi dhe mirëmbajtja e web faqes së kësaj organizate www.thurgau-interreligioes.ch.

Gjatë këtyre viteve kam pasur rastin dhe mundësinë që të fitoj përvoja të ndryshme në këtë fushë, duke qenë se më herët më pati munguar e njëjta. Kam mësuar jo vetëm si ta respektojmë tjetrin ashtu siç është në dinjitetin dhe integritetin e tij, por edhe si të bashkëpunojmë për pika e fusha që na tangojnë të gjithëve bashkë.

Kam pasur mundësinë të takoj klerikë të feve të tjera, por edhe njerëz të bindjeve të ndryshme ideologjike, filozofike e politike. 

Me një fjalë, nga angazhimi im në këtë organizatë, jo vetëm unë personalisht, por edhe xhamia jonë dhe xhamitë e tjera që gravitojnë në kanton, kemi përfituar shumëfish. Lirisht dhe me krenari mund të them se ne muslimanët kemi përfituar më shumë se kushdo tjetër nga kjo organizatë dhe nga aktivitetet e saj. Disa nga frytet e këtij angazhimi vetëm se shihen, të tjerat do të dalin në dritë me kalimin e kohës. Ky është një proces që duhet të vazhdojë dhe unë jam i lumtur që, pas shumë viteve, përfundimisht në kanton kemi imamë dhe teologë të rinj që janë të gatshëm ta marrin në dorë këtë stafetë. Këtu dua ta falënderoj imamin e xhamisë shqiptare në Salmsach/Romanshorn Dr. Mixhit ef. Osmanin, i cili shprehu gatishmërinë të angazhohet aktivisht në kryesinë e kësaj organizate si dhe teologen Sümeyra Karasoy nga Bürgleni, të cilëve u dëshiroj sukses në punën e tyre të mëtejme në këtë fushë.

Last but not least, i falënderoj të gjithë ata anëtarë të mëhershëm kryesie dhe të tjerë për bashkëpunimin e sinqertë dhe të frytshëm përgjatë këtyre viteve brenda kësaj organizate. E falënderoj z. Xhelal Qazimin, anëtar i xhamisë sonë i cili në fillim më ka shoqëruar vazhdimisht edhe si anëtar kryesie i kësaj organizate. Përkrahja dhe mbështetja e tij ka qenë shumë domethënëse për mua. E falënderoj edhe xhematin tim për mirëkuptimin dhe për mbështetjen e vazhdueshme që ma kanë dhënë përgjatë viteve të angazhimit tim në organizatën në fjalë, për çka kam munguar shumë herë në xhami. Një falënderim të veçantë ia drejtoj familjes sime, bashkëshortes dhe fëmijëve, të cilët më kanë mbështetur pa rezervë dhe të cilëve gjithsesi se u kam munguar shumë shpesh. Mua gjithmonë më mban bindja se sukseset e mëdha arrihen me punë e me angazhim të madh individual dhe ekipor, kolektiv.

Unë mbetem anëtar i rregullt i kësaj organizate, ndërsa xhamia jonë si anëtare kolektive e saj, që nga themelimi. I inkurajoj edhe kolegët e tjerë si dhe xhamitë e tjera të aktivizohen e të angazhohen më shumë në fushën e dialogut ndërfetar si në nivelin komunal, ashtu edhe në atë kantonal dhe nacional zviceran.
 

 

Rehan Neziri
Kreuzlingen, 20 prill 2024